Alda Biba: Pas dy vjet heshtje organizohet Festivali Kombëtar i Teatrit

(Botuar me 5 Tetor 1997 në KOHA JONE)

Alda Biba: Pas dy vjet heshtje organizohet Festivali Kombëtar i Teatrit

Festivali kombëtar i teatrove tashmë ka një traditë shumë vjeçare. Dy vjet më parë ai është zhvilluar në qytetin bregdetar të Vlorës, trupat teatrore nga i gjithë vendi pasi kaluan nën një seleksion të rreptë u paraqitën në festival me realizimet e tyre më të mira. Çmimet për fituesit u dhanë nga fondacioni Velia. Disa nga çmimet e festivalit të fundit janë: Për Shfaqjen më të mirë “Fernando Kraf më ka shkruar këtë letër”; Regjia më e mirë – Fanko; Aktori më i mirë –  Xhepa; Aktorja më e mirë – Mujo; Regjisor i karrierës – Mani; Aktore e karrierës – Kurti; Aktor i karrierës – Roshi. Në foto, Mujo dhe Xhepa në “Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër”.

Fondacioni Velia, nuk do te jetë më sponsor, për çmimet në Festivalin Kombëtar të Teatrove. Viti i mbrapshtë ka sjellë dëme për VEVE Grup dhe fondet nuk premtojnë më sponsorizime. Duket se po të njëjtën gjë do të bëjnë edhe me filmin apo me konkurset e pikturës. Drejtori i Festivalit Kombëtar të teatrit, Alfred Bualjoti, ka nisur tratativat me Ministrinë e Kulturës por në të njëjtën kohë edhe me donatorë të tjerë për të siguruar një fond për çmimet e fituesve.

Festivali i dy vjetëve më parë ndoshta ishte ndër të paktët ku artistët krahas vlerësimit emocional morën edhe vlerësimin material. Tani gjërat kanë ndryshuar por pasioni artistik është i njëjtë. Dëshira për të realizuar në këto kushte një Festival Kombëtar të Teatrit, megjithëse mund të duket se nuk është momenti i përshtatshëm, do të mundësojë realizimin e tij, që është, pse jo, domosdoshmëri.

Faza përgatitore e organizimit të festivalit ka nisur dhe është krijuar grupi i punës. Presidente e festivalit të sivjetshëm është zgjedhur aktorja e mirënjohur Violeta Manushi, Artiste e Popullit. Nuk do të ketë këtë vit komisione përzgjedhëse për pjesët që do të konkurrojnë, kjo për arsyen se kriteri bazë për pjesëmarrjen është vepra kombëtare. Pra të gjithë teatrot duhet të marrin pjesë në konkurrim me dramaturgji shqiptare, qoftë edhe me dramatizime nga letërsia jonë. “Këneta”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, janë drama të fuqishme që nuk kanë kaluar pa lënë gjurmë në skenën shqiptare. Por janë dramatizime për të cilat regjisori, Pirro Mani, ka punuar pasi i ka dashuruar si vepra letrare.Për një regjisor nuk është e vështirë të dramatizojë një vepër letrare pasi duke njohur mirë veprimin skenik, e përshtat atë për skenën më mirë se një dramaturg.

Konkurrimi do të zhvillohet në skenën e Teatrit Kombëtar. Këtë vit spektatori kryeqytetas do të ketë privilegjin për të ndjekur dramaturgjinë shqiptare në skenë, prej vitesh e lënë në harresë. Për faj të nivelit të dramës shqipe, apo shpërfilljes së regjisorëve, gjithsesi festivali do të jetë një mundësi për të parë se në ç’nivele është drama shqiptare, pse jo të diskutohet për të që të rriten kërkesat ndaj saj.

Është menduar që në këtë festival të vijnë edhe të ftuar drejtorë të Festivaleve të Teatrit nga disa vende të Europës. Pjesëmarrja e tyre do te shoqërohet edhe me biseda debat për teatrin dhe dramaturgjinë. Janë afruar për pjesëmarrje edhe trupa të huaja që do të përshëndesin këtë festival. Ndonëse në fazën e tij përgatitore, ky festival ka vënë në lëvizje të gjitha trupat që do të marrin pjesë. Dramaturgjia shqiptare do të kalojë një provë të madhe, midis të tjerash edhe regjia dhe aktorët që do të interpretojnë.

ALDA BIDA

 

SHKARKO APP