Luan Rama: Media që mbron kërbaçin në emër të demokracisë

(Botuar me 26 Qershor 1996 në KOHA JONE)

Nga Luan Rama, Paris-

Është e dyta herë që “bumerangu” televiziv i Presidentit Berisha përsëritet me të njëjtin skenar. Veçse me një dallim: nëse “pompa” televizive i la atij një shije të hidhët gjatë Referendumit për Kushtetutën e re në nëntor 1994, kur ai doli i mundur, kësaj radhe, me “fitoren absolute”  të një Parlamenti vetëm “demokratik”, nuk bëhet më fjalë për një shije të hidhur dhe paralajmërim. Gongu ka rënë dhe Evropa e zhgënjyer nga premtimet e panumërta dhe mashtrimet, e ka nxjerrë përjashta “politikanin” Berisha. Por çka ndodhur në realitet me “shoun” televiziv dhe marketingun politik e mediatik të zhvilluar e të menduar në selinë presidenciale? Berisha pati besim të patundur në manipulimin e opinionit publik së pari të atij kombëtar dhe pastaj ndërkombëtar. Tashmë me një drejtues të ri të RTV, me këshilltarë të shumtë shqiptarë e jo shqiptarë, me altoparlant të huaj nga e djathta besnike e Evropës, ai ndërtoi skenarin e një fushate elektorale, mediatizimi i së cilës i habiti televizionet e huaja të Evropës e veçanërisht të përtej Atlantikut. Përdorimi i koncerteve (një mediokritet i tepërt për politikanët modernë), dhënia e karakterit festiv, itineraret presidenciale “gju më gju me popullin”, bënë që “universi” televiziv të kthehet tejet spektakolar dhe në të kundërtën e synimeve fillestare, pra të kthehet në një “bumerang” duke sjellë një efekt të kundërt, çka tashmë është konstatuar edhe nga ai vetë. Tek njerëzit e thjeshtë e gjithë kjo solli kujtimet e brohorimat e një epoke totalitare. Presidenti tashmë besoj se e ka kuptuar se duke qenë vazhdimisht në ekranin televiziv, nga politikan i gradës “më të lartë” të shtetit shndërrohesh thjesht në një aktor dhe hyn në rregullat e shout dhe spektaklit televiziv. Madje ai ngjit dhe shkallët e skenave për t’u bërë popullor. Fjalimet bëhen banale dhe aktoreske, zëri i ikën, figura zverdhet dhe publiku s’ka më interes, bile të përqesh kur i shfaqesh “vend e pa vend dhe orë e pa orë”. Interesi kalon tek ata që shfaqen më pak në TV apo që shahen. Kështu, pretendimi se RTV përbënte “thembrën e Akilit” u shemb shumë shpejt. Këshilltarët mediatikë të Presidentit Berisha duhet ta dinë (ose ta mësojnë) se në botën demokratike mediat nuk janë monopol i pushtetit në fuqi. Në sistemet mediatike ka hapësirë dhe vend si për partinë në pushtet ashtu dhe për alternativat e tjera politike, deri dhe tek ultra të djathta apo të ekstremit të majtë. Miterani luftoi që në mediat televizive franceze të ishin të pranishëm edhe ekstremi i djathtë i Lepen, dhe ai i së majtës, i trockistes Arlette Laguiller. Gjithashtu pushteti i sotëm politik eksesiv shqiptar, duhet ta dijë se nuk ka të bëjë më me të njëjtin telespektator apo dëgjues si të para 5 vjetëve. Liria e komunikimit ka sjellë tek ai një evolucion të  ndjeshëm ndaj ekraneve dhe është e vështirë ta gënjesh kaq lehtë. Tashmë duhet të flasim për sociologji të sistemeve mediatike. Megjithatë duhet pranuar se televizioni si media ka fuqinë më të madhe të ndikimit mbi publikun e gjerë. Nëse ditën kur në sheshin “Skënderbej” bëhej manifestimi i opozitës dhe njerëzit, gazetarët e udhëheqësit e opozitës rriheshin në kërbaç dhe RTV Shqiptar transmetonte në mbrëmje se “sheshi Skënderbej është i qetë dhe qytetarët shëtisin”, ky fakt së pari tregon robërimin e plotë të RTV ndaj pushtetit politik në fuqi, dhe së dyti diletantizmin e tij. Telespektatori shqiptar, kudo qoftë, vetëm me një ndryshim stacioni mund të shihte në Euroneës një realitet krejt tjetër, çka e nxirrte jashtë loje televizionin tonë të “nderuar”. I njëjti paralel ndodhte me shtypin zyrtar dhe informacioneve krejt të kundërta, por të vërteta, që jepte shtypi i huaj.

Urgjenca e çlirimit të sistemeve mediatike

Statusi aktual i RTV dëshmon së pari për stadin aktual të zhvillimit të shoqërisë shqiptare në këtë tranzicion kaq të vështirë dhe të ngadalshëm drejt demokracisë. Së dyti tregon për nevojën urgjente e të domosdoshme të ndryshimit të këtij statusi dhe për zhvillimin e një debati të gjerë për statusin e tij juridik e profesional. Por bllokazhi në fakt qëndron në “principin” që e ka robëruar atë, për çka flasin gjithë gazetat e huaja dhe organizmat ndërkombëtare të shtypit. Protestat e intelektualëve shqiptarë dhe të organizmave të specializuara të medias, ra në vesh të shurdhët. Politologu i njohur amerikan Zbignjiev Brzezinski, duke analizuar zhvillime në vendet e Evropës Lindore, si vende në transformim e sipër në demokracinë pluraliste dhe të tregut të lirë përcakton shtetet si Polonia, Çekia, Hungaria, Letonia, Sllovenia, Estonia etj.  Pa mundur ta dinte se ç’do të ndodhte më 26 maj 1996, Brzezinski, e përcakton Shqipërinë si “një vend për të cilin ekziston perspektiva për këtë transformim”. Në këtë kuadër, në rrugën e gjatë drejt principeve demokratike, që të bëhen realitete disa premisa demokratike duhet së pari të çlirohen sistemet mediatike. Mund të thonë Berisha dhe këshilltarët e tij se shumë gazeta “lulëzojnë” e botohen në Shqipëri, madje dhe guxojnë të na shajnë hapur. Por kësaj duhet t’i shtohen edhe arrestimet, kërcënimet dhe burgimet e gazetarëve, të cilët luftojnë për një liri të informimit të publikut të gjerë dhe për të treguar të vërtetën. Në vendet e zhvilluara demokratike si në SHBA, Britani, Francë, Gjermani, Suedi etj., peizazhi elektoral si dhe ai i sistemeve mediatike flasin për alternancën në demokraci, pasi në zgjedhje, shifrat e fitimtarëve dhe të të mundurve nuk kanë shumë diferencë mes tyre. Zgjedhjet presidenciale në Francë ishin afro 52 me 48. Gjithashtu në demokracitë e mëdha televizioni luan një rol të madh komunikimi midis zgjedhësve dhe politikanëve, çka nuk e gjen në Televizionin Shqiptar. Në TV Shqiptar gjen vetëm pikëtakimin presidenturm, shoqëruar me “tam-tame”. Në televizionin shqiptar nuk ka debat mes forcave politike, nuk ka tryezë të rrumbullakët, nuk ka debat midis presidentëve për pushtet. Nuk i gjen këto pasi nuk ka një ligj të ri për statusin e tij, projektligj ky që ka ndenjur prej kohësh në sirtarët e drejtuesve të parlamentit të shkuar. A. Nivat, studiues i masmediave evropiane, thotë se në “vendet e Evropës Qendrore, prirjet totalitare tashmë janë të pamundura”. Por ja që ato janë të mundura në Shqipëri ku ka një televizion që mbron “kërbaçin” për mbrojtjen e “fitoreve të demokracisë”. Në Lindje sot flitet për “revolucionarizimin e mediave”, për ndryshime të karakterit radikal e irreversibël, për shpejtësinë e mahnitshme të këtyre ndryshimeve, ndërkohë që në Shqipëri nuk mund të flasësh për ndryshime të tilla. Pushteti politik shqiptar ka mbetur konservator në raport me shtypin dhe mediat, në një kohë që shoqëria e sotme shqiptare ka nevojë për një komunikim të lirë dhe për më shumë informacion, për më shumë debat të papolitizuar. Aq më tepër nuk mund të flasësh për televizione e radio private, tek të cilat pushteti i sotëm sheh armiqtë e tij të mëdhenj. Shteti i sotëm nuk ka pranuar që firma të huaja të financojnë krijimin e televizioneve private, ndryshe nga të gjithë praktikat në Evropën Lindore ku rrjetet e mëdha të televizionit, të shtypit apo grupet multimedia të perëndimit, kanë ndryshuar krejtësisht peizazhin mediatik të këtyre vendeve. Në Bukuresht ka 6 kanale private si “CMC” (me aksionere Press ex Press), “RTI”, “Media Pro”, “Dacia” etj. Në Bullgari shumë stacione private janë autorizuar si në Plovdiv, Varna, Blagoevgrad etj. Në Pragë është kanali privat “Premiera” i financuar nga një shoqëri italiane apo kanali “Nova” i financuar nga partnerë amerikanë. I njëjti peizazh është edhe në vendet e tjera të Lindjes. Padyshim stadi i shtypit e i mediave shqiptare flet shumë për nivelin e “demokracisë” në Shqipëri, shumë më tepër se nga çka deklarojnë zyrtarët shqiptarë nëpër takimet ndërkombëtare, ku mirësjellja të lejon të dëgjosh por edhe të gjykosh realisht e në thellësi për atë çka thuhet. A do të ndryshojë vallë statusi i RTV Shqiptar? A do të ketë nesër një etikë profesionale, apo do të mbetet tribunë e një politike të dhunshme? Shumëkush e bën këtë pyetje. Sidoqoftë sot kjo nuk ndodhet vetëm në dorën, dëshirën e vullnetin e “princit”. Kohërat po ndryshojnë dhe bashkë me to, njerëzit./Luan Rama, Paris/

 

SHKARKO APP