Alfred Peza: Zhduken 2.6 miliardë dollarë, mijëra qytetarë të mashtruar
(Botuar me 9 Prill 1996 në KOHA JONE)
Nga Alfred Peza-
Tiranë – Shënohet edhe shifra më marramendëse e mashtrimit të realizuar nga qytetarët e Shqipërisë. Pas një denoncimi të SHIK-ut në fundin e javës së kaluar, dje Gjykata e kryeqytetit firmosi arrestin ndaj tre krerëve të një firme tregtare. Deri tani numërohen mbi një mijë qytetarë të mashtruar me një shumë që sipas burimeve të gjykatës, kap shumën e 2.6 milionë dollarëve. Të denoncuar publikisht nga vetë huadhënësit fillimisht te Presidenti i Republikës për moskthim të përqindjes së fajdeve, pak ditë më parë, ka qenë organi i shërbimit informativ kombëtar denoncues i superskandalit. Dje gjatë vlerësimit të masës së arrestit në gjykatë për tre tregtarët, është dëgjuar për herë të parë të flitet edhe për transaksione financiare të dyshimta që i kalojnë jo vetëm kufijtë e Shqipërisë por edhe të kontinentit tonë. Hipoteza dhe pikëpyetje të shumta tashmë janë ngritur para organit të hetimit për zbulimin ndoshta të një skandali që mund të tejkalojë së tepërmi, për nga misterioziteti dhe shuma, edhe më të njohurit deri tani, si “Arsidi”, “Sejdia”, “Epidam”, “Limani”, “Blini” etj. Janë Irfan Cani, Fadil Kastrati dhe Mehmet Bushi, pronarë të firmës “Arkond” me qendër në Selenicë të Vlorës dhe filiale në disa nga qytetet kryesore të vendit ndaj të cilëve dje gjykata e Tiranës vendosi masën e arrestit në qeli. Ndaj tyre rëndon akuza e ngritur nga SHIK-u me firmën e vetë kreut të tij Bashkim Gazidede, për “mashtrim në bashkëpunim”. Pikënisja e kësaj mase kanë qenë vetë qytetarët e Selenicës, qendra edhe ku ishin thithur me fajde shumat marramendëse, gjatë vizitës së Berishës në këtë qytet afro një muaj më parë. “Kemi dhënë para, por ka disa muaj që nuk na kthehet si më parë rregullisht, përqindja e fitimit që na ishte premtuar” – ka qenë thelbi i shqetësimit drejtuar kreut të vendit. Madje hijet e dyshimit ish lënë të nënkuptohej se binin mbi vetë shtetin, ku tregtarët mund të kishin mbështetje. Por pikërisht pas kësaj ka qenë vetë shërbimi informativ që e ka ndjekur këtë problem dhe pas disa veprimesh ka iniciuar denoncimin e radhës. Tre drejtuesit e ndaluar, të firmës tregtare të pagëzuar që më 1993 me emrin “Arkond”, janë të moshës nga 42 deri në 54 vjec ku njëri nga Vlora ndërsa dy të tjerët nga Karaçeva dhe Kaçaniku i Kosovës. Në veprimtarinë e tyre tregtare njihet një ndërmarrje mobiliesh në Lezhë dhe aktivitete në Lushnjë, Vlorë e Selenicë. Madje botimi i kësaj firme për disa muaj në mesin e vitit të kaluar, ka qenë edhe gazeta e përditshme e njohur me emrin “Aleanca Nacionale”. Mekanizmi i mbledhjes së parasë nga kjo firmë, mbi të cilën ishte ngritur edhe shumica e veprimtarisë së saj duket të jetë i njohur për shqiptarët. Grumbullohen shuma të mëdha parash nga qytetarët kundrejt një përqindje fitimi mujor për ta, shuma më të mëdha se ato që ofrojnë bankat aktualisht. Çdo muaj, bëhet likuidimi i përqindjes së interesit dhe shuma kthehet e plotë kur huadhënësit e kërkojnë një gjë të tillë. Në një periudhë prej disa muajsh, likuidimi ka qenë i rregullt derisa vetëm tre muaj më parë, sipas gjykatës, kanë filluar anomalitë. Pasi është shtyrë disa herë afati i kthimit, qytetarët e Selenicës i janë ankuar Berishës. Dje gjatë zhvillimit të seancës për vlerësimin e masës së arrestit për tre të ndaluarit, mësohet se tregtarët e akuzuar për mashtrim janë mbrojtur se “do t’i kthejnë shumat e marra qytetarëve, por masa e arrestit në burg do t’i pengonte ata për të zhvilluar disa transaksione bankare që do të mundësojnë këtë gjë”. Sipas shpjegimeve të tyre në gjykatë, por më parë edhe në prokurori, ata kanë kërkuar një kredi në vlerën e 75 milion dollarëve në një bankë nigeriane. Kanë paguar edhe një përqindje që kap shumën e qindra mijë dollarëve si garanci për lëvrimin e kredisë 20-vjeçare dhe me interes të ulët. Veç kësaj mësohet se, mundet që si garant për këtë të kenë ndërhyrë persona në Belgjikë kundrejt bakshisheve që kapin shifrat nga 500 mijë deri në 1 milion dollarë. Sipas shpjegimeve të të akuzuarve, kredia për ta pritet të lëvrohet brenda 15 Prillit. Pas kësaj shume do të transferohej në “American Central Bank”, prej andej në Frankfurt të Gjermanisë e më pas në një nga bankat shqiptare. Por burime të hetimit shpjegojnë se fakset e paraqitura si argument janë paksa të dyshimta kur nuk kanë të shënuar në të adresa të sakta e të besueshme. Vetë Nigeria në të cilën sundon aktualisht një juntë ushtarake, njihet si një vend tipik i grupeve mashtruese. Ndërkohë që pas kërkesës së prokurorisë, dje gjykata firmosi arrestim me kush për 15 ditë në qeli, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për versionet e mundshme të këtij skandali. Deri tani kryesori duket se mbetet varianti i mashtrimit nëpërmjet fajdeve i simbolizuar tashmë me emrin “Sejdia” por ndoshta kemi të bëjmë, sipas organeve kompetente, edhe me pastrim parash apo një skandal multilateral. Pas dy javësh kur pritet paraqitje e provave të tjera nga prokuroria, gjykata do të vendosë edhe për masën e arrestit përfundimtar për tre të akuzuarit për zhdukjen e 2.6 miliardë lekëve, shumë e cila mund të rezultojë edhe më e madhe pas dëshmive të qytetarëve të dëmtuar./Alfred Peza/