Agim Isaku: Kosova, ose rruga e gjatë

(Botuar me 24 Mars 1998 në KOHA JONE)

Nga Agim Isaku

Me votimet e para dy ditëve të mbajtura në Kosovë shqiptarët, edhe një herë, demonstruan një varg cilësish të cilat, kush e di pse, politikanët tanë nuk janë në gjendje as t’i hetojnë, e jo më pastaj, sikundër do të ishte e nevojshme, t’i vlerësojnë e të përpiqen t’i zgjerojnë e përmirësojnë. Sikundër edhe pritej, shqiptarët shkuan sërish në mënyrë masive në zgjedhjet e tyre edhe pse nën një terror e represion të pushtuesit të akseleruar papritur kohët e fundit. Shkuan dhe votuan për Rugovën dhe përgjithësisht për LDK. Me pjesëmarrjen e tyre të gjerë në votime dhe me orientimin e votës së tyre, ata demonstruan të paktën dy gjëra, pra se:

– ata kanë vlerësimin e domosdoshëm për institucionin bazë të demokracisë, që është vota e lirë, e fshehtë dhe e drejtpërdrejtë. (E njëjta gjë u vu re edhe në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, kur, edhe pse me një shtet të shkërmoqur e me qindra-mijëra armë në qarkullim, shqiptarët morën pjesë në mënyrë të pabesueshme masive në votimet e 29 qershorit 1997). Duket kështu se, kur lipset t’i tregojmë diçka botës dhe jemi nën vëzhgimin e saj, ne, shqiptarët, dimë të bëjmë atë që duhet.

– pikërisht atëherë kur bota e tërë ishte e shqetësuar dhe në një turravrap të paparë diplomatik për të penguar shtrirjen e luftës pas krimeve monstruoze serbe në Drenicë, pikërisht kur të gjithë ishin të preokupuar se ndoshta durimi i shqiptarëve kështu kishte marrë fund për t’i hapur udhë mënyrës revolucionare të të fituarit të të drejtave, pikërisht atëherë, shqiptarët e Kosovës, ende me tokën e varreve të rinj të patharë dhe me lot në sy, rikonfirmuan vendosmërinë e tyre për të ndjekur vetëm rrugën paqësore e demokratike për t’i arritur ato që duan, edhe pse, duhet thënë, jo gjithherë ka qenë e qartë dhe e artikuluar saktë se ç’kërkojnë (nga të dyja anët e kufirit, them).

Sepse të gjithë e kuptojnë se, pavarësisht artikulimit, zgjedhjet e fundit në Kosovë nuk ishin zgjedhje të nivelit të kënaqshëm politik (bërja e tyre nën një shtet të huaj, mosnjohja e rezultatit të tyre nga institucionet ndërkombëtare, mospjesëmarrja në to dhe kontestimi prej disa partive të opozitës kosovare, tërheqja e kandidatëve alternativë për president etj etj), më së shumti ato duhen konsideruar si një referendum popullor për rrugën që duhet të ndjekë këtej e tutje e gjithë politika shqiptare në lidhje me çështjen e Kosovës. Por edhe qeveria aktuale shqiptare, ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe veproi në mënyrë më institucionale. Nuk u dha pas mitingjeve dhe nuk ra pre e emocioneve nacionaliste. Megjithëse qëndrimet e saj evoluuan sipas zhvillimeve të brendshme në Kosovë, ndryshe nga Berisha, qeveria e re nuk mori përsipër të bëjë rolin e padronit apo të vëllait të madh. Kjo duhet përshëndetur. Dhe shpërblimi për këtë qëndrim u mor: përveç rritjes së aktivitetit ndërkombëtar diplomatik, kryeministri i saj shkon sot në Gjermani i ftuar nga Grupi i Kontaktit. Dhe shkon atje në mbështetje të opsioneve që burojnë nga vetë Kosova. Rruga do të jetë e gjatë, sigurisht.

SHKARKO APP