Albana Kasapi: Ç’ndodh në Tropojë, 16 ditë pas mbërritjes së kosovarëve

(Botuar me 17 qershor 1998 në KOHA JONE)

Nga Albana Kasapi-

Drama e dyndjeve të mëdha

Tanimë, ardhja e refugjatëve nga Kosova në Veri nuk është më lajm, pavarësisht se refugjatë të rinj, kalojnë përditë kufirin. Gazetarët dhe fotoreporterët që të parët kanë prekur dhembjen e Kosovës dhe kanë dhënë lajmin për të tjerët, tani po e braktisin Tropojën dhe refugjatët. Edhe për shqiptarët e veriut, kanë kaluar momentet e befasisë, të mallëngjimit, ndërsa mikpritja shqiptare ka funksionuar edhe një herë si zakonisht. Sot është koha për të rikujtuar shtetarët. Refugjatët nga Kosova janë atje, në Tropojë a Bajram Curr, të strehuar në shtëpitë e varfra të tropojanëve. Tropojanët, ndoshta shqiptarët më të varfër, ndanë bukën dhe shtrojat me ta, por e gjitha kjo nuk mund të zgjasë pa kufij. Sepse buka nuk mjafton aq gjatë për familjet me shumë fëmijë të malësorëve të këtej e përtej kufirit, dimri vjen shumë shpejt… Të tjerë refugjatë priten të vijnë dhe politikanët nuk parashikojnë ndonjë zgjidhje në prag për Kosovën. Po edhe sikur të ekzistojë ndonjë mundësi kthimi, shtëpitë e tyre janë kthyer tashmë në hi. Kosovarët duhet të nisin të jetojnë këtu. Dhe si fillim, duhet një strehë, një mbulesë, buka e përditshme.

Edhe Tropoja e shumëfishuar me banorë të rinj duhet të fillojë të normalizojë jetën e saj. Përndryshe, spekulimet, grabitjet, që edhe pa refugjatët ishin problem, do t’i vënë kosovarët, para “armiqve” të rinj. Është koha që të veprojnë politikanët. Ata duhet të bëjnë diçka për njerëzit që lanë pas, në Kosovë, gërmadhat e shtëpive, kaluan kufirin vetëm me rrobat e trupit për të shpëtuar jetën e fëmijëve.”Duhet një plan afatgjatë për të ngritur një infrastrukturë të tërë”, thonë politikanët, por s’dinë të thonë çfarë pikërisht… Sot Presidenti udhëton për në Tropojë. Ai është i disati nga politikanët tanë, të të dyja ngjyrave, që merr mundimin të shohë se ç’ndodh vërtet, atje, në zonën kufi… Të shpresojmë se përveçse të mallëngjehet, atij, ka për t’i lindur, atje, ndonjë ide më shumë, për atë pak ç’mund të bëjë Shqipëria për Kosovën.

Agim Isaku, publicist

Çfarë keni parë ju në Tropojë?

Që të tregosh se çfarë kam parë në Tropojë, kjo tashmë është e tepërt, pasi gjithçka është bërë e njohur në opinionin publik, përmes mediave të ndryshme. Megjithatë, ato pamje që përcillen nga media, janë vetëm pakogjë në krahasim me realitetin tragjik që po përjeton Kosova, e jo vetëm ajo. Unë do të thoja se evidente ishte mikpritja e shqiptarëve dhe mirëkuptimi i tyre për dhimbjen e të tjerëve. Unë kam parë nëna që piqnin 15 bukë në vakt, kam parë fëmijë të vegjël që flinin bashkë, pa e njohur kurrë më parë tjetrin. Por kam parë edhe matrapazë që shfrytëzonin rastin për të ngritur çmimet e mallrave. Pamja më e veçantë ishte ajo e djemve të rinj, që kishin lënë punën dhe shkollën në Perëndim, për të luftuar në Kosovë.  Në ballin e tyre qe shkruar vdekja.

Ç’mund të bëhet për këta njerëz?

Kombet e Bashkuara për Refugjatët, Kryqi i Kuq Shqiptar dhe i Gjenevës si dhe struktura të pushtetit lokal, ishin të pranueshme gjithandej dhe mundoheshin të jepnin ndihmën e tyre mes asaj zallamahie, që është normale të krijohet në raste të tilla. Do të qe e domosdoshme që institucionet e tjera, edhe ato shtetërore, por jo vetëm ato, të bëjnë përpjekjet maksimale që atje të funksionojnë shkolla, çerdhe, kopshte, jo në kuptimin klasik, por në formë kursesh që fëmijët e ardhur, të mos e bjerrin kohën kot. Por mbi të gjitha, në atë vend duhet vendosur Rend. Jo në kuptimin policor të fjalës, sesa në kuptimin klasik. Në atë vend, duhet të fillojnë të funksionojnë dhe të shkojë drejt normalizimit, jeta e qytetarëve të vjetër dhe të atyre të rinj.

Hektor Pustina, fotoreporter

Jo si fotoreporter, por si njeri, ç’ndjetë kur vinin refugjatët?

Unë isha në Veri qysh ditën e parë kur vunë këmbë në tokën shqiptare, refugjatët e parë nga Kosova. Mbaj mend, që nuk ndaluam fare në Bajram Curri, por shkuam direkt në Tropojë, në xhaminë e fshatit, ku ishin strehuar kryesisht gra dhe fëmijë, por kishte dhe pak burra. Përshtypja e parë, sidomos kur pashë fëmijët e rraskapitur dhe gratë, ishte shumë mallëngjyese. Mbaj mend që njëherë qava, pastaj shkrepa aparatin dhe kështu vazhdoi pastaj shumicën e herëve: qanim dhe fotografonim. Të them të drejtën, kontakti i parë me këta njerëz më bëri përshtypje dhe për një gjë tjetër, e cila do të më forcohej edhe më vonë dhe do të më kthehej në bindje. Ishin njerëz shumë të edukuar dhe të sjellshëm, fëmijët qenë shumë të urtë. Dhe pas asaj që kishin hequr, nuk ndjeheshin, nuk ankoheshin, jo si fëmijët tanë… Por menjëherë pasi më kaluan momentet prekëse, fillova të mendoj se çfarë do të bëhet më tej me këta njerëz. Ata prisnin…

Dhe tropojanët i ndihmuan…

Bravo u qoftë atyre dhe vetëm atyre. Sepse të them të drejtën, gjatë gjithë kohës që kalova atje, vetëm dorën e shtetit nuk e ndjeva. Qeveritarëve, kur erdhën atje, u thashë se për ta, ky është një turp. Nuk ishte organizuar asgjë. Kosovarët vinin dhe si në një treg njerëzish, rrinin në mes të fshatit, me shpresën që t’i merrte dikush në shtëpi, ndërkohë që kishte konvikte ku mund të strehoheshin. Këtë e bënë njerëzit e thjeshtë dhe të varfër, si të Tropojës dhe të Bajram Currit. Ata nuk ngurruan të strehojnë në shtëpitë e tyre dhe familje me 20 vetë. Megjithatë, dua të them fjalët më të mira për djemtë që drejtonin në komunën e Tropojës, veçanërisht për kryetarin e komunës. Të gjithë ata, zor se flinin më shumë se dy orë natën.

Ç’duhet të bëjë qeveria, sipas jush?

Do t’ju tregoj se momenti më prekës që kam kaluar, ishte kur gjetëm në pyll vetëm gjashtë fëmijë, që kishin humbur të ëmën. Ne i morëm në makinë dhe fatmirësisht, nënën e tyre e gjetëm në Tropojë. Qeveritareve do t’u thoja: Mendoni sikur ata të ishin fëmijët tuaj. Të mundohen dhe të shkojnë deri atje, të paktën sa për t’i parë. Mbështetja morale në raste të tilla, vlen më shumë.

Pandeli Majko, politikan

Gjatë vizitës tek refugjatët, shkuat si politikan apo si shqiptar i thjeshtë?

Mbresat njerëzore në vizitën që bëra në Tropojë, i pata vetëm në tragetin Fierzë – Koman. Gjatë udhëtimit dyorësh me të, pata kontaktet njerëzore me refugjatët, por dhe me njerëzit e tyre të afërm që vinin nga Zvicra e Austria për të takuar familjarët që kishin ardhur refugjatë. Kur vajtëm në Tropojë, për hir të së vërtetës, takimet që bëra ishin zyrtare: si ishte situata atje, çfarë po bëhej për të ndihmuar të ardhurit etj.

Nga ana zyrtare, çfarë ju bëri përshtypje atje?

Situata ishte ajo që ishte. Njerëz të lodhur të vuajtur, por në fund të fundit, ne kishim bërë diçka, kishim dhënë një shembull që mund të bënim diçka për vëllezërit e përtej kufirit.

Kur thoni “ne”, keni parasysh shtetin?

Jam i bindur që më shumë për të ndihmuar refugjatët, bënë njerëzit, banorët e zonës. Tek e fundit, kishte ndodhur ajo që duhej të ndodhte.

Po shteti?

Për nivelin që kemi, sidomos pas problemeve që kaluam vjet, them se edhe shteti bëri maksimumin e tij. Por duhet bërë më shumë për ta.

Çfarë për shembull?

Shteti duhet të mendojë për një strategji afatgjatë për refugjatët. Duhet menduar se si do të strehohen këta njerëz, sepse 20 vetë në një familje, nuk mund të rrinë aq gjatë. Duke patur parasysh dhe faktin që problemi i Kosovës nuk zgjidhet as me një muaj, as për dy muaj, duhet menduar për kohë më shumë. Sot nga shteti kërkohen masa shumëplanëshe për të ngritur një infrastrukturë për qëndrimin e këtyre njerëzve.

ALBANA KASAPI

SHKARKO APP