Alda Bida: Butrinti merr jetë në Londër
(Botuar me 15 Korrik 1997 në KOHA JONE)
Nga Alda Bida-
Vendimi i kryeqytetit anglez: Fondacioni “Butrinti” do të mbajë “çelësat” e qytetit antik
Anglia kujdeset për Butrintin. Qytetit të lashtë shqiptar, i rrezikuar të asgjësohet, vihet re të mos i mungojë marrja në patronazh nga kryeqyteti britanik. Ndërsa pika arkeologjike e jugut shqiptar, të krijohet ideja se nuk ekziston për Tiranën, për njërën nga godinat më gjigante të biznesit botëror, Butrinti, është qendra e vëmendjes, të enjten e parë të çdo muaji.
Ka qenë vetëm pak ditë më parë, në Londër, mbledhja mujore për ecurinë e Butrintit. Tashmë, si një “traditë” katërvjeçare, në qendër të kryeqytetit anglez, diskutohet nga anëtarë të fondacionit dhe ekspertë të ftuar për qendrën arkeologjike.
Fondacioni “Butrinti” nuk do të largohet nga Shqipëria. Ndërsa periudha e rrëmujshme edhe mund ta impononte këtë largim, vendimi më i rëndësishëm i mbledhjes së sipërpërmendur bëri të ditur të kundërtën.
Kjo vetëkupton vazhdimësinë e interesimit për një nga pikat kyçe jo vetëm për turizmin por mbi të gjitha për ruajtjen e historisë së një kombi. Dy lordët anglezë, Rothchild dhe Sansbery, tashmë të njohur edhe nëpërmjet shtypit, iniciatorët e ngritjes së fondacionit “Butrinti”, janë, (i pari) një nga shtyllat e financës botërore dhe tjetri nga pasanikët më të mëdhenj të Anglisë. Për katër vite, qyteti i lashtë, në sajë të këtyre lordëve, hyri në 100 qytetet më të rralla të Botës. Fondacioni i tyre, ka qenë një kontribut i rëndësishëm në planin e njohjes dhe mbrojtjes nga UNESCO të Butrintit. Paralelisht me këtë, ndërsa janë ndërmarrë ekspedita gërmimesh për zbulime të mëtejshme, fatkeqësisht, shpesh pengesát nga ish-autoritetet shqiptare, kanë qenë për arsye banale.
Nëpërmjet këtij fondacioni janë vënë në dispozicion të Butrintit 500 milionë paund. Kohë më parë ,Banka Botërore përgatiti një projekt në lidhje me këtë zonë. Ishte pushteti i lorgit anglez që solli në qytetin antik presidentin e Bankës Botërore dhe premtimin nga ky institucion financiar, për të hedhur në Butrint 116 milionë dollarë. Sipas projektit të saj, që do të përfshinte edhe infrastrukturën, Banka Botërore do ta kthente Sarandën në qendrën kryesore të hyrjes në zonën e jugut… Duket se projekti më i madh në këtë zonë turistike nuk arriti të konkludonte.
Të pazotë për ta ruajtur këtë zonë ekologjikisht të pastër, instancat e larta në Tiranë, treguan se mund të realizohej e kundërta. Në kohën që vetëm të huajt drejtojnë shikimin drejt Butrintit të lashtë, (“zbulimi më i famshëm, sipas shtypit të huaj, pas varrit të Tutunkamun dhe Pompeit) prej atyre që kanë të drejtën të krenohen me të, vijnë vetëm shkatërrimet dhe në disa raste më fatlume vetëm pengesat.
Kur shqiptarët shkatërrojnë, qeveria e shqiptarëve hesht, ndoshta e pafuqishme për të vepruar! Gjithsesi fakti që fondacioni “Butrinti”, do të vazhdojë të jetë në funksion të Butrintit, sipas vendimeve më të fundit nga Londra, lejon “frymëmarrjen” e qytetit jugor. Ndërkaq porta e jugut për Shqipërinë, pse të mos jetë Saranda.
Alda Bida