Aleksandër Frangaj : Berisha tremb Kryesinë e PS
(Botuar me 2 Mars 1996 në KOHA JONE)
Nga Aleksandër Frangaj-
“Socialistët janë frikacakë”, pat deklaruar kohë më parë Neritan Ceka dhe disa nuk i besuan këtij pohimi. Por qëndrimi i nënkryetarëve të PS, vazhdimisht ka krijuar bindjen se vërtet janë të tillë. Tashmë është e qartë se Berisha e ka trembur seriozisht kryesinë e PS përveç kryetarit të saj që ndodhet në burg. Dosjet denoncimet, gjenocidi, burgu i mundshëm, sigurisht që po japin efektin e vet. Çorientimi i çon ata deri sa të përgënjeshtrojnë deklaratat e veta dhënë gazetarëve. Kështu ndodhi edhe dje, kur nënkryetari i parë socialist, Servet Pëllumbi, përgënjeshtroi një studim dhe hartën politike të kësaj partie, e cila paralajmëronte triumfin elektoral të socialistëve, në 20 rrethe të vendit, botuar në “Koha Jonë” dhe vënë në dispozicion nga vetë anëtarët e kryesisë së PS. Si për të vërtetuar trembjen e udhëheqjes socialiste, zëvendëslideri i PS ka nxitur të mohojë fitoren që ishte servirur sipas të dhënave nga baza. Të çudit fakti që Pëllumbi përgënjeshtroi lajmin për fitoren e PS (rast unikal për një prag fushate) vetëm pasi ai u sulmua nga shtypi zyrtar. Përgënjeshtrimi nuk u bë pardje kur u botua shkrimi në gazetën tonë, por dje pas reagimit të ashpër të “RD”. Absurd është fakti që përgënjeshtrimi i firmosur nga dora e Pëllumbit në rolin e zëdhënësit të PS, bëhet me po ato terma që përdor “RD”: “ Harta nxit përçarjen kombëtare”, a thua se kjo hartë bënte fjalë për zonat që do të fitonte serbi dhe jo PS. Se si mund të përçahet kombi, nga botimi i një harte që tregon se në ç’zona njëra prej partive shqiptare siguron shumicën në zgjedhje dhe në cilat nuk ndjehet e sigurt, këtë vetëm “RD” dhe filozofi Pëllumbi mund ta dinë. Nuk është hera e parë që drejtuesit socialistë përgënjeshtrojnë vetveten. Në shumë raste këta u kanë kërkuar gazetarëve tanë të shkruajnë për takimet e tyre me politikanë apo diplomatë, duke treguar edhe hollësi të bisedave, por të nesërmen pasi kanë reaguar bashkëbiseduesit e tyre për nxjerrjen e sekretit të takimeve, këta drejtues të PS kanë përgënjeshtruar ato që u kanë thënë gazetarëve duke ja hedhur përgjegjësinë gazetës, edhe pse fjalët e tyre kanë qenë dhe janë të regjistruara në shirita kasetofoni. Frika e udhëheqësve socialistë është vënë re disa herë kur kanë dhënë intervista apo deklarata të forta gjatë ditës dhe në darkë kanë ardhur në redaksi duke u lutur për t’i shkurtuar, ndryshuar, zbutur apo hequr fare ato nga botimi. Kur për arsye kohe nuk iu është bërë e mundur një gjë e tillë të nesërmen nga frika e kanë përgënjeshtruar. “Do të pushtojmë sheshin Skënderbej, dhe në qoftë se Berisha nuk na jepet leje do ta marrim pa leje”, pat deklaruar në Parlament para gazetarëve, njëri prej nënkryetarëve socialistë, natën që u miratua ligji për zgjedhjet. Por trimëria e tij u shua sapo kaloi rrethimin e parlamentit. Të nesërmen kur gazetarët e kërkonin këtë nënkryetar për të komentuar deklaratën dhe veprimet e mëtejshme, nga telefoni mësohej se ishte i sëmurë! Natën kur i gjithë kolektivi i “Koha Jonë” u mor në polici, shumë kolegë të gazetave të tjera erdhën para komisariatit. Po ashtu edhe Zogaj, Imami, Gjinushi, Gëllçi etj. Lanë shtëpitë në mesnatë për t’u interesuar për fatin e 33 gazetarëve, ndërsa Pëllumbi njofton në telefon se është pak si me stomak, a thua se i bëri kush ftesë për të shkuar në diskotekë. Sa për atë fjalën “neveri” që profesor Pëllumbi përdor në fund të deklaratës së tij, është mirë ta ruaj për ndonjë tjetër, që më shumë se të ardhmes së PS, i trembet së shkuarës së tij./Aleksandër Frangaj/