Aleksandër Meksi: Fatkeqësia e të qenit i parë
(Botuar me 1 Mars 1998 në KOHA JONE)
Nga Aleksandër Meksi
“Në asnjë vend marrja e armëve nuk quhet kushtetuese dhe ata që e shkelën njëherë, nuk mund të jenë kurrë demokratë”
Një ndër karakteristikat përcaktuese të mentalitetit arbëror është që secili prej nesh është i parë, mbi të tjerët, ose nuk pranon njeri mbi vete. Prej kësaj rrjedh një “e keqe” e madhe për çdonjërin: rezultojmë të barabartë me të tjerët, një e keqe nga e cila nuk ka patur pasoja e nuk ka vuajtur asnjë komb tjetër. Por, sigurisht që duhet të jesh i barabartë me të tjerët në të drejtat dhe shkallën e lirisë individuale, në mundësitë që të krijohen dhe vetëkuptohet përpara ligjit. Por një shoqëri që synon përparimin, nismën e lirë të individit, nuk ka si të mos mbështetet në aftësitë e gjithsecilit, duke shfrytëzuar pikërisht pabarazinë reale të njerëzve, në faktin që nuk gjen dy njerëz të njëjtë. Pikërisht nëpërmjet nxitjes së individit, mund të arrihen rezultate të mira që janë në gjendje të përballojnë garën, konkurrencën.
Duhet pra, të kemi burrërinë e të pranojmë realitetin që individët janë të ndryshëm dhe për këtë arrijnë (realizojnë) rezultate të ndryshme, në mësime, sport, art, biznes etj. Nëse kjo na mungon sot, le të mundohemi të bëhemi burra sa më parë dhe kjo do të jetë për të mirën tonë. Në fund të fundit, shqiptarët gjatë historisë së tyre qenë vetëm njëherë të barabartë realisht ndërmjet tyre. Kjo ishte koha e 50-vjetëve të regjimit komunist. Qenë të gjithë zero, askushi.
Në një shoqëri të formuar prej shekujsh, pranimi i hierarkisë së vlerave ka patur një rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e individit. Për rastin tonë një parim i tillë ka rëndësi për gjithë shoqërinë shqiptare, pjesëtarët e së cilës ende nuk e kanë “përtypur” këtë rregull elementar. Është me interes të shënojmë se ka një fushë ku ne pa mëdyshje pranojmë se njerëzit s’janë të njëjtë. Kjo është fusha e mjekësisë. Kur jemi sëmurë, të gjithë pa përjashtim kërkojmë të na mjekojë më i miri, më i zoti. Pra, pranojmë se nuk janë të gjithë mjekët njëlloj të zotë. Ky rast të na vlejë për të pohuar se do të ketë gjithnjë më të aftë se ne.
Kur individi të pranojë se siç ka njerëz më pak të zotë se ai, ka dhe të tjerë më të zotë, do të ndihet i çliruar në çast nga shumë paragjykime të cilat e kanë kushtëzuar deri më sot inferioritetin e tij, për të mos thënë shkallën e ulët të zhvillimit e për pasojë dhe intolerancën e agresivitetin.
Pabarazia e vlerave të individëve në fusha të caktuara varet nga prirjet e dhuntitë e tij, nga formimi dhe trashëgimia, pra nga e kaluara e tij, e nga një sërë faktorësh që lidhen me ambientin dhe shoqërinë që e rrethon e në të cilën është rritur, jeton e punon. Po kështu aftësia e vlerat e individit nuk janë të njëjta në kohë e situata të ndryshme. Varet nga puna dhe këmbëngulja e tij për t’i zhvilluar dhe rritur ato, ashtu siç varen dhe nga mjaft faktorë të tjerë, të cilët ai nuk i sundon dot, janë të pavarura prej tij.
Thyerja e këtij miti, sipas të cilit secili prej nesh është i parë, është më se i domosdoshëm për përparimin e individëve dhe shoqërisë shqiptare, për integrimin e saj në botën e qytetëruar e demokratike. Nënvizoj, për integrimin e shoqërisë shqiptare, sepse shumica e shqiptarëve në kontakt e marrëdhënie me të huajt ndiejnë realisht vlerat e tyre personale dhe domosdoshmërinë e hierarkisë. Është kjo arsyeja që shumica e tyre në dhe të huaj lufton e punon për të ecur përpara e për t’u afirmuar, për të mbijetuar e për t’u pasuruar duke u integruar.
Ka qenë një mbivlerësim (mendjemadhësi deri në marrëzi) që ka bërë të dështojnë tentativat për përfshirjen e shqiptarëve në bashkësi e kuvende, kur ato kanë qenë të domosdoshme për ndërmarrjen e veprimeve kolektive që nga fusha ekonomike e deri në luftëra. Kush njeh historinë e popullit shqiptar nuk ka si të mos jetë ndeshur më tepër se një herë në fakte të tilla, rrjedhojë e natyrshme e pamundësisë për të qenë ushtarë por vetëm kumandarë, për të mos qenë punëtorë, por vetëm drejtorë ose pronarë. Në këtë vështrim janë mjaft kuptimplotë fjalët e urta të shqiptarëve të cilat nga njëra anë kanë trupëzuar mendime e veprime tradicionale të tyre. Unë po përmend nja dy prej tyre: “Më mirë i pari në fshat, se i dyti në qytet” dhe “Pyet njëqind vetë dhe bëj si di vetë”. Kjo qenësi i siguroi racës shqiptare mbijetesën në kohërat e vjetra dhe mesjetën e hershme. Por sot, në kohët moderne, nuk mund të jenë më model sjellje apo rregulla për t’u ndjekur që të sigurojnë mbijetesën. Përkundrazi.
Megjithatë nuk ka patur anarshi, sepse brenda territorit që në një mënyrë apo një tjetër përbënte një njësi, marrëdhëniet rregulloheshin nga e drejta zakonore, në themel të së cilës ishin ligje të vjetra që përmbanin parime të vjetra iliro-shqiptare, ligje të përftuara e zhvilluara apo ndryshuara edhe me kontaktin me botën greko-romake e bizantine e më vonë atë turko-osmane. Brenda këtij territori, në kushte të përcaktuara, sigurohej bashkërendimi i veprimeve, sjelljeve dhe marrëdhënieve (në fusha ku ato nuk mund të shmangeshin). Sigurohej gjithashtu edhe nënshtrimi (respektimi) absolut nga individi i këtyre rregullave të bashkëpranuara.
Për fat të keq, dëshira për të qenë të parë sillte për pasojë mosbashkëveprimin për interesa të përbashkëta, konservatorizmin si element të shfaqjes (dialekte, veshje, doke e zakone). Në të tilla rrethana të huajt e kishin më të lehtë për të sunduar ndër ne. Por dhe shqiptarët pranonin më mirë një të huaj se sa vendasin, ose ta themi më mirë, për të mënjanuar një shqiptar, i hapnin rrugë të huajit për të drejtuar në rastin kur respektonte rregullat e vendit, por atë sidoqoftë nuk e integronin në shoqërinë shqiptare të njësisë. Nuk është e rastit që mosha (dhe “dera” deri vonë) vlerësohej në kuvende e gosti, sepse ajo nuk ishte veçori apo meritë e individit, që të rrezikonte të përulte të tjerët.
Ky iluzion për të qenë vetëm të parë ose së paku, për të qenë i barabartë në gjithçka me të tjerët, pruri në idenë e mospranimit të të ndryshmit (të dallueshmit prej teje), të veprimeve e zgjidhjeve të ndryshme apo debatin. Një qëndrim i tillë sjell në mënyrë të pashmangshme e të përhershme intolerancën ndaj “të tjerëve”. Madje dhe dëshirën apo kërkesën absurde për nënshtrimin e atyre që janë bartës të ideve të ndryshme. Në kanun ai që vepron ndryshe (apo del kundër) duhet të zhbiret. Nëse në të kaluarën e popullit tonë homogjenizmi i veprimeve, si në betejë, ishte kushti bazë për bashkëjetesën e grupit, sot në kohët moderne kjo bëhet pengesë.
Nga i njëjti motiv lind dhe ideja e shkallmimit (mundësisht nga themelet, domethënë shkatërrimit të gjithçkaje që kanë bërë paraardhësit. Vetëm mendjemadhësia e shfrenuar mund të të shtyjë të mendosh se vetëm ti di gjithçka e se të tjerët gabojnë gjithnjë e në çdo gjë e për këtë me mua fillon bota, refren që e dëgjojmë në të gjitha fjalimet që jep media zyrtare. Mjerë ata që mendojnë kështu, mjerë ata që u venë pas e shpresojnë tek ata. Për një jetë shoqërore është i domosdoshëm pra, bashkëveprimi me të tjerët dhe nënrendimi i veprimeve mbi bazën e rregullave të paracaktuara e të pranuara nga shumica e që kanë dhënë rezultate pozitive në vende të tjera. Pa këtë, ka vit zero e nuk mund të ketë përparim, cilindo që të mburren se kanë prapa e që i mbështet, bartësit e këtij mendimi.
Një aspekt i ngjashëm i këtij veprimi është dhe mohimi i barazisë përpara ligjit që fillon me ty e që ti pastaj i jep vetes të drejtën që klanin tënd familjar, miqtë (qoftë dhe vasalë e trima) t’i përjashtosh nga detyrimet (apo ndëshkimet e ligjit). E shprehur më ndryshe, kjo do të thotë: “Ligjet bëhen për të tjerët”. Të pallogaritshme e të paimagjinueshme janë pasojat e një qëndrimi të tillë, sepse nga pabarazia lind në mënyrë të pashmangshme padrejtësia. Në këtë rast të fundit, ata që duhet të japin Drejtësi apo të vendosen në rolin e Arbitrit të Lartë, mund të bëjnë gjithçka. Të dallosh veten nga të tjerët sepse je “i parë” duke u vendosur mbi ligjin dhe rregullat me të cilat funksionon shoqëria e shteti, qoftë dhe një strukturë e tyre, do të thotë ndër të tjera të kërkosh trajtim të veçantë preferencial më të mirë se të tjerët, ndërkohë që në një shtet të mbështetur në ligjet dhe ekonominë e tregut të lirë, vendi i individit përcaktohet me ligj ashtu si edhe të drejtat e detyrat e tij, ndërsa pozicioni ekonomik e shoqëror është rezultat i veprimtarisë së tij e mbështetur dhe kjo në ligj dhe në nismën e lirë.
Fatkeqësisht sot gjithsecili e quan veten të parë e mbi të tjerët. Kjo është arsyeja që vetëm shtrojmë teori dhe nuk pranojmë debatin dhe përse të mos i themi shqip, nuk pranojmë as pluralizmin, i cili përligj “të ndryshmen” në ide e veprim. E them këtë sepse sot gjithnjë e më tepër “politikanët” shqiptarë që kalojnë një pjesë të mirë të vitit jashtë shtetit, kur kthehen këtu, na flasin për qeveri të të gjithë partive e për kompromise. Është kthimi në tezën e Ramiz Alisë të vitit ’90 që shqiptari nuk do pluralizëm, se nuk është bërë për pluralizëm. Kjo do të thotë ndër të tjera që “etërit e kombit” (sigurisht të vetëzgjedhur) të jenë gjithnjë në qeverisje.
Zotërinj! E provuam partinë e vetme dhe idenë e vetme (do të thotë e njëjtë për të gjithë), e provuam për 50 vjet katastrofën që rezulton kur s’ka pluralizëm; nuk ka përse të kthehemi prapë atje. Le t’u sigurojmë shqiptarëve zgjedhje të lira, të fshehta e të ndershme dhe sa më parë. Ai që fiton, le të qeverisë. Të mësohemi me këtë. Nëse na u kthye mendja apo qeveria mashtron, të gjenden zgjidhje brenda kushtetutës, por gjithnjë të jenë kriter gjykimi, ligjet dhe rezultatet e politikës qeveritare. Në asnjë vend marrja e armëve nuk quhet kushtetuese dhe ata që e shkelën njëherë, nuk mund të jenë kurrë demokratë. Për sa i përket zgjedhjeve, mendoj se ato duhet të përmbushin vetëm kushtet e mësipërme. Ata që përdorin terma të tjera, le t’i provojnë në vendet e tyre.
Duke u vetëkonsideruar i parë, askush ndër ne nuk pranon përgjegjësitë e tij, madje fajin e gjejmë gjithnjë te të tjerët. Kështu, kur analizojmë vitin ’97 dhe zjarrin që u ndez në Shqipëri, nuk duhet të akuzojmë grupime apo individë të veçantë, sepse për zjarr duhet shkrepja, drutë dhe dikush që i rregullon, u hedh benzinë apo i fryn. Le t’i përcaktojmë këta të gjithë, vetëm atëherë do të mos përsëritet çka ndodhi.
I njëjti gjykim vlen dhe në rrafshin e veprimeve individuale. Janë të shumtë ata që duke e quajtur veten të parë e mbi të tjerët (ose duke mos pranuar askënd mbi vete), “marrin” mbi vete (të sigurt për një mision hyjnor) të drejtën për të vepruar jashtë ligjit, deri në përdorimin e forcës ndaj kundërshtarëve. Me një fjalë shkelin të tjerët me këmbë. Kur kjo bëhet kolektivisht, në euforinë e veprimeve kalohet çdo kufi i barazisë. Tashmë për këtë në Shqipëri askush s’ka dyshim. Kohët e fundit kanë dalë mjaft njerëz që mundohen të përligjin qëndrimin e tyre duke kërkuar nga të gjithë nënshtrim që sot e tutje, zbatimin e ligjit që sot e tutje, respektimin e shtetit që sot e tutje, ndalohet të shahet qeveria që sot e tutje etj. Këta janë mjeranë e koha do t’u tregojë vendin. Këto gjëra në një pjesë të tyre janë e kanë qenë të ndaluara dhe nuk ka pse të mos ndëshkohen që dje e të fillojmë nga e para sot.
Pjellë e të njëjtës mendjemadhësi (marrëzi) është kultivimi i shpifjeve pa kufi, fyerjet e përditshme që gjithkush mendon se ka të drejtë t’i bëjë (kryesisht kundërshtarëve politikë) bashkëqytetarëve të tij. Përsëritja e papërgjegjshme e tyre ka bërë që shqiptarëve t’u mvishen veset më të këqija dhe të krijohet ideja se të gjithë janë të tillë. Në rrethana të tilla mos të shqetësohemi kur na përbuzin të huajt apo pse janë të shumtë ata që largohen nga Shqipëria. Unë mendoj se jemi thuajse të rrëzuar në tokë me pak shpresë për t’u ngritur në këmbë. Duhet që gjithsecili prej nesh të ndryshojë, të bëhet njeri dhe politikanët e gazetarët në radhë të parë.