Alfred Peza: E djathta dhe e majta
(Botuar me 14 Tetor 1997 në KOHA JONE)
Alfred Peza: E djathta dhe e majta
Kur Fatos Nano, në rolin e kryeministrit, do të deklaronte se Qeveria është e angazhuar në realizmin e reformave agresive të djathta, pak vetë e kanë kuptuar thelbin e saj. Thënia është marrë si shkarje djathtas e PS, e jo si ndërmarrje e detyruar reformash emergjente të qeverisë së koalicionit. Në një letër të hapur që ish-lideri i PS Servet Pellumbi, i bënte Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të partisë, kritikohej ashpër kjo tendencë e Nanos. Janë të shumtë qytetarët që janë trembur dhe presin tashmë me ankth radikalizmin e situatës ekonomike, që nuk po ndihet deri më tani. Moskuptimi i qytetarëve vjen edhe për shkak të akademizmit të theksuar të Nanos në trajtimin e problemeve të ndjeshme social-ekonomike. Por nga deklarimet e Nanos, kanë mbetur të kënaqur përfaqësuesit e lartë të organizmave euro-atlantike dhe ky është hapi i parë i qeverisë shqiptare për zhbllokimin e projekteve të Qeverisë Meksi dhe mundësimin e marrjes së ndihmave të tjera për vendin. Nano e ka kuptuar tashmë se çfarë u pëlqen atyre të dëgjojnë.
Sipas Pëllumbit, programi i të majtës, nuk mund të pranojë “masa me karakter të djathtë të imponuara”. Këtë gjë, ai e mbështet në thënien e kryeministrit se “Bibla politike e veprimtarisë së ardhshme të PS, është programi politik i qeverisë së re që është i qendrës së djathtë”. Teza e Pëllumbit mbështet në faktin se në një vend tejet të varfër si yni, duket një kontradiktë absurde zbatimi i një programi të djathtë pa një klasë të tillë të konsoliduar.
Por në rastin konkret bëhet fjalë për reforma, të cilat kjo qeveri është e detyruar t’i kryejë dhe që janë të realizueshme. Dhe në fund, kur arrihet vendosja e rendit makroekonomik, i kërkuar nga FMN e BB, vjen ulja e çmimeve, rritja e ndihmës sociale e përmirësimi i pagave e pensioneve, gjë që është në favor të shtresave të varfra. Kjo mund të jetë llogaria dhe domethënia e deklaratave të Nanos, që padyshim nuk ka ndërmend të ndryshojë elektoratin e tij. Kjo është rruga e vetme që i ka mbetur liderit të PS për të realizuar programin e shtresave që përfaqëson.
Një politikan si Nano e ka marrë parasysh se me reformat e para do të shtojë pakënaqësitë brenda radhëve të partisë së tij, por për të preokupimi kryesor mbetet faktori ndërkombëtar, mbështetja e të cilit do të sjellë para dhe stabilitet ekonomik dhe për rrjedhojë jetëgjatësinë e kësaj qeverie. Faktori i brendshëm, që rrëzoi pak kohë më parë Berishën, mbetet më pak i rëndësishëm për Nanon në këto momente. Zërat që mund të dalin kundër tij në Konferencën Kombëtare të PS, nuk e shqetësojnë kryeministrin, i cili edhe nga burgu ka ditur të “bëjë zap” partinë që drejton. Letra e fundit e Pëllumbit, megjithë sensin tepër social të saj, e ka ndihmuar pa masë Fatos Nanon për të bërë të besueshme kartën e tij ndërkombëtare. Ai tashmë duket se e ka përkthyer letrën e ish-nënkryetarit për ta patur me vete në valixhen diplomatike, gjatë udhëtimit për në Romë e Bruksel.
ALFRED PEZA