Zjarret në Shqipëri/ Ambasada Amerikane: Lutjet tona për ata që preken nga flakët
Ambasada e SHBA-së në Tiranë, thotë se lutjet e tyre shkojnë për të gjithë ata qytetarë që po preken nga zjarret që kanë ”pushtuar” Shqipërinë. Përmes një postimi në Facebook, ambasada ka publikuar një video nga aksioni i Forcave të Armatosura nga ajri për shuarjen e flakëve dhe shkruan se SHBA-ja ka qenë dhe do të qëndrojnë gjithmonë krah Shqipërisë në kohë nevoje.
“Lutjet tona shkojnë për ata që janë prekur nga vatrat e zjarreve në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të qëndrojnë gjithmonë krah Shqipërisë në kohë nevoje.
Në këtë video, burrat dhe gratë e guximshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare përdorin pajisje të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara ndërsa luftojnë me zjarret në jug të vendit. Pajisjet për shuarjen e zjarrit janë pjesë e një dhurimi prej 360,000 dollarësh të bërë nga Komanda Europiane e Shteteve të Bashkuara në vitin 2019.
Ato përfshinin “kova Bambi”, kostume zjarrfikësish, sëpata, lopata dhe pajisje personale mbrojtëse. “Kovat Bambi”, të përdorura në këtë video, mbajnë ujë nëpërmjet helikopterëve dhe u mundësojnë atyre të mbushin sasi të mëdha në kohë të shkurtër, në mënyrë që të shuajnë zjarrin. #KrahPerKrah”, thuhet në mesazhin e ambasadës.