Prof. Dr. KRISTO FRASHËRI: Analizë historike dhe aktuale e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

(Botuar me 22 nëntor 1998 në KOHA JONE)

Nga Prof. Dr. KRISTO FRASHËRI-

Këto ditë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë shpall “Platformën” e cila sipas saj, do të shërbejë si program për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Platforma është diskutuar fillimisht në formë projekti gjatë muajve të kaluar nga anëtarët e Akademisë, nga drejtorët e Instituteve shkencore të saj si dhe nga disa intelektualë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë që janë marrë me problemin e çështjes sonë kombëtare. Më 20 tetor 1998, ajo u miratua nga Asambleja e Akademisë.

Dy janë motivet që e nxitën Akademinë të hartojë dhe të shpallë këtë platformë. E para, Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk jeton e shkëputur nga fatet e kombit shqiptar. Në statutin e saj të miratuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë thuhet shprehimisht se në punën e saj shkencore, ajo udhëhiqet nga interesat kombëtare të popullit shqiptar. Si rrjedhim, ajo nuk mund të rrijë indiferente përballë dramës së copëtimit territorial nga e cila po vuan prej 85 vjetësh gjysma e kombit shqiptar dhe ca më tepër përballë katastrofës njerëzore ku po i shtyn nacionalizmi agresiv serb vëllezërit tanë të Kosovës. Në këto çaste kur gjithandej qarkullojnë teza për zgjidhjen e çështjes shqiptare, Akademia vendosi të shpallë, ndonëse me vonesë, edhe ajo platformën e saj.

E dyta, Akademia e Shkencave e Shqipërisë po vë re se jo vetëm kancelaritë e mëdha politike shqiptare e kanë përqendruar vëmendjen e tyre vetëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke heshtur përballë shkeljes së të drejtave kombëtare të shqiptarëve që banojnë në troje të tjera etnike që ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë. Madje, ajo po vë re se interesimi i kancelarive të mëdha për zgjidhjen e “konfliktit” në Kosovë nuk frymëzohet nga parimi për t’u njohur shqiptarëve të saj të drejtat kombëtare që atyre u përkasin në bazë të normave të njohura nga aktet ndërkombëtare, por nga interesi për të parandaluar zgjerimin e konfliktit jashtë kufijve të Kosovës.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk e dëshiron konfliktin as në Kosovë as jashtë kufijve të saj. Ajo pajtohet në parim me doktrinën që po ndjekin në ditët tona kancelaritë e mëdha dhe organizatat ndërkombëtarë për të realizuar, me anën e bisedimeve dypalëshe dhe me mjete paqësore, të drejtat kombëtare të popujve të shtypur dhe në mënyrë të veçantë të drejtën për të vendosur këta vetë për ardhmërinë e tyre. Por në të njëjtën kohë, Akademia e Shkencave shfaq bindjen se me trajtimin pjesor që po i bëhet problemit kombëtar të shqiptarëve, as të drejtat e tyre kombëtare nuk do të realizohen, as kriza që rrezikon paqen në Gadishullin Ballkanik nuk do të zgjidhet. Për këtë arsye, Akademia e Shkencave e Shqipërisë po del para opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar me anën e kësaj platforme me propozime konkrete për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare në tërësi, pra jo vetëm të statusit politik të Kosovës por edhe të viseve të tjera etnike shqiptare që ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë. Ajo e ka hartuar “platformën” duke u nisur nga aspirata madhore e mbarë shqiptarëve, e cila është në të njëjtën kohë edhe aspirata madhore e Akademisë, por duke marrë në konsideratë edhe rrethanat aktuale ndërkombëtare si dhe proceset e sotme historike që përshkojnë Ballkanin dhe Evropën. Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka bindjen se po të merren në konsideratë sugjerimet që përmban “Platforma”, kombi shqiptar do të shpëtojë nga vuajtjet, Gadishulli Ballkanik do të gjejë qetësi, kancelaritë e mëdha do të çlirohen nga shqetësimet që i vijnë nga ky sektor. Në të njëjtën kohë do të shpejtohet procesi që sot po e udhëheq Ballkanin drejt integrimit evropian.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë është një institucion shkencor kombëtar dhe si i tillë qëndron jashtë të gjitha partive politike shqiptare. Argument dhe opsionet e parashtruara në platformë nuk kanë asnjë ngjyrim partiak. Ato mbështeten mbi faktorë etnikë, historikë, juridikë, diplomatikë, ekonomikë, demografikë. Në hartimin e platformës janë patur parasysh edhe pikëpamjet e parashtruara dhe të diskutuara nga analistë politikë shqiptarë dhe të huaj për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Platforma e Akademisë së Shkencave nuk është dokumenti i parë i këtij lloji i hartuar për çështjen Kombëtare Shqiptare. Ka parti, organizata madje edhe personalitete që kanë përpunuar ose pranuar një program ose një qëndrim ndaj këtij problemi që ka shqetësuar dhe vazhdon të shqetësojë mbarë opinionin publik shqiptar. Megjithatë, jo të gjitha ato kanë përmasat dhe karakterin e një manifesti të arsyetuar. Nga kjo pikëpamje, Platforma e Akademisë së Shkencave mund të krahasohet me manifestin e hartuar nga Sami Frashëri njëqind vjet më parë me titullin “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” botuar në Bukuresht në vitin 1899. Por rrethanat në të cilat ndodheshin trojet shqiptare në fund të shekullit të kaluar ndryshojnë rrënjësisht nga ato në të cilat ato ndodhen sot. Atëherë mbarë trojet etnike shqiptare ndodheshin nën zgjedhën e një shteti të vetëm, si rrjedhim nuk kishte një shtet shqiptar, madje ekzistenca e tij mohohej nga të katër anët. Sot, përkundrazi, trojet etnike shqiptare janë të copëtuara midis pesë shteteve, nga të cilat vetëm gjysma e tyre ndodhet brenda kufijve të shtetit shqiptar. Në manifestin e vet monumental, ideologu i shquar i Rilindjes sonë Kombëtare, Platformën mbi zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare e hartoi duke u mbështetur në përvojën që pati lëvizja çlirimtare shqiptare gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe pas Luftës së Lidhjes së Prizrenit. Në përputhje me rrethanat ndërkombëtare të kohës së vet, Sami Frashëri hartoi një program të shkallëzuar. Sipas tij, sa kohë që Fuqitë e Mëdha nuk lejonin ndryshimin e kufijve të Perandorisë Osmane dhe për sa kohë ekzistonte rreziku që sapo Shqipëria të çlirohej nga Turqia territoret shqiptare do të copëtoheshin midis monarkive fqinje, shqiptarët duhej të kërkonin një Vilajet Shqiptar Autonom, më tej një Shqipëri autonome nën suzerenitetin e sulltanit dhe vetëm kur të krijoheshin rrethanat e përshtatshme, një shtet shqiptar të pavarur.

Ndër punimet e deritanishme, ku analizohet në mënyrë shkencore çështja Kombëtare Shqiptare, shquhet për nga pasuria e argumenteve dhe për nga thellësia e analizave, traktati monografik i Rexhep Qoses me titull “Çështja shqiptare. Historia dhe Politika”, botuar në Prishtinë, në vitin 1994. Është e tepërt të thuhet se midis manifestit të rilindësit erudit dhe traktatit të akademikut të shquar nuk mund të bëhen krahasime, mbasi botimi i tyre i ndan një distancë kohore gati një shekullore. Gjatë këtij harku kohor, kanë ndryshuar të gjithë komponentët e Çështjes Kombëtare Shqiptare, si harta politike e trojeve shqiptare ashtu edhe rrethanat politike ndërkombëtare, si niveli kulturor i shqiptarëve ashtu dhe normat e të drejtave kombëtare. Duke analizuar me një frymëmarrje të gjerë historinë e të gjithë këtyre komponentëve që në fillimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe pasi shtjellon me imtësi spektrin e tyre të sotshëm, Prof. Rexhep Qosja arrin në përfundimin se me shpërbërjen e Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, shqiptarët e trojeve etnike që ndodheshin brenda kufijve të saj duhet të gëzonin nga të gjitha pikëpamjet, të drejtën që të realizonin si dhe kombet e tjera sllave aspiratat e tyre nacionale, bashkimin e tyre, ashtu siç është shtruar që në kohën e Rilindjes Kombëtare, në një shtet të përbashkët shqiptar. Ai shkruan tekstualisht: “Bashkimi i shqiptarëve domethënë sendërtimi i të drejtës së vetëvendosjes kombëtare që me kohë e kanë sendërtuar disa popuj ballkanikë dhe që po e sendërtojnë sot edhe popujt e tjerë të Ballkanit me përjashtim të shqiptarëve; domethënë sendërtimi i të drejtës së vetëvendosjes kombëtare të shqiptarëve që u është mohuar dhe vazhdon t’u mohohet”. Përfundimisht në trajtesën e vet monografike, ai mbron në mënyrë të shkëlqyer të drejtën e shqiptarëve për të jetuar bashkërisht në një shtet të vetëm kombëtar, por ndalet vetëm në këtë.

Në Platformën e saj, Akademia Shkencave të Shqipërisë, pasi bën në mënyrë të përmbledhur analizën historike dhe aktuale të komponentëve të Çështjes Kombëtare Shqiptare, kalon në thelbin e mirëfilltë të saj, në rrugën e zgjidhjes së Çështjes Kombëtare Shqiptare. Platforma e Akademisë vë në peshore si faktorët pozitivë ashtu dhe negativë që ekzistojnë sot për zgjidhjen e saj. Ajo merr në konsideratë doktrinën politike që ndjek sot faktori ndërkombëtar, por në të njëjtën kohë e ka parasysh edhe ndërkombëtarizimin e Çështjes Kombëtare Shqiptare, e cila megjithatë është kufizuar, sikurse u tha, vetëm rreth problemit të Kosovës.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë mendon, sikurse është pasqyruar në “Platformën” e saj, se me gjithë rrethanat pozitive që ekzistojnë për zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare, pengesat janë ende të mëdha. Para së gjithash për të realizuar bashkimin kombëtar, të cilin e aspirojnë të gjithë shqiptarët, duhen ndryshuar kufijtë e katër shteteve; veç kësaj duhen lëvruar edhe më tej mentalitetet demokratike në popujt e Gadishullit Ballkanik. Në pamundësi për të kapërcyer këto pengesa, Akademia mendon se programi madhor i Rilindjes Kombëtare mund të arrihet vetëm në mënyrë të shkallëzuar dhe të diferencuar sipas peshës që kanë popullsitë shqiptare në shtetet ku ato bëjnë pjesë. Në Platformë flitet konkretisht për këto hapa të shkallëzuar dhe të diferencuar. Në mënyrë të sintetizuar ato përsëriten në fund të Platformës. Aty thuhet konkretisht: “Akademia e Shkencave e Shqipërisë mendon se pavarësisht nga problemet që shqetësojnë sot Gadishullin Ballkanik, historia po e udhëheq Evropën Juglindore drejt integrimit evropian. Ajo mendon gjithashtu se në kushtet e tanishme kur faktorët ndërkombëtarë nuk lejojnë ndryshimin e kufijve aktualë dhe kur në Gadishullin Ballkanik ende nuk janë kapërcyer pasionet radikale nacionaliste, synimi madhor i Rilindjes Kombëtare mund të arrihet në mënyrë të shkallëzuar dora-dorës me ecurinë e procesit të integrimit të Gadishullit Ballkanik në Bashkësinë Evropiane. Hapi i parë për të arritur në këtë synim madhor është çlirimi sa më parë i gjysmës së kombit shqiptar nga zgjedha e nacionalizmit agresiv. Në rrethanat e tanishme, Akademia e Shkencave kërkon ndërhyrjen e përbashkët të forcave demokratike shqiptare dhe të faktorëve me peshë ndërkombëtare për ta njohur Republikën e Kosovës si element konstitutiv i Republikës Federale të Jugosllavisë, për t’i trajtuar shqiptarët e Maqedonisë si qytetarë të barabartë me maqedonët, pra për t’u dhënë të drejtën e popullit shtet-formues, për t’i ndihmuar shqiptarët e Malit të Zi të kenë krahinën e tyre autonome dhe për t’u siguruar shqiptarëve të Greqisë të drejtën të mësojnë në shkollat shtetërore edhe gjuhën e tyre amtare. Janë të drejta legjitime të njohura universalisht, të cilat nuk i cenojnë kufijtë e sotshëm politikë të shteteve të Gadishullit Ballkanik. Platforma mbyllet me këtë frazë “Vetëm kështu do të shpejtohet procesi i demokratizimit të vërtetë të vendeve ballkanike, vetëm kështu do të lehtësohet marshimi i tyre drejt integrimit evropian, drejt Evropës së Bashkuar, në të cilën kufijtë politikë të shteteve nuk do të jenë më mure kinezë, por do të shndërrohen, ashtu si në Evropën Perëndimore, në kufij etno-kulturorë, në kufij miqësie dhe vëllazërimi”. Shumë shpejt do të dalë në qarkullim “Platforma” në formë broshure në gjuhën shqipe dhe në përkthimin e saj në anglisht dhe frëngjisht.

Prof. Dr. KRISTO FRASHËRI

SHKARKO APP