Rrahman Parllaku: Pse duhen hequr dekoratat dhe titujt për Enver Hoxhën

Gjenerali që luftoi fashizmin dhe sfidoi komunizmin, kërkesë zyrtare Kuvendit për dënimin e figurës së ish-diktatorit

Kryetari i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, Rrahman Parllku, kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë heqjen e titujve dhe dekoratave për ish-diktatorin Hoxha. Një nga emrat më të njohur të Luftës Antifashiste, shprehet se Parlamenti duhet të miratojë një ligj për të hequr gjithë vlerësimet për diktatorin. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Parllaku shprehet se ky do të ishte hapi i parë dhe real i dekomunistizimit. Ai thotë se në listën e heqjes së dekoratave duhet të jenë dhe persona të tjerë që kanë kryer krime. Por simbolika e Enver Hoxhës është më e dukshme sipas tij dhe një hap i tillë duhet të ishte bërë që më parë. Në emër të shoqatës, ai i ka dërguar kreut të Kuvendit një shkresë zyrtare ku shprehet se përveç urdhrave të shumtë që Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka akorduar Enver Hoxhës, zyrtarisht ai mban dekoratën "Hero i Popullit", dekoratën "Hero i Punës Socialiste", "Ylli Partizan" nga Jugosllavia, "Heroi i Popujve të Jugosllavisë" në vitin 1946, si dhe "Suvorov", që u ishte dhënë gjithë udhëheqësve të vendeve të Aleancës Antifashiste të Luftës së II Botërore. Sipas tij, është detyrë e Kuvendit dhe partive për të mbajtur një qëndrim zyrtar.  

Z. Parllaku, keni bërë një kërkesë për heqjen e dekoratave të ish-diktatorit Hoxha. Një pjesë e dekoratave janë dhënë për merita gjatë luftës si komandant…

Së pari, dua të them se nuk di se ku është thënë që komandant i luftës ka qenë Enver Hoxha. Komandant nuk ka qenë Enveri, komandant ka qenë Spiro Mosisu. Luftën e ka drejtuar Spiro Mosiu dhe Dali Ndreu. Ka fakte për ketë, por unë nuk dua të merrem me këtë çështje. Unë nuk dua të them çfarë ka bërë apo s’ka bërë gjatë luftës Enveri. Ku ka qenë gjatë Operacionit të Dimrit? Ku del si drejtues operacionesh? Cilin repart ka drejtuar ai vetë. Unë nuk dua t’i hyj kësaj pune. Unë po flas për krimet që ka bërë diktatura dhe për këto duhet t’i hiqen medaljet. Ne si njerëz që morëm pjesë në Luftën Antifashiste tre detyra patëm. Të çlironim, të sillnim bollëk dhe mirëqenie ekonomike dhe të kishim një vend të hapur. Çfarë erdhi pas luftës, sollëm dikaturën, në vend të bollëkut sollëm fukarallëkun dhe e izoluam vendin. Për këto, duhet dënuar dikatura.

Përse duhen hequr dekoratat?

Sepse diktatura është përgjegjëse për krimet e bëra gjatë 45 viteve. Diktatura ka dënuar fëmijë të palindur, në barkun e nënës. Ka dënuar gjithë fëmijët e të dënuarve. Është dënuar një mori njerëzish të pafajshëm pa pasur asnjë bazë ligjore. Kjo diktaturë nuk mund të harrohet kështu. Janë gjithë ato krime që janë kryer në emër të një diktature dhe personi i parë përgjegjës është Enver Hoxha. Ka shumë të tjerë që kanë faj. Edhe unë duhet t’i kërkojë falje popullit, pasi në njëfarë mënyrë dhe unë ndihmova që të vinte kjo dikaturë, për kohën që ishte pjesë e strukturave shtetërore. Unë vetë nuk e pranova faljen që u bë në vitin ’91, por e kërkova të drejtën time me gjyq. Gjyqi verifikoi se gjithë procesi ndaj meje dhe të tjerëve ishte i inskenuar dhe kështu u morën shumë njerëz më qafë. U vranë dhe u ekzekutuan. A nuk ishin krime këto? Por nuk janë të vetmet, janë me mijëra. E kam thënë edhe më parë, nëse do t’u referohemi shifrave zyrtare që ruhen në Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë rezultojnë këto të dhëna: Të ekzekutuar 6.023 persona; të vdekur në burg 1.065 persona; të burgosur 17.300 persona; të sëmurë mendorë 260 persona; të internuar deri në vitin 1954 – 22.000 persona si dhe të vdekur në internim 9.000 persona. Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijve të internuar nën 14 vjeç, si edhe ata që janë internuar pas vitit 1954 dhe që nuk janë përfshirë në këto lista, atëherë rezulton se numri i përgjithshëm i atyre që kanë pësuar direkt persekutimin, i kalon të 100.000 personat. Brenda këtij bilanci tragjik, është edhe eliminimi, burgosja e internimi i elitës politike, ku bëjnë pjesë edhe themelues e drejtues aktualë të organizatës sonë, si i figurave politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane e ministra, siç ishin: Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçami, Maqo Çomo, Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Muhamet Prodani (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), gjeneral-majorët Nexhip Vinçani dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja (Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani) e disa të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.

Kërkesa juaj, a nuk duket si hakmarrje?

Kjo nuk është hakmarrje. Po të ishin hakmarrë ata që kanë vuajtur, fëmijët e Enver Hoxhës do të ishin zhdukur me kohë. Çfarë hakmarrje? Ne nuk po kërkojmë këtë. Po kërkojmë që të dënohet diktatura. Nuk mund të mos dënohet diktatura, duke mos dënuar kreun e diktaturës. Gjithë luftëtarët që drejtuan luftën, u pushkatuan. Të gjithë njerëzit që dhanë kontribut edhe u pushkatuan, edhe u dënuan. Unë kur flas flas jo për hakmarrje, nuk paguajnë fëmjët për hakmarrje. Nuk dënohen, por ama edhe nuk nderohen.

Ka shumë raste si këto, domethënë kur fëmijët e personave që kanë kryer krime janë në poste drejtuese?

Nuk merrem me këtë, po flas në parim. Unë them se jemi të vonuar në këto masa. Unë jam liruar në 17 mars 1991 dhe kam 24 vjet i liruar. Këto hapa duhet të ishin bërë që në ditën e parë. Tani është vonë. Mua nuk më interesojnë partitë. Nuk hyj në punët e partive. Unë i respektoj që kanë detyrat e tyre. Unë flas për shtetin dhe shteti duhet të veprojë. I takon parlamentit të vendosë. I vdekuri nuk dënohet, por parlamenti duhet të marrë një vendim, ta quaj kriminel dhe të pastrohet. Parlamenti e ka detyrën kryesore. Edhe partitë.

Veç Enver Hoxhës, ka emra të tjerë që u duhen hequr dekoratat?

Me këtë le të merren ata që i kanë hyrë kësaj pune. Ka secili pjesën e vet. Unë nuk bëj ndarje të hesapeve. Unë nuk e bëj këtë. Përgjegjësi nuk ka pasur një njeri, kanë pasur edhe të tjerët. Unë thashë që kam edhe vetë përgjegjësi, jo për luftën, për atë jam krenar. Por edhe unë kam përgjegjësi për atë që bënë. Jam i zhgënjyer që një masë e tillë nuk është marrë më parë. E bej publike dhe besoj se do të ketë mbështetje nga të gjithë që këto masa të merren.

Ju ia keni dërguar kërkesën kreut të Kuvendit. Por në koalicionin qeverisës sot ka dhe parti që akoma e cilësojnë Hoxhën si hero. Mendoni se do ta pranojë kërkesën tuaj Kuvendi?

Unë nuk pyes a e mbani Enverin në shtëpi. Unë nuk dua ta shoh Enverin në mënyrë zyrtare të nderuar dhe vlerësuar nga shteti im. Unë këtë nuk mund ta pranoj.

 

 

Kush është Rrahman Parllaku

Ka lindur më 17 prill 1919 në fshatin Novoselë-Kukës. Ka mbaruar Akademinë e Lartë të Ushtrisë në ish-Bashkimin Sovjetik. Ka shërbyer për 30 vjet në ushtri ku ka kryer funksione të ndryshme si: tre vjet zëvendës-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë; 11 vjet zv/ministër i Mbrojtjes, etj. Është dënuar nga diktatura komuniste me akuzën e sajuar si pjesëtar i të ashtuquajturit “grup puçist në ushtri” dhe ka kryer 17 vite burg politik. Në moshë të re, Rrahman Parllaku i bashkohet Lëvizjes rinore anti-fashiste të qytetit të Vlorës, meqë bashkë me të atin dhe të vëllanë për shkaqe ekonomike ishin vendosur në Selenicë të Vlorës dhe më 1939-n në qytetin e Vlorës. Në 6 janar 1943, caktohet komandant i njësive guerile të qytetit të Vlorës dhe në fillim të vitit 1944 emërohet zv/komisar i Brigadës 8-të të Gjirokastrës. Ka marrë pjesë aktive në LANÇ; bashkë me brigadën e III-të kalon në Kosovë, ku pas çlirimit të Pejës me 17 nëntor 1944 emërohet komandant i Divizionit. Më 1946-ën, emërohet drejtor personeli në ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa në vitin 1947 gradohet me gradën kolonel. Në dhjetor 1947, emërohet drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë deri në prill 1948, kur u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik, ku i mbaroi studimet e larta ushtarake pranë Akademisë së përgjithshme të ushtrisë sovjetike “K.E.Voroshillov”. Me t’u kthyer në atdhe, emërohet drejtor i drejtorisë për organizim-mobilizim në Ministrinë e Mbrojtjes për periudhën 1951-52, në vitet 1952-54 ishte zv/ministër dhe drejtor i prapavijave të Ushtrisë. Nga viti 1954-1961 ishte zv/ministër i Mbrojtjes për përgatitjen luftarake të Ushtrisë. Në vitet 1961-1967 ishte komandant i forcave Ushtrako-detare; më 1967-1969, komisar i forcave ushtarako-detare; 1969-1970 ishte komisar i forcave ushtarako-Ajrore. Nga 1970-71, emërohet zv/ministër i Mbrojtjes për përgatitje luftarake; nga 1971-74 ishte zv/shef  i Shtabit përgjithshëm të Ushtrisë. Gradën Gjeneral-Major e merr në vitin 1952 dhe atë të Gjeneral-Lejtnantit në vitin 1964. Për merita të veçanta në luftë i është dhënë titulli i lartë “Hero i Popullit”. Është dekoruar me 9 urdhra dhe 3 medalje të luftës si edhe me tre urdhra të shërbimit ushtarak për kontributin e dhënë në ngritjen e gadishmërisë luftarake të ushtrisë. Ishte deputet i Kuvendit Popullor në 7 legjislatura, nga viti 1945-1973; ishte kandidat i KQ të PKSH-së dhe nga tetori 1944, anëtar i KQ të kësaj partie. Në vitin 1974, burgoset nga diktatura komuniste me akuzën për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “Puç ushtarak për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut, të sabotimit dhe agjitacionit e propagandës me rrezikshmëri të lartë”. Në bazë të këtyre akuzave është dënuar me 25 vjet heqje lirie, nga të cilat i ka vuajtur 16 vjet e tre muaj në burgun e Burrelit (16 dhjetor 1974-17 mars 1991), si pjesëtar në të ashtuquajturin ‘grup të Beqir Ballukut’.

Pas daljes nga burgu, iu drejtua Gjykatës së Lartë, me kërkesën për pafajësi dhe ndoshta është nga të vetmit ish-të burgosur politikë të diktaturës që mori pafajësinë. Qëkur u lirua, gjendet në pension dhe merret me veprimtari shoqëroro-politike.  Aktualisht është kryetar i (OBVL) Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës të Popullit Shqiptar. Në prill të këtij vitit, me rastin e 95-vjetorit të ditëlindjes, u dekorua nga Presidenti Nishanit, me urdhrin “Nderi i Kombit”.

SHKARKO APP