Aleksandër Çipa: Himara, perla e papushtuar e Jonit

(Botuar me 25 qershor 1999 në KOHA JONE)

Nga Aleksandër Çipa

Ka 15 vjet që i sotshmi 85-vjeçar, Lefter Mërkuri, në fshatin Pilur të Vlorës ka parabërë varrin e vet në varrezat e bukura të gjendura pas lisave. Në gjestin, shumë pak të kuptueshëm të tij, bashkëfshatarët e mbetur pas ikjes së njohur të emigrimit, shpesh vlerësojnë sipërfaqshëm një lloj lajthitje. Në të vërtetë, në banesën ku mbetet me djalin mbi 50 vjeç dhe nusen e tij, ky plak i veçantë, vazhdon t’i mbajë të pazakonta simbolet që i kanë rënduar gjithë jetën deri në sakrificë. Është një maliher i mbajtur qysh nga Lufta e parë italo-greke si dhe një shkop që të kujton identikisht Idriz Gurin. Në këtë koleksion përfshihet edhe një fyell, i cili ka shënuar rastin e shoqërimit, për herë të parë, në një festival folklorik kombëtar të këngës së njohur “Bejkë e Bardhë” të këtij fshati. Secila nga këto relike ka një historik më vete. Për shkak të gdhendjeve dhe kodit të veçantë në shkop, në vitin 1967, plaku Mërkuri arrestohet dhe i sekuestrohet relikja. Fill pas daljes që shënoi disa vjet rresht vuajtje qelie, me pasionin e memorien e vet e riprodhoi në kopje tjetër. Është me të vërtetë një relike që mund të emërtohet si një antologji prej druri e historisë dhe emrave historikë. Mund të thuhet se në shkopin e tij që me tepër se për mbështetje është latuar dhe gdhendur për të “lënë fjalë të trokëllimëta”, plaku i sotshëm ka shënuar një sfidë e cila jo nga shumë mund të kuptohet. I gjendur në banesën e tij në Pilur, duke riprodhuar një këngë për një pinjoll të fisit të vet, citon “Shokë mbeçi të rënkuar/, shpirtin e bukur ia muar/ 200 bura të helmuar/ 300 me cigar në duar/ 300 gra flokëlëshuar….”

Nën këto fjalë kaq kulluese, nusja e moshuar e shtëpisë punonte një velenxë në qendër të së cilës shquante një figuracion i veçantë. Me zgjatjen e çasteve të ndenjes në banesën e këtij plaku, natyrshëm imagjinata vihej në mundim për të deshifruar konstelacionin që mbushte gjestet dhe reliktet e plakut. Në krye të varrit të parabërë, pranë të cilit me një gjest shumë bindës të shpie vetë ky plak, me dorën e vet ka gdhendur:” Jam këtu…” Gjeste të tilla të japin frikën e përjetimit të mitologjisë, apo të besueshmërisë së misticizmit që tashmë rrallë na bie rasti ta ndeshim. Mirëpo kjo qenie në perëndim moshe është një rast që i shtohet ekzotikes që mund të ndeshësh dhe plotësosh sapo zbret në atë që ndryshe njihet si Bregdet i Himarës.

Zona me pasurinë e rrallë ekzotike

Dy vizitorë gjermanë të mbërritur një ditë të vitit 1996 në Pilur kishin mbetur të befasuar nga rasti Mërkuri. Të ardhur me synimin për botimin e një libri me befasitë e kësaj zone, ata, sapo kishin lënë takimin me plakun ishin shprehur: Këtu njerëzit mund të gjejnë realitetet e veprave të shquara të letërsisë botërore. Dhe jashtë këtij konstatimi romantik, gjermanët turistë kishin kërkuar blerjen e një cope trualli për të patur të drejtën e jetesës sezonale. Ndërsa kur në vitin 1995 në bazën ushtarake të Porto Palermos gjendej me cilësinë e vizitës njëri nga krerët e Ministrisë së Mbrojtjes gjermane, ai ishte shprehur: “Mesdheu nuk e di ku e ka krenarinë”. Shumëkush mund t’i gjykojë këto vlerësime si entuziazëm i shkruesit të kësaj origjine. Mirëpo, e vërteta për atë që ndryshe mund të quhet “botë turistike shqiptare”, fatkeqësisht mbetet e panjohur dhe e neglizhuar nga shteti shqiptar.

Në Dhërmi të Vlorës, i cili njihet si njëri ndër dy komunat e kësaj krahine, rreth 60 metra ndanë rrugës kombëtare gjendet varri i Petro Markos, shkrimtarit që mbeti i veçantë edhe në gjestin e ikjes nga jeta për shkak se kërkoi për varr vendlindjen e vet. Në këtë fshat të njohur qysh nga antikiteti shqiptar, sot mbretëron një përpjekje për atë që mund të quhet “jetë prej turizmit”. Para tre vjetësh në Dhërmi kishte mbërritur një mesazh nga një multimilioner amerikano-shqiptar, i cili veç të tjerash shtonte se: “Jam i gatshëm të investoj në vendlindjen time për ta lidhur atë me shumë brigje dhe shumë qytete të Botës…” Në të njëjtin kontekst duhen marrë edhe disa të vërteta që na i jep si kureshtje një hulumtues antikuarësh në këtë zonë, i cili shton se “në Bregdet ka aq shumë antika sa nuk mund të gjenden askund…”

Gjatë tre vjetëve të fundit ngutja e bregdetasve për të shfrytëzuar resurset turistike të zonës është shumë e dukshme. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Anest Dhimojani, flet se në prag të këtij sezoni veror në Himarë janë përgatitur rreth 400 familje për të ushtruar atë që quhet turizëm familjar. Madje në Himarë ka dhoma dhe saleta, siç i quajnë vendasit, të cilat mund të lenë pas edhe atë traditë shumëdekadëshe të ndeshur në ishujt grekë që gjenden përballë këtij bregu. Dekori i turizmit shqiptar në Himarë është i plotë. Por mungesa e dorës së shtetit, ka lënë pas vetëm fitimin e kohës.

Anarkia në Bregdet ose periudha e investimit

Gjatë ’97 në qytezën e Himarës u derdhën në formë betoni rreth 5 milionë dollarë investime. Ishte një periudhë që mbretëroi si kudo në vend arbitrariteti. Banorët e Himarës si në shumë qytete të tjera bregdetare përfituan dhe dhanë shembullin e shfrytëzimit të lirisë së kufizuar për ndërtim gjatë periudhës së qenies së shtetit. Aktualisht në këtë qytezë kanë mbetur mbi 200 skelete të mëdha hotelesh, të cilat jo shumë por pas 10 vjetësh mund të shndërrohen në një sfidë për krejt bregun jonian këtej dhe matanë tij.

Ish-kryeministri shqiptar, Aleksandër Meksi duke folur në një ditë të zakontë për ngjarjet shkatërruese të ’97, citonte se “Është i vërtetë fakti që bazat detare dhe shteti, së pari, u shkatërrua në zonën bregdetare të vendit. Atje ku gjatë periudhës ’94-96 lulëzoi investimi për turizmin e ardhshëm.” Ky konstatim në të vërtetë mbështetet nga fakti që në shtypin grek gjatë kësaj periudhe shpesh përflitej se bregu shqiptar i Jonit, po grishte turistë që i përkisnin gjer atëherë turizmit të monopolizuar grek. Madje në këtë vend ku mbetet apoteoza e infrastrukturës, gjatë kësaj periudhe shënoheshin frekuentime që sillnin përfitimin e rreth 10 mijë dollarëve në ditë nga lokalet e Himarës. Dhe, fill pas kësaj, erdhi humbja e madhe e rreth 70 milionë dollarëve nga banorët e kësaj krahine nëpër firmat piramidale. Dhe kjo ndodhte pikërisht në prag të atij lulëzimi që do t’i jepte Himarës mundësinë e një konkurrence në rritje për turizmin mesdhetar. Pikërisht në këtë kohë në qytezën modeste, ndonëse me pengesa të shumta administrative dhe burokratike, mbërrinin rregullisht rreth 8 autobusë turistikë të agjencive dhe firmave greke dhe italiane. Ishte shënuar kështu prologu për…

Moli i Himarës tremb shtetin

Ka mbetur ende e fshehtë biseda e ish-presidentit shqiptar, Berisha, me ish-presidentin amerikan Xhorxh Bush dhe multimilionerin grek, me origjinë shqiptare, Llacis, e zhvilluar në një ditë pranverore ne brigjet e Vlorës. Përveç thelbit politik të saj, siç është përfolur, në këtë takim është kërkuar edhe një kooperim i cili përfshinte një investim tashmë të refuzuar.

Për ironi të fatit, në Himarë, qysh nga koha e monizmit është projektuar një mol, i cili nëpër projektet e disa ministrive emërtohet si port. Si edhe në shumë raste të tjera, në Himarë shteti ynë i trembet këtij moli. Është kjo arsyeja që prej vitesh mbeten të penguara Shoqëritë turistike greke të cilat tashmë agjentët e vet i mbajnë prej vitesh në Shqipëri.

Në Himarë hotelieri N. Goro shprehet se: “Moli ynë mbahet peng nga zyrtarë në Vlorë dhe në Tiranë.” Gjuha e tij jep në vijim të këtij pohimi disa shfaqje penguese të krejt administratës shtetërore, që nga prefektura e Vlorës e deri në kryeministri.

 Kalaja e Porto Palermos, “prika” e dyfishtë

Katër kilometra larg Himarës gjendet gjiri i Porto Palermos. Një nga pikat më të bukura të Bregdetit shqiptar. Në vitet 800 në këtë gji është ngritur Kalaja e Ali Pashë Tepelenës, e cila, sipas banorëve të këtushëm, u ngrit si një lloj “prike” brenda dashurisë së njohur të pashait shqiptar me Vasiliqinë. Në fakt ky është shpjegimi romantik i kësaj ngjarjeje.

Por si pikë strategjike, në atë periudhë të trazuar, ky gji i skalitur nga natyra, më shumë se për gjithçka vlente për mbrojtje. Pikërisht në vitet ’60-të të këtij shekulli në këtë gji shteti monist derdhi disa dhjetëra dhe qindra milionë dollarë për bazën e quajtur “krenaria e bazave luftarake detare të Mesdheut”. Dy kala në pamje të ndryshme. Njëra tashmë si një relikë e bukur mbi ishullin e vogël, dhe tjetra e mistershme për shkak të strukjes nën “barkun” e brigjeve të gjirit. Është plotësuar në këtë gji ajo që sipas shumë ekspertëve, mund të quhet oazi i pazëvendësueshëm i turizmit shqiptar. Kjo “prikë” natyrale për këtë mundësi zhvillimi mbetet deri tani e lënë në vjetrimin e saj. Dhe kjo vetëm për shkakun e një rruge që duhet të hapet mes Sarandës dhe Vlorës. Nëse do të ndodhte kjo, shprehej dikur Petro Marko: “do të ishte Himara perla që do të joshte gjithë Botën”.

 

SHKARKO APP