Berisha, Ramës: Largohu, mos dëgjo ata afër teje që duan të vjedhin

Ish-kryeministri Sali Berisha shprehet i vendosur në kërkesat kryesore të protestës për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Në ditën e 48 të protestës, Berisha jep një tjetër zgjidhje dhe datë për zgjedhje të lira e të ndershme. Ai thotë se nëse Rama është i lidhur ngushtë me karrigen e Kryeministrit, atëherë le të rrijë deri më 18 qershor. Pas kësaj date, Berisha propozon që të krijohet qeveria teknike dhe të kalohet në zgjedhje të lira e të ndershme.

“Në këto ditë protestë, qytetarët nuk i kanë lejuar vetes as shprehjen më të vogël të dhunës, të urrejtjes me dhunë, por në mënyrën më fisnikë, bënë gjithçka për të bindur dhe shqiptarin e fundit se po luftojnë për të, për fëmijët. Nuk po luftojnë për pushtet, privilegje, por për dinjitetin e tyre, për votën e lirë. Ftoj qytetarët të hyjnë në një dialog me shqiptarët e tjerë, ata që mbështetin kryesisht Ramën. E nëse ata u thonë përse doni t’ia ndërprisni mandatin, atëherë u thoni: Nëse Rama është i lidhur kaq shumë me atë karrige le të rrijë deri më 18 qershor, të firmosë largimin, e pastaj të krijojmë qeverinë teknike për zgjedhje të lira e të ndershme.

Rama, sot të kanë braktisur të gjithë. Të kanë braktisur edhe aleatët e tu. Jo se u pëlqen opozita, por kauza që ata kanë është e drejtë”, tha Berisha.

Ndërkohë, Berisha i sugjeron Ramës që të mos dëgjoj ata që e këshillojnë keq. “Mos dëgjo ata që të thonë rri dhe vetë, ata duan të vjedhin. Ik largohu”,- tha Berisha.

SHKARKO APP