Drejtuesi i KMD-së, Robert Gajda: 265 ankesa dhe 13 gjoba në 2024-ën, problem gjuha diskriminuese në media

Gjatë vitit 2024, pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi janë regjistruar 265 ankesa, ndërsa janë marrë 13 vendime me gjobë, nga të cilat pesë vendime për mosdhënie të informacionit të kërkuar nga Komisioneri sa i përket shqyrtimit të çështjeve në proces dhe tetë gjoba për shkak të moszbatimit të vendimeve në të cilat është konstatuar diskriminim.

Në një intervistë për ATSH-në, drejtuesi i KMD-së, Robert Gajda thotë se 125 prej këtyre masave janë regjistruar nga subjekte ankues burra, 90 nga subjekte ankues gra, 25 nga OJF-të dhe 25 nga grupe personash.

“Veprimtaria e institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi shtrihet në fushën e punësimit, e arsimit dhe fushën e të mirave dhe shërbimeve. Referuar çështjeve të regjistruara gjatë vitit 2024 (265 ankesa dhe 3 çështje ex-officio), rezulton se: në 54 raste ankesat janë drejtuar në fushën e arsimit; në 89 raste ankesat janë drejtuar në fushën e punësimit dhe në 123 raste ankesat janë drejtuar në fushën e të mirave dhe shërbimeve”, pohon Gajda.

Sipas drejtuesit të Komisonerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, vihet re se ankesat në fushën e të mirave dhe shërbimeve, zënë pjesën më të madhe të numrit total të ankesave të regjistruara.

Sipas Gajdas, problematikat kryesore lidhen me “mosofrimin e shërbimeve nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore apo institucione të tjera private, përdorimi në media i shprehjeve diskriminuese nga persona që bëjnë pjesë në jetën publike të vendit, për të etiketuar persona të pakicave rome dhe atyre egjiptiane, anëtarëve të komunitetit LGBTI apo anëtarëve të komuniteteve fetare në vend”.

“Vonesat në procesin e legalizimit të banesave të anëtarëve të pakicave rome dhe egjiptiane, mungesa e një strehimi të përshtatshëm nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarë të pakicave rome dhe egjiptiane, mosgarantimi i aksesueshmërisë të objekteve publike apo private për PAK, mosgarantimi i aksesueshmërisë lidhur me përcaktimin e vendeve të parkimit për PAK, mosgarantimi i aksesueshmërisë në infrastrukturë rrugore, përfitimi i shërbimit të transportit publik sipas tarifave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi janë tjetë anë e medaljes e problematikave dominuese për çështjet që trajton Komisionieri për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, thotë ai.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi thotë se “gjatë 2025-ës, masat dhe aktivitetet që do ndërmarrë institucioni janë të shumta dhe të gjithanshme, por në fokus më të veçantë do të jenë fëmijët, zonat rurale, personat më aftësi të kufizuar, personat e pamundur ekonomikisht, gjuha e urrejtjes dhe informimi dhe ndërgjegjësimi i përhershëm i shoqërisë dhe organeve publike mbi pasojat negative të diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes”.

Një vëmendje të shtuar këtë vit, do të marrë edhe jeta politike, sidomos prag fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit 2025.

Thirrja që drejtuesi i Komisionit për Mbrojtjen e Diskriminimit ka për partitë politike dhe kandidatët lidhet me aktivizimin e tyre politik që të fokusohet tek programet, kritikat, diskutimet apo debatet, por duke shmangur gjuhën e dhunshme, të papërshtatshme apo paragjykuese pasi jo vetëm që krijon një klimë negative, por mund të tejkalojë edhe kufijtë e lirisë së fjalës dhe mund të kthehet në gjuhë urrejtje duke prekur edhe grupe shoqërore që rezultojnë sistematikisht të diskriminuar si romët, Egjiptianët, personat me aftësi të kufizuar, gratë dhe vajzat, personat LGBTI, por edhe minoritetet etnike dhe minoranca tjera shoqërore.

/a.f/ATSH

SHKARKO APP