Basha: Raporti i OSBE nuk flet për zgjedhje, por për krim qeveritar

Pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR, kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për shtyp. Basha shprehet se raporti nuk flet për zgjedhje, por për një ngjarje kriminale dhe krim qeveritar.

“Raporti i OSBE/ODIHR e ka rrëzuar farsën e 30 qershorit në çdo aspekt. Raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i  pandershëm i dy dekadave të fundit. Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik, kemi një raport i cili  nuk flet thjesht për parregullsi teknike, apo shkelje, por për krime të  mirëfillta dhe veprime të qëllimshme antiligjore të të gjithë strukturës  elektorale në vend, dhe për një shkatërrim të qëllimshëm të të drejtës  së popullit për të zgjedhur”,- tha Basha.

Kreu i PD-së shtoi se “praktikisht ky është një dokument, i cili më shumë se raport zgjedhor ngjan me një raport për një ngjarje kriminale. Ky është raport që  realisht përmban prova dhe fakte për të filluar hetime kriminale ndaj  një sërë personash dhe institucionesh”.

Sipas kreut të PD, raporti tregon rrëzimin e gjithë parimeve të zgjedhjeve dhe shtetit të së drejtës. “Raporti tregon se në Shqipëri kushtetutë dhe ligj është vullneti personal i Edi Ramës,  Raporti tregon se në Shqipëri shteti është vetëm një vegël në shërbim të vullnetit personal të Edi Ramës.  Në autokracinë e Edi Ramës shteti është instrument privat i gjithi në shërbimin ekskluziv privat të Edi Ramës: Në shtetin privat të Edi Ramës datën e zgjedhjeve nuk e cakton Presidenti, sikurse ka vendosur Kushtetuta, por Edi Rama. Në shtetin privat të Edi Ramës kushtetueshmërinë e ligjeve nuk e gjykon Gjykata Kushtetuese por Partia Socialiste e Edi Ramës”,- tha Lulzim Basha.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP