Alban Dudushi: Skena e Teatrit Kombëtar ende hesht. “Quo vadis” TK?!

(Botuar me 11 Maj 1997 në KOHA JONE)

Nga Alban Dudushi-

Po bëhet tashmë tre muaj që skena e Teatrit Kombëtar është kthyer në një gropë të zezë. Si për ironi, pas premierës të Serafin Fankut me titull “Quo vadis” një urdhër i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka bllokuar aktivitetin e institucionit më të rëndësishëm të skenës në Shqipëri. Ndërkohë, publikut tiranas i rikthehet buzëqeshja. Pas demonstrimeve për paqe ditëve të diela, mundësia për të rikujtuar jetën e lirë, ofrohet nga “Një burrë me dy gra”, premiera më e fundit e regjisorit fierak Kiço Londo. Pikërisht ky mirazh në shkretëtirën e gjendjes së jashtëzakonshme elektrizoi publikun kryeqytetas këtë fundjavë. Mjaftoi një patrullë policësh për të garantuar qetësinë e spektatorëve gjatë shfaqjes. Në Akademinë e Arteve, Fakultetit të Artit Dramatik, vazhdon qetësisht puna për provimet e studentëve, të cilat si shfaqje që tradicionalisht ka mbushur jetën kulturore të kryeqytetit, do të ndiqen nga publiku i gjerë në sallën e madhe të Akademisë në javët e para të Qershorit. Dy policë me automatikë, pranë Presidencës të ruajtur prej mjaft civilëve të armatosur, mjaftojnë për të siguruar qetësinë e studentëve aktorë. Prapa Ministrisë së Brendshme ka ekzistuar dikur një Teatër Kombëtar, ku tani punonjësit humbasin kohën nëpër tavolinat e klubit të shpërndara në oborrin e tij. Urdhri i dhënë pas premierës së Fankut, pavarësisht nga delegacionet e TK, që kanë vizituar Ministrinë, nuk është shfuqizuar ende. Përqendrimi më i madh i policëve në kryeqytet nuk e merr dot përsipër sigurinë e institucionit që rastësisht ndodhet pas Ministrisë. Kështu, në Teatrin Kombëtar, e vetmja kornizë e varur nuk lajmëron për shfaqje, por mban portretin e presidentit Berisha në zyrën e drejtorit. ALBAN DUDUSHI

 

 

 

 

 

SHKARKO APP