Alban Dudushi: Paraardhësit….Edi Rama dhe pasardhësit
(Botuar me 1 Maj 1998 në KOHA JONE)
Nga Alban Dudushi-
Ende nuk është shumë e qartë përzgjedhja më e fundit e Nanos për ministrin e ri të kulturës. Duke hequr dorë nga eleganca dhe butësia e Dades (dhe në këtë mënyrë e bëri atë të flasë), ai zgjodhi polemizmin dhe ekzibicionizmin e Ramës. Në fakt, një gjë e tillë nuk është e qartë, po të mos marrim shumë seriozisht vërejtjet, që ai kishte për ish-in më të ri të kulturës, pas nëntë muajsh, që ajo e gëzonte këtë post.
Historia e ministrave të kulturës në Shqipërinë postdiktatoriale është, në të vërtetë, historia e qengjave të butë të qeverisë. Duke patur një buxhet mjaft të vogël për dikasterin e tyre, ata ndiheshin varfanjakë dhe krejt të parëndësishëm në krahasim me ministra të tillë si ai mbrojtjes apo i brendshëm, apo edhe se drejtorët e drejtorive të shërbimeve qeveritare.
Me ardhjen e Dhimitër Anagonstit, regjisorit më të madh të kinematografisë shqiptare aktualisht, në vitin 1992, në krye të ministrisë së kulturës për mjaft njerëz që patën lidhje me artin, u duk një lëvizje serioze, në atë kohë, e qeverisë së sapodalë nga zgjedhjet. Por çudirat në fakt nuk vonuan të vinin. Ndër të parat që u shkatërruan, si për paradoks, ishin kinematë. Tirana u bë kështu kryeqyteti i vetëm në Evropë pa kinema, duke i dhënë të drejtën Michele Placido-s, njërit prej protagonistëve të “Lamerika” të deklaronte me kompetencë se ai e dinte që Shqipëria nuk kishte patur kurrë kinema. Në vitin 1994 Anagnosti largohet nga ministër i kulturës (i detyruar të japë dorëheqjen), duke marrë dhe ca para dhe duke krijuar një fondacion që, meqë nuk dihet se ç’bën, nuk jep arsye as për Anagnostin të themi se me çfarë merret.
Pas Anagnostit në postin e Ministrit të Kulturës, erdhi Teodor Laço, jo me personalitetin e regjisorit të famshëm, por gjithsesi i njohur në fushën e letrave. Për tre vjet, ai do të ishte i pari i këtij dikasteri, dhe ndoshta e vetmja gjë për të cilën ai do të mbahet mend ishte se i dha shkas Fatos Nanos, që, tek shkruante mocionin në burgun e Bënçës, të shpikte termin politik “laçoparti”. Për Engjëllin demokrisitan (Ndocaj) është e kotë të flasim, jo vetëm për shkak të kohëshkurtësisë, por edhe për një lloj kurioziteti të çuditshëm që ai kishte, në atë kohë të trazuar, se si nxirren vizat italiane. E vetmja gjë që mund të përmendet është fakti se, tani që gëzon statusin e ish-it, nxori kokën tek “Striscia la notizia”, i prezantuar si një ish-ministër kulture, duke shtuar kështu më tepër humorin rreth tij. Në këtë vertikale retrospektive duket e arsyeshme që Rama të mos shikojë paraardhës, por vetëm pasardhës. Duke besuar tek natyra e tij (të paktën nga artikujt e tij të ndryshëm) mund të besosh se ai diçka mund të bëjë. Vetëm se ndonjëherë deklaratat para uljes në një fron kanë karakter “elektoral”. Interesante është periudha “post elektorale”, pra pasi të jetë realizuar procesi i uljes në kolltuk, që gjithsesi, mbetet më i leckosuri i qeverisë. Është e rëndësishme të kuptohet nëse Rama do të pajtohet me arnimet e kolltukut, apo do të porosisë një kolltuk të ri për dikasterin, që tashmë është i tij. Dhe të porosisësh një kolltuk do të thotë të kesh disa skica të gatshme dhe së paku më tepër guxim se sa varfanjakët paraardhës. Sidoqoftë, një ndryshim deri tani Rama e ka: është me i gjati se të gjithë ministrat e tjerë të kulturës dhe ka një zë të plotë që herë pas here mund ta ngrejë. Në një “refleksion” të organizuar në Akademinë e Arteve, në përkujtim të “refleksioneve” të shtatë vjetëve më parë, ai nuk përtoi të thumbonte keqas edhe vetë Nanon, duke e detyruar këtë të fundit, jashtë protokollit, të ngrihej dhe të fliste. Kjo ishte një shenjë se, pavarësisht se Berisha iku, ai nuk kishte ndërmend të kthehej në një qengj të butë por do të ishte një “Watch-dog” edhe për qeverinë e re. Vetëm se procesi i uljes në një kolltuk, qoftë edhe i leckosur, ka veti hipnotizuese. Edhe një “Watchdog” mund të kthehet në një qengj të butë. Gjithashtu nuk dihet se sa, duke qenë më tepër i impenjuar me politikën dhe për një periudhë të gjatë në Paris, do të jetë i informuar Rama për “derexhenë” në të cilën ndodhet sot kultura shqiptare. Sidoqoftë, nga diçka mund të niset. Kultura shqiptare ka nevojë për politika të reja, që të mund t’i japin asaj frymëmarrjen e duhur, pas kësaj periudhe vaktësie të stërzgjatur. Dhe një shenjë në këtë drejtim mund të jetë, për shembull një ligj i ri për teatrin, i cili është kërkuar me forcë që në vitin 1994 apo një politikë të re kuadri (ndryshe nga ajo e Laços), që punonjësit e kulturës më në fund të mos jenë aparatçikë partish, por roje të vërtetë të kulturës shqiptare.
Së fundi, Rama ka shansin dhe prerogativat të kthehet në paraardhësin e ministrave të vërtetë të kulturës në Shqipëri. Ashtu siç ka edhe të ngjarë që të kujtohet jo vetëm si një pasardhës i rëndomtë i shumë paraardhësve të tij, por edhe si ministri më i gjatë i qeverive në historinë e shtetit shqiptar. Edhe nëse do të jetë kështu, atëherë më mirë të ikë që tani në Antarktidë.
ALBAN DUDUSHI