Albana Kasapi: Tirana dhe Prishtina firmosin për kulturën
(Botuar me 17 Janar 1998 në KOHA JONE)
Nga Albana Kasapi-
Bashkëpunimi kulturor mes shqiptarëve të këtej dhe përtej kufirit, u zyrtarizua mbrëmë, kur titullarët e kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës, firmosën Protokollin e parë të Bashkëpunimit. Në zyrën e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Arta Dade, ajo dhe Ministri i Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sporteve të Republikës së Kosovës, Muhamet Bicaj, firmosën të parin dokument që zyrtarizon bashkëpunimin e shqiptarëve, të ndarë me kufij politikë, për kulturën e kombit të tyre, që është një.
“Sot është dita e kapërcimit të kufijve artificialë që ndajnë shqiptarët”, tha dje në ceremoninë e organizuar në Ministrinë e Kulturës me personalitete shqiptarë dhe kosovarë, Ministrja Dade. Kurse Ministri Bicaj, e quajti ditën e nënshkrimit të Protokollit, si “ditën që do të fillojë të realizojë ëndrrën e kosovarëve që të mos njohim kufij brenda kombit, që ka qenë synimi i kahershëm i gjithë shqiptarëve”. I përgatitur kohë më parë, në kuadrin e një Platforme Mbarëkombëtare për Kulturën, e djeshmja ishte vetëm akti formal i zyrtarizimit të Protokollit.
Me synimin “për të realizuar një platformë mbarëkombëtare kulturore që nuk do të ndryshojë me ndërrimin e qeverive”, protokolli ishte njëri nga iniciativat e para që Dade, pjesëtare e kabinetit qeveritar të dalë nga zgjedhjet e 29 qershorit, mori përsipër të realizonte.
Protokolli që u firmos mbrëmë me premtimin “të bëjmë atë që mundemi për kulturën e kombit”, parasheh bashkëpunim të detajuar të ministrive respektive në të gjitha fushat e kulturës, duke filluar nga letërsia, teatri, filmi, artet figurative, muzika e baleti, bibliotekat e muzeumet, deri tek bashkëpunimi sportiv dhe ai i të rinjve. Me qëllimin të “integrimit dhe unifikimit të mëtejshëm të kulturës sonë kombëtare, e cila u zhvillua si kulturë e ndarë për një kohë shumë të gjatë, është e domosdoshme që në veprimtaritë dhe manifestimet kulturore, rinore dhe sportive me rëndësi kombëtare që zhvillohen në Shqipëri, të përfshihet dhe Kosova”. Ajo që thuhet që në hyrje të protokollit, parashikohet deri në detaje, në pikat e bashkëpunimit që përmendin aktivitetet, ku kultura e shqiptarëve, të këtej e matanë kufirit, do të jetë e unifikuar. Në protokollin e nënshkruar mbrëmë, theksohet se “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë, krahas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sporteve të Republikës së Kosovës, do të angazhohet me tërë forcën, në të gjitha organizmat ndërkombëtare, në mbrojtje të kulturës shqiptare në Kosovë dhe në vise të tjera”. “Angazhohemi që gjithçka e parashikuar në Protokoll, të realizohet”, siguroi mbrëmë Ministria Dade. Kurse, homologu i saj kosovar, Bicaj, shtoi se “do të bëjmë atë që varet prej nesh, dhe kjo do të thotë gjithçka, sepse, për kulturën, e gjitha varet vetëm nga ne”.
ALBANA KASAPI