Alfred Peza: Zbulohen eshtrat e Fiqirete Shehut
(Botuar me 21 Maj 1996 në KOHA JONE)
Nga Alfred Peza-
Afro 70 kilometra larg kryeqytetit një varr pa emër, vetëm me numrin e të burgosurit, së bashku me të vdekurit në kampin e Zejmenit
Tiranë – Ka zgjatur plot 2800 ditë varrhumbja, për gruan e ish numrit 2 të Shqipërisë. Eshtrat e Fiqirete Shehut, gruas së kryeministrit për 30 vjet, Mehmet Shehu, pas një aventure sfilitëse të të birit, vetëm dje pasdite në orën 14.30 janë prehur për herë të parë me emrin e saj, në varrin më të ri të Tiranës. Një fshat i vogël afro 70 kilometra nga kryeqyteti mësohet vetëm pak orë më parë, të ketë qenë edhe vendi që ka strehuar për afro 8 vjet, të fshehtën përvëluese. Ka qenë një varrmihës profesionist, pas sigurimit të të dhënave tepër të sakta nga më të afërmit e “ex second lady-t”, që ka bërë edhe zbulimin e skeletit të trupit, të njërës prej personazheve qendrore të jetës shqiptare komuniste. Gruaja e ish kryeministrit Shehu, kishte vdekur në repartin 313 të Tiranës, në kohën kur ishte duke vuajtur dënimin e saj. E arrestuar vetëm pak javë pas vdekjes ende enigmatike të të shoqit, së bashku me Hazbiun, Shehun, Peçini, Ziçishtin, u dënuan nga gjykatat shqiptare pas “zbulimit nga Enver Hoxha të këtij grupi armiqësore”. Dënimi për to u dha me 10 vjet heqje lirie për “tradhti ndaj Atdheut, në formën e dhënies në shërbim të agjenturave të huaja”. Sipas versionit zyrtar, shkak për vdekjen e Shehut në burg në natën e 10 të Shtatorit 1988, ishte “ infarkti i miokardit”. Afro një muaj më pas në burgun e Burrelit, djemtë e saj Bashkimi dhe Skënderi, pas vonesës së korrespondencës me të, kishin mësuar edhe lajmin e dhimbshëm. Pas përfundimit të dënimit në Marsin e 1991, djemtë kishin filluar edhe kërkimet për gjendjen e varrit. Kanë qenë të kota përpjekjet e tyre, për gjetjen e vendprehjes së nënës, deri në Marsin e 1992. Vetëm pas kësaj, me ndihmën edhe të Ministrit të Brendshëm të Qeverisë së PD, është mundësuar saktësimi i vendit të fshehtë, për t’u gjendur, zhvarrosur e rivarrosur vetëm pak orë më parë. Mësohet të kenë qenë varrezat e fshatit Gajushë, vetëm 12 kilometra pa mbërritur në Lezhë në të majtë të rrugës nacionale Tiranë-Shkodër, vendvarrimi i Fiqirete Shehut. Dje në orët e para të ditës, pas paraqitjes në varrezat e fshatit të vogël të dokumentit përkatës, varrmihësi i saj, ka lejuar kryerjen e ritit të zhvarrimit të kufomës. Në këtë vend gjenden disa varre të burgosurish, epitafi i vetëm i të cilave, janë disa numra që korrespondojnë me një tjetër të tillë në një regjistër të administratës së përgjithshme të burgjeve, që përbën edhe kodin për identifikimin e personit të vdekur në burg. Veç Shehut, varre të tjera të kësaj natyre, mësohet të jenë të të vdekurve, në kampin e Zejmenit të rrethit të Lezhës. Kufoma e gruas së ish kryeministrit, dje është gjendur dhe pas zbulimit, skeleti është i ruajtur në një gjendje shumë të mirë, pa patur ndonjë dëmtim apo shenjë të dyshimtë në skelet. Madje sipas të birit “nuk ka më asnjë dyshim mbi ekzaktësinë e gjetjes”, pasi të dhënat antropometrike të skeletit, përputheshin plotësisht me të dhënat fizike të nënës së tij. Sipas juristëve të vjetër, në atë kohë kanë ekzistuar rregulla plotësisht të përcaktuara, ku për të vdekurit e asaj periudhe në burgje, mbaheshin procesverbale të sakta, një varr i thjeshtë me disa lule përsipër, më i ri në periferinë perëndimore të varrezave të kryeqytetit, është tashmë edhe banesa e fundit e Fiqirete Shehut.
Intensitet kërkimesh për gjetjen e varrit të ish Kryeministrit
“Shumë shpresa për gjetjen e eshtrave të Mehmet Shehut”
Nuk ka përfunduar dje aventura e kërkimeve të djalit të ish Kryeministrit, që ka mbajtur më gjatë në historinë e Shqipërisë këtë post. Janë edhe eshtrat e tij, për të cilat vazhdojnë kërkimet prej 5 vjetësh. Sipas versionit zyrtar, (tani gjithnjë e më pak të besueshëm), Mehmet Shehu është vetëvrarë “në një moment krize nervore”, në natën e 17 duke zbardhur 18 Dhjetori i 1991, në dhomën e tij të gjumit. I varrosur në atë kohë në Veri të varrezave të Kombinatit në kryeqytet, sipas varrmihësve ai ruhej natë e ditë me roje. Vetëm disa muaj më pas, në një të hënë të fillim vitit të 1983, natën është bërë varrimi i kufomës së tij, jo nga punëtorët e shërbimit funeral, për t’u varrosur më pas në një vend të panjohur. Është shumë i mundshëm versioni, që urdhrin për këtë, ta ketë dhënë vetë Enver Hoxha, e ta ketë zbatuar sigurimi i shtetit. Ka qenë këmbëngulja e djalit të vogël i vënë në kërkim të eshtrave të babait që ndoshta do të çojë në zbardhjen e enigmës së madhe të gjetjes së vendvarrimit të numrit 2 të Shqipërisë të asaj kohe. “Kam shumë shpresa për gjetjen e eshtrave të babait. Ndoshta kjo gjë është vetëm punë ditësh”. Pas kësaj mësohet se Mehmet Shehu dhe bashkëshortja e tij do të prehen në një varr të përbashkët si edhe vetë fati i tyre.
ALFRED PEZA