“Bindja Demokratike”, Demalia: Lëvizje kllouneske
“Bindja Demokratike”, partia e krijuar sëfundmi nga grupi parlamentar i drejtuar nga Rudina Hajdari do të përfundojë si të gjitha partitë e tjera të vogla, nën mëngën e partive të mëdha.
Analisti Ilir Demalia, në një lidhje me skype për RTV Ora tha se këto janë lëvizje “kllouneske”, që sipas tij të kujtojnë pluralizmin e Ramiz Alisë.
Ilir Demalia: Unë mendoj që edhe media, edhe analistët po të kenë parasysh eksperiencën e post-komunizmit nuk duhet ti kushtojnë vëmendje dhe kohë dhe të harxhohet energji me këto parti dhe me Rudina Hajdarin, sepse vetë “Bindja Demokratike” që ka njoftuar Rudina Hajdari janë grupe kllouneske dhe lëvizje kllouneske që më kujtojnë pluralizmin e Ramiz Alisë që donte të bënte pluralizëm me Bashkimet Profesionale të Rita Markos apo me Bashkimet e Rinisë të Lisen Bashkurtit apo me Frontin Demokratik të Nexhmije Hoxhës dhe Kadaresë.
Edhe vetë eksperienca e këtij pluralizmi me partitë e dala nga gjakrat e Partisë së Punës ka treguar se përpos dy partive të mëdha dhe e vetmja parti që ka dalë nga këto parti dhe ka imponuar të jetë forcë ka qenë LSI.
Të tjerat, duke filluar në fillim me krijimin e partisë së parë që doli nga PD që ishte Gramoz Pashko, Arben Imami. Më pas me Partia e Re Demokratike e Genc Pollos etj. Ku kanë përfunduar? Kanë përfunduar ose kanë humbur fare ose kanë ngelur një autobus me anëtar dhe janë futur nën mëngën e partive të mëdha prap. Edhe PR dhe PSD që u krijuan në pluralizmin e 90 dhe ato ku përfunduan? PR është një mikrobus me anëtarë, nuk është në gjendje të nxjerrë një deputet me fuqinë e saj. Kurse PSD përfundoi te pazari i gjësë së gjallë dhe u shit nga akademiku Gjinushi, tek intelektuali Tom Doshi. Pra këto parti nuk nxjerrin asgjë.
Me daljen e opozitës nga parlamenti, e cila në anën formale nuk është demokratike, është precedent i rrallë, por ky precedent u imponua nga sjellja brutale, banale, injoruese i pozitës dhe kryeministrit Rama.