Aleksandër Frangaj: Hyj në politikë për t’u shërbyer njerëzve

Botuar më Maj 1996 në KOHA JONE

Intervistë e Aleksandër Frangaj dhënë Armand Shkulakut-

27-vjeçari Aleksandër Frangaj ka lindur në Lezhë më 4 Tetor 1968. Në vitin 1987, pas përfundimit të shkollës së mesme artistike “Mujo Ulqinaku” Durrës në degën e pikturës, punoi si mësues në specialitetin e tij në shkollat 8-vjeçare të qytetit të Lezhës. Në vitin 1990 pasi përfundoi kursin e regjizurës, fitoi të drejtën për të ndjekur studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura të cilat i përfundoi në vitin 1994. Lëvizja e Dhjetorit 90 e gjen Frangajn të rreshtuar përkrah ndryshimeve ashtu si pjesa më e madhe e studentëve. 11 Maji 1991 është dita kur doli numri i parë i gazetës së pavarur lezhjane “Koha Jonë” dhe emri i Frangajt krahas Lesit, që prej kësaj date është i lidhur ngushtë me emrin dhe historinë e mundimshme të kësaj gazete. Që prej vitit 1992 Frangaj është Kryeredaktor i të përditshmes më të madhe në Shqipëri “Koha Jonë” dhe kontributi i tij në rritjen e profesionalizmit të kësaj gazete ka qenë mjaft i ndjeshëm dhe i suksesshëm. Në Mars të vitit 1993 Frangaj është i pari gazetar i lirë që provon arrestin për një lajm të botuar në gazetë, pas denoncimit të Ministrit të Mbrojtjes Zhulali. Pas një muaji arrest Gjykata e çmoi lajmin të vërtetë dhe e liroi Frangajn në sallën e gjyqit duke i dhënë pafajësi. Por kontributi i tij për lirinë e shtypit do të shpërblehej përsëri me mohim të lirisë. Më 31 Janar 1994 Frangaj arrestohet e burgoset bashkë me kolegun Martin Leka. Pas një muaj izolimi në burgun e Tiranës, Frangaj shpallet i pafajshëm nga Gjykata. Por pafajësia e tij kundërshtohet brenda ditës nga Prokuroria dhe i kërkohet Gjykatës së Apelit ridënimi, e cila nëpërmjet Prel Martinit e ridënon atë me pesë muaj burg. Pas kësaj edhe pse Presidenti Berisha dekreton amnisti për dy gazetarët, këta kërkojnë gjykimin në Kasacion ku marrin pafajësi. Gjatë gjithë kësaj periudhe ka punuar për ngritjen profesionale të tij dhe gazetës që ka drejtuar. Ka kryer disa kurse specializimi për shtypin në Evropë dhe SHBA. Angazhimin konkret në politikë Frangaj e pranon që me krijimin e Partisë Aleanca Demokratike. Ai është një ndër bashkëthemeluesit e saj dhe i zgjedhur në Asamblenë Kombëtare përkrah njerëzve të Dhjetorit, përkrah themeluesve të partisë së parë opozitare, përkrah themeluesve të shtypit opozitar në Dhjetor 1990. Idealet e Dhjetorit, idealet e mëdha të shqiptarëve e shtyjnë gazetarin Aleksandër Frangaj të kandidojë për në Parlamentin e ardhshëm shqiptar.

Gjatë pesë vjetëve që punoni në “Koha Jonë” keni intervistuar të tjerët. Tani po ndryshoni rol. Pse vendosët ta lini gazetën për politikën?
Kam përshtypjen se nuk kam qenë jashtë politikës dhe mendoj se nuk do ta lë gazetën. Kjo sepse shtypi dhe politika jetojnë ngushtë me njëra-tjetrën. Sigurisht është shumë më i favorshëm pozicioni i gazetarit që merret me politikën se sa i politikanit që duhet të merret me dritat e ujin. Po e konceptoj kështu punën e politikanit, sepse fatkeqësisht edhe sot në Shqipëri kandidatit për të fituar zgjedhjet i kërkohen drita, ujë, rrugë, vende pune, shtëpi, etj. Punë këto që janë detyrë e bashkive apo komunave. Kështu që të hysh sot në politikën aktive detyrimisht duhet të premtosh zgjidhjen e këtyre problemeve dhe të punosh për realizimin konkret. Në rast të kundërt, në premtimin dhe moszgjidhjen e problemeve, je i destinuar të digjesh si politikan pas 4 vjetësh. Këtë e vërteton fakti që shumë deputetë shqiptarë, me mbarimin e mandatit 4-vjeçar e kanë patur të pamundur vazhdimin e karrierës politike, ose në raste të rralla e kanë kaluar me shumë vështirësi. Me këtë dua të them se ti futesh sot në Shqipëri angazhimit aktiv në politikë shanset janë më të mëdha për t’u djegur se sa për të bërë karrierë politike. Pra lënia e një profesioni, apo pune të suksesshme siç është rasti im dhe angazhimi një zanat me shumë probleme, është sakrificë. Po përse e bën ti këtë sakrificë, mund të pyesësh me të drejtë. Është një detyrim i brendshëm që të shtyn të marrësh përgjegjësi mbi vete kur sheh se ke mundësi t’u shërbesh bashkëqytetarëve të tu më tepër dhe më mirë se një dikush tjetër. Unë nuk mendoj se ka ndonjë shqiptar që thotë se një veteriner, shofer, aktor, sportist, mjek, apo mësues i paangazhuar më parë në politikë, mund të punojë më mirë për politikën se një gazetar që merret prej 5 vjetësh me të. Këtë e vërtetoi edhe Parlamenti i fundit ku shumë deputetë që e filluan karrierën politike në Parlament, nuk ju dëgjua një herë zëri, fjetëm gjumë, ngritën kartonin kur ju thoshte partia pa ditur se për çfarë votonin, dhe po në heshtje u zhdukën emrat e tyre nga listat e kandidatëve të ardhshëm. Unë nuk hyj në politikë për të marrë një rrogë, pasi sot e kam shumë herë më të madhe. Fatmirësisht problemet jetike për të cilat luftojnë shumë amatorë të politikës t’i përfitojnë nga politika, unë i kam zgjidhur. Unë nuk hyj në politikë për një shtëpi, veturë, zyrë e karrige, rrugë jashtë shtetit dhe as për të vënë një emër. Për vete mund të punoj më mirë dhe të fitoj më shumë në gazetë. Unë hyj në politikë për t’i shërbyer atyre që kanë besim tek puna ime, atyre që mendojnë se unë punoj më mirë se dikush tjetër, atyre që kanë besim se nuk i zhgënjej, që nuk i tradhtoj, që nuk i lë në baltë. Unë nuk mendoj sot vetëm për 4 vitet e ardhshme. Jam 27 vjeç dhe pas 4 vjetësh dua të kem një emër më të mirë se e kam sot. Ndryshe rri këtu ku jam.

Në këtë fushatë po vihet re angazhimi i shumë kandidaturave të reja në moshë dhe mundet që Parlamenti të mbizotërohet nga deputetë të rinj. Kjo do të ndikojë pozitivisht apo negativisht në politikën shqiptare?
Jo pse jam unë një prej atyre të rinjve, por do të ishte fat për politikën shqiptare që të aktivizoheshin një numër sa më i madh të rinjsh. Kjo do të sillte krijimin e një klase të re politike me mentalitet të ri, pa komplekse për të shkuarën. Jo se nuk ekziston fare element i tillë, por unë mendoj sa më shumë të rinj në politikë aq më civile do jetë ajo. Pa fyer lojtarët e sotëm të politikës, duhet pranuar se pjesa më e madhe e tyre u angazhuan t’i shërbejnë politikës së re, shoqërisë së re, sistemit të ri me mendësitë dhe praktikat e vjetrat. Formimi i tyre nën një regjim totalitar, dashje pa dashje ka ngulitur tek këta ndjenja aspak humane apo civile. Unë jam i bindur se disa prej tyre jo me qëllim veprojnë edhe sot me të tilla mendësi apo forma, por nuk mund të dalin nga vetja e tyre. Ata ashtu janë rritur dhe mësuar të veprojnë dhe kështu ju duket se veprojnë drejt. Ne jemi dëshmitarë se shumë prej aktivistëve kryesorë të politikës së sotme, gjatë 4 viteve të fundit kanë punuar me të njëjtat praktika që kanë shërbyer në regjimin e mëparshëm. Ndjenja e hakmarrjes ndaj kundërshtarëve politikë i ka shoqëruar ata në çdo hap të punës së tyre, njëlloj si në kohën e Enver Hoxhës. Ashtu siç e propagandonte Enver Hoxha rrezikun e marrjes së pushtetit nga ballistët, po kështu e propagandojnë demokratët e sotëm rrezikun e marrjes së pushtetit nga socialistët, aleanca, socialdemokratët, apo republikanët. Kjo është mendësi, se pushteti ashtu siç merret me vota, ashtu edhe dorëzohet. Eliminimi që u bëri Sali Berisha oponentëve brenda partisë së tij si Ceka, Pashko, Zogaj, Imami, Demeti, Trako, Selami, Brozi, Ruli etj. Tregon për një mentalitet të vjetër që nuk pranon pluralizmin e mendimeve brenda partisë. Vënia në detyrë të rëndësishme partiake e shtetërore jo të specialistëve e intelektualëve por të njerëzve mediokër e besnikë është tjetër fakt i mentalitetit të vjetër. Fakti që gjithmonë vegla qorre në duart e më të madhit janë bërë njerëzit e implikuar me të shkuarën si p.sh kryetari i Gjykatës së Kushtetuese Rustem Gjata, tregon se diçka ka ndryshuar. Njerëz të tjerë duhet të drejtojnë. Këta janë njerëzit e rinj, me mentalitet të ri, me formim të ri. Ka ardhur koha ta ndryshojmë.

Pse zgjodhët Partinë Aleanca Demokratike dhe Lezhën vendin për t’u kandiduar?
Asnjëra dhe as tjetra nuk janë të rastësishme për mua. Unë jam rreshtuar përkrah njerëzve dhe ideve të Aleancës, jo kur u krijua Aleanca, por që me 8 Dhjetor në Qytetin Studenti. Aty të parin që kam takuar ka qenë Arben Imami, atëherë pedagog i shkollës sime, e më pas lezhjanin Preç Zogaj e Dr.Gramoz Pashkon. Që atëherë kur i njoha aty kam menduar se jam me ta dhe se mund të punojmë së bashku. Jam në këtë parti sepse jam liberal, jam kundër hakmarrjes, kundër dhunës, kundër padrejtësisë, kundër mediokritetit, kundër prapaskenave, jam aty sepse dua të jem i lirë. Zgjodha Lezhën për t’u kandiduar sepse së pari jam lezhjan, dhe jo vetëm kaq, por e dua shumë këtë qytet të vogël. Aty kam nënën dhe vëllain, aty kam edhe eshtrat e babait të vdekur, aty kam shokët, miqtë, të afërmit. Zgjodha Lezhën se aty lindi gazeta “Koha Jonë” me të cilën punoj prej 5 vjetësh dhe që më dha mundësinë të jem ky që jam sot, me të mirat e këqijat e mia. Zgjodha Lezhën se dua të punoj për të dhe mendoj se më mirë se për Lezhën nuk mund të punoj për ndonjë qytet tjetër.

Me gjithë arsyet e përmendura më lart që ju shtyn të kandidoheni në vendin tuaj të lindjes, ju keni konkurrent kandidatët e dy partive më të mëdha se Aleanca, Roza Pati të PD dhe Alfred Paloka të PS. A jua vështirëson ky fakt fitoren tuaj?
Të gjithë hyjnë për të fitua. Ajo që thoni ju për sa i përket partive, qëndron deri në një farë mase, por unë do të thosha se Aleanca në Lezhë është shumë më e organizuar se në rrethet e tjera. Megjithatë po ta llogarisim këtë fakt si favor të tyre, unë do të shtoja shumë më tepër favore për vete. Së pari Aleanca nuk mban mbi supe peshën e dështimit në qeverisje. Njerëzit e Aleancës si Pashko, Zogaj, Teta, etj, kanë qeverisur në Qeverinë e Stabilitetit dhe kanë treguar aftësi drejtuese e profesionale në qeverinë më të mirë deri më sot. Në këtë drejtim PD ka disfavorin më të madh se çdo parti tjetër, pasi qeverisja e keqe dhe mosmbajtja e premtimeve të bujshme gjatë këtyre 4 vjetëve janë të freskëta dhe do të ndikojnë bindshëm në rezultate. Nga ana tjetër, edhe PS lokale ka drejtuar dhe nuk ka dhënë ndonjë rezultat të veçantë gjatë këtyre viteve. Kandidatja e PD përveç disfavorit që ka si parti e zhgënjimit të madh ka disfavorin tjetër që ajo vetë vjen në zgjedhje si kryetare e këshillit të rrethit, si përfaqësuese e atij institucione të padrejtësive të mëdha në privatizim, tenderë, largime politike nga puna dhe krijim privilegjesh për miqtë apo partiakët e saj. Ajo kërkon një mandat parlamentar në një kohë që nuk realizoi siç duhet detyrën e sapo lënë, ajo premtoi së koti zgjidhjen e problemeve të ujit, dritave, rrugëve, si deputete ndërkohë që dështoi e nuk zgjidhi gjë. Ajo ka marrë rrogën e shtetit për t’i zgjidhur këto probleme dhe as e ka vënë ujin në zjarr, si do i zgjidhë ajo si deputete kur të ketë angazhime të tjera politike? Nga ana tjetër kandidati i PS është më i disfavorshëm përballë meje sepse ai së pari nuk është lezhjan. Ai ka javë që ende nuk ka mësuar emrat e fshatrave të zonës ku është kandiduar. Unë di që edhe PS në Lezhë nuk e ka mirëpritur atë vetëm për faktin që nuk e lidh asgjë me Lezhën dhe se PS e këtij rrethi mund të ketë patur kandidatura shumë më të mira. Ai edhe nëse merr votat në Lezhë, e shumta mund të vij të bëjë plazh në Shëngjin. Kur Gramoz Pashko nënshkroi i pari dhe kërkoi firmat e deputetëve të tjerë për të kërkuar lirimin e liderit socialist Fatos Nano, socialisti Alfred Paloka pati frikë të nënshkruajë. Një disfavor tjetër pak i vogël i tij, është se ai është xhaxhai i gazetarit Edi Paloka që socialistët e kanë tmerr. Këtë disfavor ma ka thënë vetë nipi i tij Edi. (Qesh).
Unë mendoj se edhe vetë socialistët lezhjanë do të kenë më tepër përkrahje e ndihmë nga ana ime se nga kandidati i importuar me origjinë nga Puka.

Po mirë, ju çfarë u ofroni votuesve tuaj?
Deri tani janë bërë premtime aq të bujshme, janë realizuar aq pak sa tani ke frikë të premtosh gjë se të kthehet kundër, ose të quajnë gënjeshtar. Unë mendoj se u iku koha premtimeve të mëdha boshe. Njerëzit nuk kanë nevojë të dëgjojnë premtimet e parajsës, por atë që është më e domosdoshme dhe e mundshmja. Unë nuk premtoj se më 27 maj do të hapen dy mijë vende pune në Lezhë, por premtoj se ne nuk do t’i largojmë njerëzit e aftë nga puna për shkak të bindjeve, duke i zëvendësuar ata me njerëz të paaftë. Unë nuk premtoj se do t’ia çoj fshatarit telefonin në dorë, por të paktën do punoj që fshati ta ketë një telefon për të njoftuar spitalin e Lezhës. Unë nuk premtoj që të ndërtohen 100 apartamente brenda një muaji, por premtoj që ato që do të ndërtohen nuk do të ndahen për miqtë apo farefisin, e as për ata që paguajnë më shumë, por për ata që kanë më tepër nevojë. Rrethi ynë ka realisht rezerva të mëdha të pashfrytëzuara. Hapja e Portit të Shëngjinit do t’ia ndryshonte fytyrën këtij qyteti dhe gjithë zonës përreth. Do të punësoheshin qindra vetë në ngarkim shkarkim, transport e tregti. Prej këtij do të përfitonte gjithë Veriu i Shqipërisë. Licencat e peshkatarëve nuk do ta lejoja t’i jepte Ministria por pushteti lokal, duke eliminuar kështu sorollatjet e gjata dhe ryshfetet e mëdha që kërkohen. Pa përmendur mundësitë e mëdha të turizmit për bregdetin e rrethit tim, Lezha, si një zonë bujqësore e blegtorale deri tani e ka patur në nivelin zero mundësinë e përpunimit të prodhimeve. Unë mendoj dhe vërtet do ta realizoja që ambientet e ish fabrikës së letrës të shërbenin për ngritjen e një kombinati të madh ushqimor. Në këtë mënyrë përfitimi do të ishte i dyanshëm. Do të punësoheshin qindra krahë pune nga qyteti dhe do të shisnin prodhimet e tyre qindra fshatarë. Aty mund të bëhej shumë mirë konservimi i peshkut, grumbullimi e përpunimi i qumështit në produkte të tjera për krejt zonën dhe jo si sot që fshatarët bëjnë kilometra rrugë për të shitur 5 kilogram qumësht në qytet e shumë herë e kthejnë përsëri në shtëpitë e tyre. Në tregun e këtij qyteti sheh lloj lloj konservimesh të specit, kastravecit, lakrës e domates që mbajnë stampat e prodhimit në Maqedoni apo Bullgari ndërkohë që po këto prodhime kalben në arat e fshatarëve të kësaj zone pjellore. Për të mos vazhduar më gjatë me premtime, se këto nuk mund të bëhen në një intervistë, unë mendoj se mundësitë janë realisht të zbatueshme. Rëndësi për mua kanë njerëzit që zgjidhen, ndershmëria dhe gatishmëria e tyre për të punuar jo vetëm për vete, por për vete dhe për të tjerët, për ata që t’i japin mundësinë për të punuar në atë detyrë.

Gjatë këtyre 4 vjetëve PD dhe Berisha, në opozitë me të cilët ju po kandidoni, ka manifestuar një mungesë të madhe tolerance ndaj shtypit dhe veçanërisht ndaj gazetës “Koha Jonë” që ka arritur kulmet me burgosjet e gazetarëve. Ju vetë jeni arrestuar dy herë dhe keni bërë burg. Në rast se ashtu siç pritet, zgjedhjet do t’i fitojë opozita dhe ju do të jeni në Parlament, si do të silleni me kundërshtarët tuaj?
Tashmë dihet rruga e vështirë që ka kaluar shtypi shqiptar, kryesisht ai i pavarur dhe opozitar. Dihen dhe sukseset që ka arritur pikërisht ky shtyp. Unë mendoj se çfarë ka kaluar është më pak e rëndësishme se ajo që kemi përpara. E kaluara e largët apo e afërt qoftë,është e kaluar dhe nuk kthehet më. Vërtet këto 4 vjet ne punonjësit e shtypit jemi lodhur për të krijuar atë që nuk kishte ekzistuar më parë, shtypin e lirë, një prej elementëve më të rëndësishëm të demokracisë. Të gjithë peripecitë që bashkërisht kemi kaluar tashmë i kemi harruar ose duhet t’i harrojmë sepse kemi arritur atë që kishim qëllim. Kontributi ynë më i madh konsiston në atë që kemi ndërtuar se sa në vështirësitë apo burgun që kaluam. Nëse realizohet ajo që thoni ju, pjesëmarrja në parlament, kam përshtypjen se me kundërshtarët politikë nuk do të sillen siç janë sjellë ata me mua e kolegët e mi. Kjo sepse unë vetë kam kundërshtuar sjelljet e tyre dhe nuk mund të pranoj që nesër unë të bëhem si ata sot. Atëherë unë s’do të jem ky që jam. Unë do të luftoj njëlloj si deri tani që shtypi të jetë i lirë, që gazetarët të mos burgosen si kundërshtarë, që politikanët të mos denigrohen e persekutohen si kundërshtarë. Unë do të sillem me Sali Berishën njëlloj si me Fatos Nanon. Unë nuk do të hesht dhe nuk do të pajtohem me ndonjërin që nesër mund të mendojë që atë që i bëri Berisha Nanos, t’ia bëjë Nano, Berishës. Unë e njoh Fatos Nanon, e kam njohur një muaj edhe në kushte mizërie të burgut dhe nuk mendoj kurrë që ai do të veprojë, ose që ai ushqen ndonjë mendim të tillë për kundërshtarët e tij, megjithëse i kanë mohuar deri tani 3 vjet liri. Ai nuk ka sesi vepron ashtu siç vepruan ndaj tij, sepse burgosjen e Nanos e kanë dënuar brenda dhe jashtë Shqipërisë si burgosje politike. Këtë gabim Nano nuk ka përse e përsërit, përderisa edhe vetë sot ai e konsideron hakmarrje politike. Unë mendoj që hakmarrja është ves i njerëzve të vegjël, është zakon i njerëzve të paqytetëruar. Ne nuk jemi të tillë, ose nuk duhet të jemi të tillë. Në rast se do të vazhdojmë të sulmojmë njëri tjetrin asnjëri prej nesh nuk do dalë i fituar. E që të fitojmë të gjithë duhet të mendojmë si ta ndihmojmë njëri tjetrin.

Shumë njerëz mendojnë që ndryshimi i madh politik që pritet të ndodhë në Shqipëri, pra fitorja e opozitës do të ndikojë në të ardhmen e shtypit dhe gazetës “Koha Jonë”?
Tashmë pushteti i katërt, shtypi, e ka fituar duelin me pushtetin politik. Të gjitha format e përdorura si ndalimet, arrestimet, burgosjet, bllokimet e mjeteve, taksat e larta nga ana e shtetit me qëllimin e nënshtrimit të shtypit, kanë dështuar. Shteti nuk ka mundur ta bëjë zap shtypi deri tani dhe mendoj se çdo ditë e më tepër shtypi bëhet më i fortë. Me këtë dua të them që padyshim e ardhmja është e sigurt, kushdo të vijë në pushtet. Përkrahja e kolegëve nga e gjithë Evropa e deri nga organizmat më të rëndësishëm si Këshilli i Evropës, apo Departamenti i Shtetit Amerikan, në çdo rast konflikti me shtetin tonë, na ka dhënë krahë dhe forcë për të mos u tërhequr nga rruga jonë. Unë mendoj se diçka ka ndryshuar. Nuk është më ajo situatë e para dy vjetëve kur çdo natë prisnim furgonët e policisë të na merrnin me vete, por akoma nuk mund të themi se kemi fituar lirinë e plotë. Tepër prapa në këtë drejtim janë kolegët e Radio Televizionit. Në këtë institucion nuk mund të bëhet fjalë për liri informimi. Censura këtu është aq e fortë, njëlloj si në kohën e Enver Hoxhës, sa kolegët tanë atje kanë qenë të pafuqishëm ta përballojnë. Kjo për faktin se ai është një institucion shtetëror dhe i kontrolluar nga afër nga vetë kreu i shtetit. Informimi i njëanshëm dhe roli i shërbëtorit të partisë në pushtet e ka ndjekur hap pas hapi RTSH në këto 4 vjet. Kjo shihet qartë edhe tani në fushatën elektorale. Politikisht tani ky fakt nuk dëmton më, pasi në popull është ngulitur mendimi se RTSH është pronë partiake dhe kur ai të thotë mirëmëngjes, ik se të zuri darka. E keqja qëndron në anët profesionale. Do të duhet një kohë e gjatë që ky RTSH të fitojë nderin dhe autoritetin e humbur. Për sa i përket gazetës “Koha Jonë” jam i sigurtë që do të vazhdojë të ruajë vendin e parë në renditjen e shtypit shqiptar edhe në të ardhmen. Kjo mund të realizohet vetëm duke mbajtur qëndrimin e deritanishëm përballë pushteteve, duke mos u bërë vegël e qeverisë, duke përcjellë interesat e gjera të lexuesve, duke rritur profesionalizmin. Unë kam besim se kjo do të ndodhë.

Në këto zgjedhje kanë kandiduar një numër i konsiderueshëm gazetarësh. Duke patur parasysh faktin që u njihni mirë gjendjen e shtypit, si do të reagoni në ndihmë të kolegëve tuaj?
Së pari unë do të kërkoja abrogimin e neneve të ligjit për shtypin që dënojnë gazetarin me burg. Për gazetarët nuk duhet të ketë burg. Për gabimet që ata mund të bëjnë, si në çdo fushë të jetës, duke menduar se nuk vjen ndonjë e keqe e madhe nga gabimet e shtypit, unë mendoj se ka forma të tjera më të buta që mund të përdoren. Nuk është nevoja të lodhemi shumë për t’i gjetur, se i ka gjetur Evropa me kohë dhe ato janë të shkruara. Unë, propozimin për heqjen e burgut për gazetarët ja pata bërë edhe Berishës gjatë një takimi në Kinë, por ai megjithëse nuk e kundërshtoi, nuk ndërmori ndonjë hap konkret. Së dyti, menjëherë mendoj që Parlamenti duhet të përgatisë dhe miratojë ligjin për lejimin e pluralizmit radioteleviziv. Kështu kolegët e RTSH do të kenë më tepër liri pasi vetë konkurrenca e kanaleve do të diktojë hapësira më të mëdha informimi dhe censurë shumë më të vogël në kanalin shtetëror. Së treti, shteti duhet të heqë menjëherë një pjesë të mirë të taksave. Kjo do të ndihmonte në një farë mënyre nga ana financiare. Do të shihej mundësia e ndonjë subvencioni për gazetat e rëndësishme, pasi ato kudo në Evropë nuk trajtohen si mall që shiten në treg, por si një prej mjeteve më të rëndësishme të demokracisë dhe lirisë së një vendi. Në këtë mënyrë shteti ka detyrime ndaj shtypit. Shteti francez subvencionon miliarda franga cdo vit për shtypin privat të vendit të tij. Kjo ndoshta nuk mund të arrihet menjëherë por që të ulësh taksat dhe të mos i fusësh gazetarët në burg, unë mendoj se është fare e kollajtë për t’u realizuar. Kjo varet nga predispozita e qeveritarëve.

Së fundi, cili është slogani i partisë suaj në këtë fushatë elektorale?
“Një Shqipëri normale, një Shqipëri për të gjithë”.

Intervistoi: ARMAND SHKULLAKU

 

SHKARKO APP