Zëri i Amerikës: Besim minimal tek partitë, qeverisja perceptohet si jotransparente dhe e korruptuar

Nga Zëri Amerikës-

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim publikoi sot Sondazhin e përvitshëm të opinionit publik “Besimi në qeverisje 2020”.

Qytetarët pohuan se besimin më të lartë, afro 70 për qind, e kanë tek institucionet fetare, e më pas vijnë ato arsimore brenda vendit dhe tek NATO, OKB dhe BE jashtë Shqipërisë.

Ndërsa institucionet me besimin më të ulët janë partitë politike (20%), gjykatat (24%), presidenti (24%), parlamenti (24%) dhe prokuroria (24%).

Sondazhi zbuloi se gjatë vitit të pandemisë ka rënë besimi te policia, institucionet e kujdesit shëndetësor, media, qeveria qendrore krahasuar me vitin 2019.

Afro 30 për qind e popullsisë në Shqipëri beson se reforma në drejtësi po zbatohet me korrektësi dhe rreth 53% e të anketuarve besojnë se reforma do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit.

Sipas sondazhit, shumica e shqiptarëve i perceptojnë si jotransparente qeverinë qendrore (64%) dhe bashkitë (62%) si jo transparente.

Edhe më i lartë është perceptimi për korrupsionin. Mbi 84 për qind e të anketuarve pohojnë se korrupsioni është i përhapur në nivelet e larta dhe afro 87 për qind e shqiptarëve e shohin tek nivelet e ulëta të administratës.

Institucionet më të korruptuara qytetarët renditin gjykatat, spitalet, policinë dhe parlamentin.

70 për qind e shqiptarëve nuk kanë besim në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë, po ashtu edhe në atë nivelit të ulët, dhe kjo përqindje është rritur nga viti në vit.

Po ashtu janë rritur edhe përqindjet e qytetarëve që pohojnë se kanë paguar rryshfet në qeverisjen qendrore dhe atë vendore për të marrë shërbime.

Më tepër se gjysma e qytetarëve të anketuar pohojnë se prokuroria dhe gjykatat janë institucionet më shumë të ndikuara politikisht.

Pjesa dërrmuese e qytetarëve besojnë se dëgjesat publike vendore janë formale, ndërsë vetëm 35 për qind mendojnë që këshilltarët e bashkisë përfaqësojnë komunitetin dhe mbrojnë interesat e qytetarëve.

Afro 44 për qind e shqiptarëve pohuan se duan të emigrojnë drejt një vendi tjetër, megjithë vështirësitë e lëvizjeve prej pandemisë.

Mbi 70% e shqiptarëve të anketuar nuk ndihen të sigurt në jetën e përditshme për shkak të kriminalitetit, padrejtësive, pasigurisë në vendin e punës si dhe shëndetësisë pa cilësi e pa standard.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim kryen sondazhe periodike për marrëdhëniet mes qytetarëve dhe institucioneve, dhe mbi perceptimet për shkallën e demokracië apo të korrupsionit në Shqipëri.

SHKARKO APP