20 vjet nga sulmet e 11 shtatorit, Nikolla: Të bëhemi bashkë në emër të paqes e lirisë
Nga Lindita Nikolla, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Si sot, 20 vjet më parë, bota mbajti frymën. Terroristët ndërmorën një akt lufte ndaj Shteteve të Bashkuara. Nën rrënojat e kullave binjake ishin trupat e njerëzve nga mbi gjashtëdhjetë kombe. Një simbolikë e dhimbshme, por e fortë, për bashkimin e gjithë botës kundër një armiku që sulmonte edhe përmes grave e fëmijëve. Miliarda zemra u plagosën, anembanë globit.
11 shtatori na bëri të gjithë të ndjehemi amerikanë. Të gjithë e mbajmë mend mirë ku ndodheshim dhe çfarë bënim në 11 shtator 2001. Ngjarje si kjo ndryshojnë historinë. Por sulmi ndaj simbolit madhështor të lirisë, qendrës së qytetërimit perëndimor, referencës më të rëndësishme të demokracisë dhe investueses më të madhe për paqen, nuk e ndryshoi dot historinë. Amerika nuk u nda, u bashkua. Bota nuk u tremb, u solidarizua. Bijtë e Amerikës dhe të kombeve paqedashës shkuan në luftë, jo për hakmarrje, por për paqe, që nënat anembanë botës të mos humbasin bijtë e tyre prej terroristëve.
Terrorizmin nuk e lidh asgjë me myslimanët dhe Islamin, këtë besim të paqes e dashurisë. Terroristët dhe eskstremistët e dhunshëm godasin njëlloj, myslimanët, të krishterët e këdo. Terrorizmi është një “pandemi”, kundër të cilës duhet të luftojmë të gjithë.
Ne, shqiptarët, jemi sot krenarë që u rreshtuam në krahun e duhur të historisë, në krahun e SHBA-së, mikut tonë më të madh, me bindjen se lufta kundër terrorrizmit, bazave e mbështetësve të tyre, është lufta për jetën. “Nëse shpëton një jetë, ke shpëtuar një botë”, shkruhet në librat e shenjtë. Shqipëria u bashkua në betejën e madhe anti-terror në Irak e Afganistan, përkrah koalicionit të madh ndërkombëtar, për t’i larguar botës frikën dhe për t’i kthyer qetësinë, sigurinë dhe paqen.
Shqipëria qëndron sot me krenari në krah të Shteteve të Bashkuara, duke u ofruar strehë e mbrojtje afganëve të kërcënuar me jetë nga rregjimi taleban. Unë shpresoj se gjithë bota do të bashkohet në këtë aksion të madh njerëzor.
Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë strategjik, aleati ynë i çmuar dhe i pazëvëndësueshëm. Stërvitja e suksesshme “Defender 21”, marrëveshja për koordinimin e teknologjisë G5, nënshkruar midis Kryeministrit Rama dhe Sekretarit të Shtetit Blinken, si dhe mbështetja për qytetarët afganë janë momente kuptimplotë të forcimit të këtij partneriteti.
11 shtatori i vitit 2001 nuk do të harrohet. Ai na bën bashkë edhe më shumë në emër të paqes dhe të lirisë.