
Gjermania ka mbyllur në mënyrën më të mirë fazën e grupeve në Ligën e Kombeve, duke triumfuar me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Holandës në “Olympiastadion” të Berlinit. Një mbrëmje fantastike për skuadrën gjermane, ku protagonist i veçantë ishte edhe Brajan Gruda, i cili la gjurmën e tij me një gol dhe një asist.
Pas një pjese të parë relativisht të ekuilibruar, Gjermania kaloi në avantazh në minutën e 41-të. Derry Scherhant realizoi me një goditje të bukur me të majtën, duke shënuar golin e tij të parë me fanellën e kombëtares.
Në pjesën e dytë, vendasit morën plotësisht kontrollin e ndeshjes. Florian Wirtz dyfishoi shifrat në minutën e 60-të me një goditje spektakolare nga distanca, ndërsa pesë minuta më vonë Nico Schlotterbeck realizoi golin e tretë me kokë, pas një krosimi të saktë nga Brajan Gruda.
Talenti shqiptar vazhdoi të ishte vendimtar edhe në minutën e 71-të, kur dhuroi një asist fantastik për Florian Wirtz, i cili kompletoi dopietën personale dhe çoi rezultatin në 4-0.
Në minutën e 78-të erdhi momenti që Gruda të festonte edhe vetë. Futbollisti ofensiv përfitoi nga dominimi gjerman dhe vulosi fitoren e thellë 5-0.
Me këtë sukses, Gjermania e mbyll grupin me 11 pikë, në vendin e parë falë rezultateve në ndeshjet direkte. Holanda renditet e dyta dhe të dyja kombëtaret sigurojnë kualifikimin në çerekfinale. Gruda ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë 3 asiste në dy ndeshje.
