Kisha Katolike përshëndet vendimin për mbylljen e basteve e kazinove

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama njoftoi mbylljen e të lojërave të fatit në zonat e banuara, arqipeshkiva metropolitane e Shkodrës e ka përshëndetur këtë vendim.

Me ane të një deklarate, arqipeshkvi imzot Angelo Massafara, nënvizon se vendimi i qeverisë është i mirëpritur nga Kisha Katolike Shqiptare.

Prononcim i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë për lojërat e fatit

Lojërat e fatit dhe bastet në Shqipëri janë kthyer në një gangrenë të vërtetë për shumë familje shqiptare. Kjo vështirëson edhe më shumë situatën tashmë të rënduar të një numri të madh familjesh të varfra. Janë të shumtë ata që kanë humbur gjithçka dhe kanë çuar familjet e tyre drejt një falimentimi ekonomik dhe moral. Prandaj deklarata e qeverisë për nxjerrjen jashtë ligjit të basteve dhe kazinove elektronike, është sigurisht e mirëpritur nga Kisha Katolike në Shqipëri. Në të kaluarën ne kemi organizuar, edhe në bashkëpunim me fetë e tjera, takime rreth këtij fenomeni shqetësues. Kujtojmë simpoziumin e organizuar në Shkodër vitin e kaluar me praninë e krerëve fetarë të atij qyteti dhe të autoriteteve civile, sikurse e ka përmendur edhe sot në deklaratën e tij Arqipeshkëvi i Shkodrës Imzot Angelo Massafra.

“Lojërat e fatit bëhen moralisht të papranueshme, kur e lënë personin pa atë që është e nevojshme për të përballuar nevojat vetjake dhe të tjetrit. Pasioni për lojën rrezikon të bëhet një skllavëri e rëndë”  shprehet katekizmi i Kishës Katolike në nr 2413.

Por gjithashtu ne jemi të vetëdijshëm se e vetme kjo nismë është e pamjaftueshme nëse nuk bëhen përpjekje për përballjen me dukurinë e ludopatisë, nëpërmjet hapjes së qendrave dhe klinikave të specializuara ku trajtohen personat e përfshirë në këtë lloj vartësie e cila tashmë klasifikohet si një sëmundje nga OBSH. Gjithashtu bëhet urgjent dhe i nevojshëm evidentimi i situatave të rënda familjare dhe krijimi i programeve mbështetëse për rimëkëmbjen ekonomike të këtyre familjeve nga ana e shtetit dhe e strukturave të tjera.

Ne ofrojmë mbështetjen dhe ndihmën tonë që ky problem të gjejë një zgjidhje sa më afatgjatë dhe integrale dhe urojmë të mos jetë thjesht një retorikë politike.

Nga Selia e Konferencës Ipeshkvore te Shqipërisë

Tiranë, 11 tetor 2018

Mons. Gjergj Meta                                                                      Mons. Gerorge Frendo

Sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore                       President i Konferencës Ipeshkvore

 

SHKARKO APP