Agim Isaku: Fenomeni Noli
(Botuar me 21 Dhjetor 1997 në KOHA JONE)
Nga Agim Isaku
Tregojnë se kur në dhjetor të vitit 1924, në derën e kryeministrit Fan Noli, trokitën për t’i dhënë lajmin se trupat e Ahmet Zogut po i afroheshin Tiranës, ai po luante në Flaut. Pasi e dëgjoi me bezdi te sapoardhurin, i tha edhe me më shumë nervozizëm: Si nuk e kupton sa hyjnore është kjo muzikë?!
Analistë të ndryshëm thonë se ai, kryeministri absolutisht me i kulturuar i shqiptarëve të të gjitha kohërave, iku pikërisht për këtë shkëputje nga “balta” në të cilën jetonin shqiptare vete. Një fjalë e mençur thotë se çdo krahasim çalon, megjithatë nuk është e vështirë të gjenden paralelizma mes asaj që jetojmë sot dhe dhjetorit të vitit 1924. Edhe sot në krye të qeverisë dhe të shtetit kemi një grup njerëzish të kulturuar që duket se duan të luajnë një politikë liberale duke synuar nga Evropa dhe nga nivelet bashkëkohore. Përpiqen të bëjnë politikë të hapur dhe transparente, synojnë reformimin e partisë, thonë se dinë të luajnë edhe politikë kulisash. Ndërkaq jeta në Shqipëri, veçanërisht gjatë ditëve të fundit, është rënduar së tepërmi, jetesa është shtrenjtuar, rendi po paraqitet i brishtë dhe sipas statistikave jozyrtare janë vrarë më se dhjetë policë, kriminalitetin e kemi përreth, tashmë më të sofistikuar, opozita vijon të mos shfaqë asnjë dëshirë bashkëpunimi, balta po na ngjitet për t’u futur deri në shpirt. Alarmin, që mundohen ta zbusin fjalimet e zyrtarëve, e kanë dhënë kortezhet pa fund që përditë shtegtojnë drejt varrezave. Edhe skafet që çajnë ujërat e turbullta të jetë-vdekjes.
Njëherësh askush nuk mund të mohojë përkushtimin e drejtuesve të rendit, Cekës dhe Legisit, megjithatë rëndom dëgjon të thuhet se ata nuk po bëjnë asgjë. Është logjika normale e ndarjes së përgjegjësisë dhe e dhënies së saj në një shtet dhe shoqëri normale, kurse këtu në Shqipëri, gjërat ndryshojnë, gjërat nuk janë normale dhe nuk duket se do të jenë të tilla për një kohë të gjatë. Po të rrish me zyrtarë të niveleve të ndryshme do të dëgjosh thashethemnajën e burokracisë së zyrave, filani a e ka mirë me filanin b dhe ka pirë tre birra me filanin c; ai është kushëri i këtij dhe si pasojë nuk mund të jetë me “ne”; fistëku a ndenji tre orë te fistëku b (më i rëndësishëm ky me b!) dhe nuk e dimë ç’thanë… Atmosferë tipike zyrash të molepsura (të tilla janë burokracitë kudo në botë!), thua se i kemi mirë punët e tjera e tani na ka mbetur vetëm të vetëpërkëdhelemi. Pak a shumë, kjo të kujton një situatë dramatike, kur uji po përmbyt shtëpinë dhe ndërsa vetëm njëri punon, të tjerët merren me diskutime për arabeskat e tavanit.
Dhe pas flautit e përkthimeve mjeshtërore, Noli ia la vendin Ahmet Zogut, sigurisht jo qeveritarit më të kulturuar të vendit, por njeriut që ndërtoi shtetin e parë shqiptar. Por me sa duket, kanë të drejtë francezët, kur thonë: Historia nuk i mëson askujt, asgjë.