E gjithë vëmendja nga Presidenca, takimet që ka bërë Ilir Meta

I pari që mbërriti në Presidencë ishte Ilir Meta. Ora shënonte 5:00 e mëngjesit. Pak orë më vonë eskorta e kryeministrit Edi Rama do të kalonte pranë Presidencës, jo për takim me Ilir Metën, por për të çuar shefin e qeverisë për të kaluar disa momente çlodhjeje në një pishinë pranë një qendre sportive.

Në orën 9:00 në presidencë do të mbërrinte kreu i PD-së, Lulzim Basha. Rreth 25 minuta zgjati takimi Meta- Basha, e më pas Presidenti do të njoftonte në facebook, se kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë.

Më pas radhën e kishte Petrit Vasili nga LSI. Edhe në këtë rast mesazhi që shpërndau kreu i shtetit ishte i njëjtë. Në Presidencë u pa të futej edhe zonja Jutta Gutzkoë përfaqësuese e Këshillit të Europës, e cila një ditë më parë do të njoftonte anulimin e misionit vëzhgues për zgjedhjet.

Kryetarët e PR, LZHK, PDK, PBDNJ dhe PAA do ta kishin radhën për një takim me kreun e shtetit. Aleatët e PD-së kanë qenë të parët që kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale, edhe përpara se presidenti të nxirrte dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit.

Ftesa për bisedë iu dërgua nga presidenti edhe kryeministri Edi Rama, por ky i fundit e konsideroi një “lojë me letra”, duke theksuar se zgjedhjet lokale do të zhvillohen më 30 qershor.

SHKARKO APP