Prokurori Arjan Ndoja: Ja pse i mbaj dosjet në makinë!

Të martën, Top Channel raportoi se në bagazhin e makinës ku ndodhej prokurori i Durrësit së bashku me nje person me rekorde kriminale, janë gjetur disa thasë me dokumente. Ndër këto dokumenta është gjetur edhe dosja e vjedhur nga kasaforta e Prokurorisë së Durrësit disa kohë me pare, si edhe dosja e gjykatësit të vrarë disa vite me pare, Skerdilajd Konomi!

Ndoja tha për A2 CNN se në bagazhin e makinës së tij ndodheshin disa shkresa, dokumente dhe fotokopje të dosjeve, për të cilat ai ka ofruar konsulencë ligjore.

“Unë prej kohësh drejtoj një studio ligjore, ku ofroj dhe konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ndër to janë disa çështje që lidhen me pronat, por edhe çështje penale për të cilat unë jam njohës dhe sugjerues. Shpresoj që prokuroria të tregohet objektive në hetim, pasi këto janë gjëra të ditura dhe unë nuk kam shkelur asnjë ligj apo të drejtë”, tha Ndoja.

I vënë nën akuza për bashkëpunim me grupe kriminale, Arjan Ndoja tha se kurrë nuk ka shpërdoruar detyrën dhe në asnjë rast nuk i ka shërbyer askujt për të përfituar: “Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar, ndryshe do të kisha marrë masa të mbrohem. Çdo gjë kisha pritur, vetëm këtë jo. Kisha menduar që mund të më çonin në prokurori, duke më ngritur akuza, por jo deri tek arma. Unë nuk i trembem askujt. Asgjë nuk kam bërë në kundërshtim me ligjin dhe nuk jam shoqëruar kurrë me kriminelë”.

Ndoja do të qëndrojë edhe për disa ditë në regjim spitalor. Ai ka dhënë dëshminë e tij, por grupi i prokurorëve tha se pas verifikimit të dokumentave që janë gjendur në makinën e tij do të ribëjnë një tjetër seancë pyetjesh për të verifikuar nëse në këtë rast prokurori Ndoja ka shpërdoruar detyrën.

SHKARKO APP