Mao Ce Duni, “babai” ynë i ri…

DOSSIER /Nga Skifter Këlliçi

 Pasi, qysh nga viti 1945 u shtrënguam të çirreshim “Enver-Tito!”, pastaj “Enver-Stalin” “Enver –Hrushov!”, më 1961 zumë të çirreshim “Enver-Mao Ce Dun!” . “Marrëdhëniet e ngushta me Kinën, -shkruan Ramiz Alia, -vazhduan rreth 15 vjet, thuajse aq sa, kishin zgjatur edhe ato me Bashkimin Sovjetik… Kinezët ndihmuan për zhvillimin më shpejtë të industrisë sonë, duke ngritur kapacitete të reja prodhuese. Në energjetikë, në metalurgji dhe në industrinë kimike… Ata ndihmuan shumë për modernizimin e bujqësisë, kryesisht për mekanizimin e saj”. (“Jeta ime”. faqe 246). Pra, Shqipëria u nda nga një mik, sepse kishte “revizionuar” disa parime bazë të ideologjisë marksiste-leniniste, pra u nda nga revizionistët sovjetikë, ose hrushovianët, siç i quante Enver Hoxha, për të fituar një mik shumë të largët, por që edhe ai udhëhiqej nga disa parime që ishin në kundërshtim me këto parime, të cilat Enver Hoxha i kishte zbatuar me kaq fanatizëm, sa revizionistët sovjetikë i quanin me drejtë dogmatike .

 Për këtë qëllim i drejtohem e veprës së pr. dr. Agron Fico, “Profesor në tri kontinente”, (Tiranë 2004):   “Kina, -shkruan ai, – qysh në fillim kishte marrë një drejtim tepër origjinal, të ndryshëm nga komunizmi dogmatik i sovjetikëve të periudhës së Stalinit. Ishin të vjetra divergjencat e Mao Ce Dunit me udhëheqjen sovjetike për një varg problemesh të teorisë dhe praktikës së ndërtimit të socializmit. Në Kinë kishte një zhvillim dhe ruajtje të pronës private”. (faqe 122)

 Pasi përmend, ato që kam cituar më pjesët e para të këtij dosjeri, pra që në Kinë ekzistonin edhe disa parti të tjera politike, se ish-pronarët e fabrikave kishin ruajtur në pjesë të privilegjeve, (2% të të ardhurave nga prodhimi i ish- fabrikave të tyre),  autori vazhdon:

 “Në vend të monopolit ideologjik që kishte Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, në Kinë vija themelore ishte: “Le të lulëzojnë 100 lule, le të lulëzojnë 100 shkolla”, që pa dyshim i hapte mundësi një diversiteti dhe pikëpamjesh. Është fakt që monopolin e kishte PK e Kinës, por aty gjeje edhe rryma të ndryshme”. (po aty). Jo vetëm kaq. Më 21 dhjetor të viti 1949, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së Stalini, kur nuk kishte veçse dy muaj që ishte krijuar Republika Popullore e Kinës, Mao Ce Duni shkoi për vizitë në Moskë. Por pritja qe e ftohtë.

  “Stalini shihte tek Mao Ce Duni, një antagonist në udhëheqjen e regjimeve komuniste dhe nuk pranoi asnjë nga kërkesat për kthimin e territoreve të pushtuara nga carët. Mao Ce Duni mori vetëm një hua modeste prej 300 milionë dollarësh në pesë vjet dhe nënshkroi disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik dhe ushtarak.” (“Biogafia e Mao Ce Dunit”, nga burime historike në internet, italisht.)

 Pastaj, a dinte Enver Hoxha se si PK Kineze e udhëhequr nga marksist-leninisti i madh, Mao Ce Dun, më vitin 1950 kishte urdhëruar që pushtohej Tibeti, edhe sot nën këtë pushtim, ashtu si Stalini dhe PK e BS më 1940-ën kishin dhënë urdhër të pushtoheshin vendet balltike, Letonia Lituania dhe Estonia?

 Sigurisht që, Enver Hoxha i dinte të tëra këto. Dinte gjithashtu ato që shkruan Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime” rreth kundërtive sovjeto-kineze, dinte se midis këtyre dy partive kishin lindur mosmarrëveshje”… që, siç u duk edhe më vonë, në thelb lidheshin me synimin që kishte secila nga këto parti për të vendosur hegjemoninë e vet në lëvizjen komuniste ndërkombëtare dhe kampin socialist”, (faqe 210), që i kam përmendur më sipër.

 “Ata, -shkruan Ramiz Alia për kinezët, -kishin aritmetikën e tyre për të matur vlerat e një personaliteti. Kështu, sipas tyre, Stalini kishte pasur 8 të mira dhe 2 të këqia dhe nga kjo del se ai mbetet marksist i madh. Kuptohet që delegacionit tonë qëndrimi i kinezëve ndaj Stalinit i pëlqente . Të dy palët e çmonin Stalinin si udhëheqës të madh dhe nuk ishin dakord me raportin sekret të Hrushovit. ”(faqe 248)

 Por Enver Hoxha dinte gjithashtu, që, në Kinë nuk kishte asnjë institucion, as një fabrikë asnjë uzinë, asnjë shkollë që të mbante emrin e Stalinit, kur në Shqipëri ndodhte e kundërta, aq sa emrin e tij e mbante edhe një qytet!Dhe kjo sepse kinezët si marksist-leninistin më të madh të ditëve tona mbanin Mao Ce Dunin!

 Sa për faktin tjetër që: “Mao Ce Duni pohon vetë se numri i të vrarëve gjatë periudhës 1949-1952, i kalon të 2 milionë të vetët”, (Maurice Meisner, “Mao Tse Dun’s China and after”n -“Kina pas Mao Ce Dunit”, 1999, faqe 72, sipas burimeve të internetit, në anglisht), kjo nuk bënte aspak përshtypje Enver Hoxhës, sepse ai ishte mësuar të vriste dhe do të vriste sa të mundte, sipas “mësimeve” të usta Stalinit.

 Megjithatë, pas vitit 1961 Kina u bë aleatja më e madhe e Shqipërisë, aq më tepër që qeveria jonë luajti rol parësor që ajo të pranohej anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 Kundërtitë e para me udhëheqësit kinezë…

 Mirëpo gjatë vizitës së tretë më 1962, siç shkruan Ramiz Alia, “…u duk qartë se ndryshimet në pikëpamjet tona për disa çështje politike, të cilat i kishim konstatuar gjatë punimeve të komisionit përgatitor dhe më pas gjatë zhvillimit të mbledhjes së 81 partive, vazhdonin të ishin ende prezente”. (faqe 249)

  Dhe atëherë Enver Hoxha, që ashtu si Mao Ce Duni, ose Hrushovi pretendonte të mbante në kokë kurorën e “ideologut më të madh të komunizmit botëror”, zuri të na “kërrente” veprën e tij “madhore” “Shënime për Kinën”, në dy vëllime, (1962-1972 dhe 1972-1977, që u botuan më 1979), të cilat”…përbëjnë një analizë të thellë marksiste-leniniste të çështjeve politike dhe ideologjike të viteve 1962-1977, ku: “…duke ndjekur hap pas hapi për vite të tëra faktet, dukuritë dhe ngjarjet e ndodhura në Kinë, duke zbuluar thelbin e tyre dhe duke nxjerrë konkluzionet përkatëse, shoku Enver Hoxha në këtë vepër demaskon përmbajtjen antimarksiste të pikëpamjeve synimeve dhe veprimeve të udhëheqësve kinezë, tregon se… “maocedunideja” nuk ka asgjë të përbashkët me marksizëm-leninzmin”.  (Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, botimi i parë, faqe 1007, 1985)

 Sa i paçiltër, sa hipokrit, sa sharlatan, tregohet Enver Hoxha! Në një kohë që “milte lopën gjigante kineze”, në një kohë që pa ndihmën e saj do të përfundonte, ashtu siç e përshkruan Ramiz Alia gjendjen e Shqipërinë pas prishjes me Kinën: “Gjithnjë e më shpesh mungonin në treg edhe gjërat më të nevojshme ushqimore, si qumështi, vezët, ndërsa mishi filloi të shpërndahej me tollon. Për pasojë, jo vetëm që nuk u pakësuan, por filluan të shtoheshin radhët përpara dyqaneve, gjë që sillte rritjen e pakënaqësive te njerëzit, ”(“Jeta ime”, faqe285).

Ky diktator, doemos pas tij edhe tërë makina propagandistike, shtypi, RTVSH-ja, ndërkohë i ngrinin himne miqësisë së pathyeshme shqiptaro-kineze, farkëtuar nga dy korifenjtë e marksizëm-leninizmit, për të cilët nga ndonjë bejtexhi u thurën vargjet: “Dy luanë ka sot bota, /Një Kina dhe një Evropa” ose: “Enver Hoxha dhe Mao Ce Duni, / Janë të dy të një brumi”.

 Kundërtitë e para me Kinën, sipas Ramiz Alisë, nisën që më 1962, kur ai dhe Hysni Kapo vizituan Kinën dhe kur gjatë takimeve që patën me kinezët, këta , shprehën mendimin se duhej mbahej një mbledhje tjetër si ajo e vitit 1960, si synim arritjen e një marrëveshje të përbashkët që t’i jepte fund polemikës publike që kishte filluar dhe ndërhyrjes dhe veprimeve përçarëse të kujtdo në punët e brendshme të partive motra dhe të vendeve të kampit socialist”, (“Jeta ime”, faqe 250, 51), që u kundërshtua nga pala shqiptare, “…sepse një mbledhje e tillë për bashkim nuk do të kishte vlerë, nëse më parë nuk dënoheshin shkaqet që çuan sovjetikët dhe aleatët e tyre në ato veprime të gabuara, siç ishte rasti i prerjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. ” (Po aty)

  Sipas Ramiz Alisë, Cu En Lai gjithashtu, nguli këmbë dhe madje nisi të ushtronte presione,  duke thënë se “…kinezët po ndeshnin vështirësi të mëdha për të kontraktuar diku në Francë apo Itali uzinën e plehrave azotike që po ndërtohej në Fier. Me fjalë të tjera, ai na thoshte :zgjidhni e merrni, mbledhjen apo uzinën!?(po aty). Por ishte Mao Ce Duni që i dha fund kësaj historie duke thënë: “Mos u bëni merak se asnjë mbledhje nuk do të bëhet”. (po aty)

Ramiz Alia për Revolucionin Kulturor në Kinë, (1967)

Kjo lëvizje masive anarkiste që me urdhër të Mao Ce Dunit përfshiu Kinën në gjysmën e dytë të viteve ‘60’të të shekullit të kaluar, nuk mund të kalonte pa u reflektuar edhe nga udhëheqja shqiptare. Ndaj në librin e tij “Jeta ime” edhe Ramiz Alia ndalet në zhvillimet e skajshme të ashtuquajturin Revolucion Kulturor Kinez, ku, siç thekson ai: “…iu nënshtrua një kritike nihiliste kultura perëndimore”, ku: “…hidheshin poshtë Bet’hoveni e Shekspiri, mohoheshin Ajnshtajni dhe Rembrandi…”, ku: “…të frymëzuar nga idetë e Mao Ce Dunit e gjithë kultura, e gjithë filozofia,  e gjithë shkenca, përmblidheshin në “Citatet e Mao Ce Dunit”, ku: “Brenda në Kinë miliona kuadro dhe qytetarë iu nënshtruan një persekutimi të paparë… që rriheshin e poshtëroheshin, duke filluar nga që nga ish-Presidenti i Republikës së Kinës, Liu Shao Ci, apo Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Ten Siao Pin, që më vonë, pas këtij revolucioni famëkeq, u rehabilitua dhe u bë udhëheqës i shquar i Kinës pas vdekjes së Mao Ce Dunit”. (faqe 252). (Ai duhej të shtonte se si pasojat e këtij të ashtuquajturi revolucion sollën edhe shfarosjen e rreth 700 mijë njerëzve krejt pafajshëm dhe qarkullimin e mbi 4 milionë të rinjve dhe intelektualëve,  për të punuar në ushte çnjerëzore “gju më gju” me fshatarët në komunat popullore.)

Kështu shkruan më 2010 Ramiz Alia, kurse në vitet kur kjo murtajë shpërtheu dhe pati pasoja shumë të rënda në Kinë, vetë udhëheqësit shqiptarë me Enver Hoxhën në krye “…ndonëse”, në fakt nuk ishte dakord me veprimet ekstreme të gardistëve të kuq, me dënimet dhe vrasjet e mijëra e mijëra kuadrove dhe komunistëve kinezë, të akuzuar si “revizionistë”, a “borgjezë” e  “mbështetën atë”…  Por këtë mendim nuk ua thamë asnjëherë shokëve kinezë, duke e quajtur “revolucionin kulturor punë të brendshme të tyre. Por edhe për të mos krijuar incidente që nuk na duheshin”. (faqe 253)

 Qëndrim aspak “parimor” i Enver Hoxhës dhe klanit të tij! Atëherë, përse nuk e quajti “punë të brendshme” të qeverisë sovjetike afrimin e saj me Jugosllavinë, që u miratua gjithashtu edhe nga qeveritë e vendeve të tjera mike,  duke e cilësuar të gabuar vendimin e Stalinit që e kishte përzënë atë nga kampi socialist komunist dhe duke e cilësuar Titon marksist, siç e kemi parë më sipër në këtë dosjer?Apo të afrimit të Kinës me Amerikën, siç do të shohim më poshtë?

 Më kujtohen shumë mirë artikujt entuziastë që botoheshin në shtypin tonë në përkrahje të kësaj murtaje të kuqe dhe habiteshim me këto që ndodhnin në Kinë. “E çuditshme!”, -mendonim dhe shtonim: “Përse Enver Hoxha kritikonte ashpër “bashkekzistencën paqësore” që kërkonte Hrushovi, të cilën e quante përulje ndaj imperializmit ndërkombëtar dhe në dëm të lëvizjeve nacional-çlirimtare të popujve të shtypur, kur gardistët e Maos shtypnin dhe vritnin bashkatdhetarët e tyre?”

 Pastaj, çdo të thotë pastaj shprehja e mësipërme e Ramiz Alisë “…për të mos krijuar incidente që nuk na duheshin?” Mos ndoshta se Enver Hoxha gjykonte: “Po të ndërhyjmë ne, Kina do të na ndërpresë ndihmat, ashtu siç vepruan me ne sovjetikët?!”

  “Megjithatë, ky revolucion nuk kaloi pa lënë gjurmët e tij edhe në Shqipëri, -detyrohet të pohojë më poshtë Ramiz Alia në veprën e tij “Jeta ime”. -Nën ndikimin e tij pikërisht në mesin e viteve ‘70-të edhe në vendin tonë filloi lëvizja për “Revolucionarizmin e partisë dhe gjithë jetës së vendit”, natyrisht “jo sipas stilit kinez.” (faqe 254) Ja pasojat e Revolucionit Kulturor Kinez në Shqipëri!   Përkundrazi, në shumë aspekte krejtësisht sipas stilit kinez, madje jo në mesin e viteve ‘70-të, por në gjysmën e dytë të viteve ‘60. Madje, Ramiz Alia e pohon vetë se “lufta kundër burokratizmit, nxitja e kritikës së hapur publike ndaj veprimeve të gabuara të kuadrove, apo organeve të ndryshme, …ishin imitimi i praktikave kineze. “Fletërrufetë” ishin kopje e “dacibaove” kineze. (faqe 254-55).

Më pas ai vazhdon: “…U hoqën gradat për oficerët. Tashmë shenja dalluese do të ishte ndonjë kuadrat ose trekëndësh i kuq në jakën e xhaketës së oficerit, e cila tregonte nivelin e repartit që komandonte…Ishte qartë që në këtë drejtim u zbatua përvoja kineze.” (faqe 257)

Pastaj, a nuk ishte ashtuquajturi “qarkullim i kuadrit” metodë kineze, sipas të cilit “kuadrot e niveleve të qendrës të shkonin dhe të punonin në rreth e në bazë për një kohë të caktuar…”, po ashtu si dhe shkrimtarët dhe artistët “…që të njiheshin me ambientet e punës dhe të jetës së punëtorëve e të fshatarëve, në mënyrë që në veprat e tyre të paraqitej realisht jeta dhe puna e njerëzve.” (faqe 266)

 Për cilën jetë ose punë bëhet fjalë? Për jetën dhe punën e shqiptarëve që po përkeqësoheshin çdo ditë e më shumë, aq më tepër nën trysninë Sigurimit të Shtetit?Po sikur ta paraqitnin atë ashtu siç ishte, krijuesit do të përfundonin në birucat e këtij Sigurimi, siç përfunduan më 1973 pas Plenumit të IV të KQ-së të PPSH-së dhe më pas shumë krijues qoftë edhe për ndonjë ndikim të quajtur nga Enver Hoxha borgjezo-revizionist, aq më tepër siç vë në dukje ai: “Lëvizja për revolucionarizim solli që të likuidohej Ministria e Drejtësisë dhe instituti i avokaturës,  me justifikimin se zbatimi i drejtësisë kryhet nga të gjitha institucionet shtetërore, ndërsa mbrojtjen e të akuzuarve e bën vetë shteti. Këto masa në fakt i dhanë pushtet të pakufizuar organeve të Sigurimit të Shtetit.” (faqe 256). Bash si në Kinë! Por Ramiz Alia “harron se përvoja kineze” u zbatua edhe në fusha të tjera, sidomos në art dhe letërsi. Në teatrot dramatike dhe në TOB u hoqën nga repertori veprat klasike, për t’u zëvendësuar me vepra kineze ose revolucionare, si baleti “Detashmenti i kuq i grave”. Po kështu, në kinema ose ekranin e TVSH-së mund të shihje kryesisht filma kinezë. Edhe bibliotekat u mbushën vetëm me vepra të shkrimtarëve revolucionarë, sidomos me tregimet për heroin popullor kinez, Lej Fen, që u futën në të gjitha programet e shkollave, nga ku u hoqën  autorët klasikë. Nën shembullin kinez, sipas të cilit letërsia shkruhet nga masat, nisën të botoheshin vepra të autorëve punëtorë, fshatarë, pa asnjë vlerë letrare. A nuk ishte kjo “kinezërizimi” i thuajse gjithçkaje në vendin tonë etj., etj.? (Vijon në numrat e ardhshëm)

SHKARKO APP