Flet polici që denoncoi fisin Rrahja: Një pyetje kam për Ramën, kush është horri tani?!

Një vit nga denoncimi i tij për fisin Rraja, ish-oficeri i policisë së Emiljano Nuhu ka shprehur për Dosja.al qetësinë që ndjen kur lexon se Redjan Rraja ka rënë në prangat e policisë në lidhje me atentatin e bërë ndaj prokurorit Arjan ndoja.

Në një intervistë ekskluzive, Nuhu që një vit më parë nuk reshti se dënoncuari të arrestuarin dhe shumë anëtarë të tjerë të fisit Rraja për krime të ndryshme, tregon se ndihet i çliruar që e vërteta po shkon në vend.

Emiljano Nuhu shprehet se nuk ka dijeni lidhjen e gjakut mes Redian Rrajës dhe familjes së deputetit të PS-së Rrahman Rraja, por është mjaft i sigurtë se ata rrinë gjithmonë bashkë dhe kanë të njëjtin aktivitet kriminal. Madje ish-efektivi shkruan se ka pasur informacion se Redian Rraja është përfshirë edhe në vrasje me pagesë.

Ndër të tjera ish-nënkomisari Nuhu, i cili tashmë është në azil politik pas sulmeve nga qeveria që iu bënë një vit më parë, ka edhe një pyetje për kryministrin Edi Rama duke parë rrjedhshmërinë e ngjarjeve.

“Kush është horri në këtë mes, një nënkomisar që denoncon krimin duke sakrifikuar edhe familjen e tij, apo një kryeministër që mbështet dhe u rreh shpatullat grupeve kriminale,”- shprehet ai.

INTERVISTA E PLOTË

Sot, kur ka kaluar 1 vit nga denoncimi juaj për fisin Rraja, një nga anëtarët e kësaj familjeje, Redjan Rraja arrestohet nga Policia, pasi akuzohet si një nga autorët e atentatit ndaj prokurorit, si ndiheni ju që një pjesë e akuzës suaj tashmë provohet?

Unë Redjan Rrajën e denoncova një javë më parë për kërcënimet e bëra ndaj meje. Njëkohësisht i kam dërguar informacion të detajuar mbi rrezikshmërinë dhe aktivitetin e tij kriminal me e-mail zyrtar drejtorit të përgjithshëm të policisë, por nuk pati asnjë reagim. U desh të ndodhte një ngjarje e rëndë, atentat ndaj prokurorit në mënyrë që Rama të ngrejë duart lart dhe të mos mbrojë më këtë grup kriminal. Tani ndihem i çliruar që e vërteta po shkon në vend.

A keni një përgjigjie ju sot për kryeministrin Edi Rama që ju quajti një “horr”, “shpifës”, dhe se e gjithë akuza juaj për fisin Rraja u ngrit pasi ju kërkuat azil?

Unë kam një pyetje për Ramën; Kush është horri në këtë mes, një nënkomisar që denoncon krimin duke sakrifikuar edhe familjen e tij, apo një kryeministër që mbështet dhe u rreh shpatullat grupeve kriminale.

Ju denoncuat asokohe se më 30 korrik 2018, Redjan Rraja iu kontaktoi dhe më pas ju u takuat me të. Në prani të nipit tjetër Ramazanit, ai iu kërcënoi për të ndaluar hetimin e dosjes Xhisiela. Ndërkohë sot, deputeti Rrahman Rraja, thotë se nuk ka lidhje të afërta gjaku me të akuzuarin dhe se nuk i di as banesën. Nga ajo që ju dini, cilat kanë qenë marrëdhëniet e deputetit të PS me Redjan Rrajën dhe familjen e tij?

Unë nuk kam informacion se cila është lidhja e tyre e gjakut, se janë çuna tezje apo çuna daje, pak rëndësi ka kjo. Ajo që është e rëndësishme, është fakti se ata rrinë gjithmonë bashkë dhe kanë të njëjtin aktivitet kriminal.

Si një ish-polic i zonës së Krujës, cili ka qenë aktiviteti i Redjan Rrajës në dijeninë tuaj? Pas dënimit me 8 muaj burg dhe klinikës dentare, cili ka profili i tij për banorët e Krujës?

Aktiviteti i tij kriminal është i përqëndruar kryesisht në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kanabis. Unë kam pasur informacion për përfshirjen e këtij shtetasi edhe në vrasje me pagesë. Nëqoftëse aktiviteti i tij do ishte i lidhur me klinikë dentare, atëherë pse ai do të lëvizte me makinë të blinduar dhe me armë. Të gjithë personat e Fushë Krujës e njohin rrezikshmërinë e këtij personi dhe mbështetjen që ka nga politika.

Më 26 shtator 2018, ish-polici i komisariatit të Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu denoncoi se ishte kërcënuar me pistoletë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja.

Ai akuzoi vëllain e deputetit se i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan. Ndërkohë që përmend edhe emrin e Redjan Rrajës si njërin prej personave që e kërcënoi. Redjan Rraja, është sot pas hekurave, si një nga autorët e atentatit të 1 nëntorit ndaj prokurorit Arjan Ndoja.

Redjan Rraja, u arrestua nga Policia e Shtetit, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi. Ai akuzohet si një nga autorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja më 1 nëntor 2019. Rraja u zbulua nga ADN-ja e gjetur në makinën Benz ngjyrë gri, që u gjet e padjegur në Ishëm.

SHKARKO APP