Alban Beqaj: Tymnajë me ndërtimin e Korridorit 8

(Botuar me 12 Nëntor 1997 në KOHA JONE)

Nga Alban Beqaj-

TIRANË – Tymnajë me ndërtimin e të ashtuquajturit Korridor 8. Qeveria Nano ashtu si edhe Meksi ka filluar reklamën e ndërtimit të autostradave pa mbarim. Kostoja e realizimit të këtij projekti në Shqipëri thuhet se do të jetë 1.2 miliardë dollarë, aq sa afërsisht miratoi komuniteti ndërkombëtar për shtetin shqiptar për 5 vitet e ardhshëm.

Kohët e fundit po deklarohet nga zyrtarët shqiptarë se po bëhen bisedime në rangjet e larta politike botërore për realizimin e këtij korridori rrugor që do të kalojë nëpër disa shtete. Ka edhe firmosje marrëveshjesh midis presidentësh që në vitin ’95. Përveç “kënaqësisë” që do t’u ofrojë shqiptarëve, në këtë korridor lidhen interesa strategjikë që kalojnë kufijtë ballkanikë. Në këtë kontekst ka një përplasje të pashpallur midis fqinjëve tanë dhe aleatëve të tyre.

Ndërkohë që është pranuar që ky korridor të kalojë në Qafë Thanë nga Maqedonia, Turqia, Shqipëria, Bullgaria, fqinji ynë Greqia akoma nuk e ka gëlltitur. Ndërkohë që politikanët zihen krihen, specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, kur i pyesin për ketë superprojekt të tregojnë vetëm projektet e rikonstruktimit dhe rehabilitimit të rrugëve ekzistuese që kalojnë nga Durrësi, Rrogozhina e deri në Qafë Thanë që i përkasin korridorit Lindje-Perëndim. Ata të thonë se nuk ka asnjë projekt teknik të përgatitur për një autostradë të tillë. Shumë-shumë, sipas tyre, mund të flitet për ndonjë përcaktim të gjurmëve të kalimit të këtij korridori vetëm në plan fjalësh e diskutimesh imagjinare. Po kështu, sipas burimeve zyrtare në Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Punëve Publike, Shqipëria akoma nuk ka një strategji kombëtare për një përcaktim të saktë të ndërtimit të rrugëve e parametrave që i korrespondojnë si në plan nacional ashtu dhe rural. Në plan ndërkombëtar as ëndërrohet. Kjo strategji mund të përgatitet vitin e ardhshëm, sipas specialistëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, nga danezët. Pra, fillojnë diskutime e realizohen marrëveshje të shpallura e të pashpallura politikanësh e xhentëlmenësh, pa pasur një strategji kombëtare të ndërtimit të rrugëve dhe një projekt teknik për korridorin e 8-të.

Qeveria Meksi në fillimet e veta premtoi se do të ndërtonte autostrada, dhe në fund të qeverisjes e mbylli me 5 km superstradë (nëse është e tillë). Qeveria Nano e ka nisur me premtimin e një korridori internacional të koduar me shifrën 8. Vetëm kostoja e këtij projekti është sa të gjithë ndihmat e premtuara për Shqipërinë në 5 vitet e ardhshme. ALBAN BEQAJ

SHKARKO APP