Alfred Uçi shkruan për KOHA JONE

(Botuar me 8 gusht 1999 në KOHA JONE)

Profesor Alfred Uçi: Menjëherë pas Çlirimit, për meritë jo vetëm të ministrit të atëhershëm të Kulturës, Sejfulla Malëshovës, por edhe për shkak të karakterit demokratik e liridashës të Luftës Nacionalçlirimtare, pati një frymë pluraliste në krijimtarinë artistike

Shkruar nga Alfred Uçi-

Kam ndjekur me interesim diskutimet rreth të ashtuquajturës ekspozitë retrospektive të “socializmit shqiptar”. S’besoj të ketë njeri që të mos e ketë vënë re karakterin provokativ të saj. Them “provokativ”, për mirë ose për keq, gjë që po e tregojnë qartë diskutimet aprovuese e disaprovuese të saj. Dikujt mund t’i duket se kjo ekspozitë u bë, që të mbushte zbrazëtinë e krijuar në Galerinë Kombëtare të Arteve nga stivosja në bodrumet e saj për një kohë të gjatë të veprave të pikturës e të skulputrës të 45 vjetëve të monizmit. S’ka dyshim se përzgjedhja e veprave të ekspozuara ka qenë subjektive dhe në shumë aspekte arbitrare, ndonëse janë gjetur edhe mjaft ithtarë të flaktë të saj, që nuk e dimë kanë pasur gisht apo jo në përgatitjen e platformës së saj. Sidoqoftë, ekspozita dëshmoi se, veç sharjeve e kritikave vulgare, tek ne nuk është diskutuar me objektivitet e seriozitet, nuk janë sqaruar as probleme madhore që kanë të bëjnë me zhvillimin e arteve e letërsisë në kushtet e regjimit totalitar. Diskutimet tregojnë, gjithashtu, se vazhdon të ketë paragjykime e keqkuptime të rënda, që ndikojnë në vlerësimin e krijimtarisë artistike e letrare të kësaj periudhe.

Qoftë në përmbajtjen e kësaj ekspozite, qoftë në diskutimet për të spikasin ca paragjykime, të cilat lidhen edhe me kuptimet e ndryshme që ekzistojnë për “socrealizmin” në përgjithësi. Këtij termi mund t’i vishen gjynahe të shumta që s’kanë të bëjnë kryesisht me të, por me rrethanat, kushtet shoqërore, ekonomike, politike e kulturore, në kuadër të të cilave u zhvilluan letërsia dhe artet, që u është ngulitur nofka e “realizmit socialist”. Shkaku i parë që ngjalli kërkime për një term, të afërt me “socrealizmin”, qëndron në përpjekjet që nisën qysh në gjysmën e dytë të shek. 19 në vendet evropiane, e më vonë edhe në Rusi, për të gjetur një fjalë të përshtatshme, që të karakterizonte letërsinë e artet, të cilët frymëzoheshin nga ideali i lëvizjeve shoqërore socialiste. Nuk kanë qenë të paktë shkrimtarët e artistët e talentuar, që bënë kërkime në këtë drejtim. Po përmend ca emra, për të vërtetuar rëndësinë e kërkimeve të tilla, shumë kohë para se Stalini të vinte në qarkullim në fillim të viteve ’30 termin “socializëm”: H. Hajne e Herverg, Frajligrat e Vert, Villjam Morris, Reskin e Oskar Walld, V. Hygo e Anatol Frans, Hanri Barbys e Romen Rolan, Gorki e Majakovski, P. Pikaso e R. Foksi, A. Nekse e Kazanataqis, D. Rivera, D. Sikejros, Pikaso e Lezhe, P. Eluar e L. Arogon, Gutuzo e B. Breht etj. Shumë gjynahe u vishen për pasojat që rrodhën nga “socrealizmi” edhe Marksit e Engelsit, që nuk kanë shfaqur synime për të sajuar ndonjë “metodë” të re artistike, ndonëse patën theksuar ca ide estetike, që mbroheshin asaj kohe nga shumë adhurues të realizmit kritik, ide të cilat, më duket, se kanë qenë në mospajtim të plotë me atë kuptim që fuste Stalini në termin “socrealizëm”.

Kur Stalini ndërhyri për t’ua imponuar në BS e më gjerë termin “socrealizëm”, qëllimi i tij ish t’i jepej fond pluralizmit estetik që vazhdonte të ekzistonte ende në vitet 20 në BS, të realizohej monizmi ideologjik dhe kultura artistike të vihej nën komandën e Partisë Bolshevike. Për qëllime të ngjashme me këto, hyri edhe në vendin tonë “socrealizmi”, kur iu hap rruga, pas Çlirimit, ekstremizmit sektar për “t’i djegur etapat” drejt “socializmit stalinist”.

Në diskutimet rreth ekspozitës të “socrealizmit” janë shprehur mendime, se në vendin tonë kjo metodë” gjeti një truall fertil dhe pati një marshim triumfal, që pushtoi gjithë kulturën artistike, nga që shumë shkrimtarë e artistë çapaçulë, u treguan të gatshëm t’i bënin varrin artit, mjaft që të siguronin ca privilegje e ca përfitime personale.

Në fakt pohime të tilla e thjeshtësojnë situatën e këtij marshimi, që nuk u realizua aq lehtësisht. Menjëherë pas Çlirimit, për meritë jo vetëm të Ministrit të atëhershëm të Kulturës, S. Malëshovës, por edhe për shkak të karakterit demokratik e liridashës të Luftës Nacionalçlirimtare, pati një frymë pluraliste në krijimtarinë artistike. Kjo provohet edhe me zhvillimin e Konferencës që krijoi Lidhjen e Shkrimtarëve. Aty u mbrojtën fryma antifashiste, demokratike e atdhetare e kulturës, pluralizmi estetik, mbështetja e traditave të ndryshme të trashëgimisë letrare, madje, Konica e Fishta. Në të morën pjesë edhe ca shkrimtarë me qëndrime “të gabuara” ndaj pushtuesve fashistë. Në revistën “Bota e Re” shkruanin siç donin  jo vetëm shkrimtarë që kishin zbritur nga malet si S. Malishova, F. Gjata, Ll. Siliqi, V. Bala, P. Marko, A. Varfi, M. Kuteli por edhe V. Kokona, A. Pipa, S. Spase, S. Toto etj. Edhe V. Mio, A. Buza, O. Paskali, J. Paço, Kushi, Keraj, Cangoni, Kaceli etj. krijonin pa ndihmën e “socrealizmit”, që ende s’njihej. Zaten për këtë pluralizëm estetik, në dhjetor 1949 e dënuan për “oportunizëm S. Malëshovën, e bashkë me të edhe S. Luarasin e Y. Dishnicën.

Kjo konferencë me këtë akt nuk godiste thjesht pak persona të veçantë, ajo ish thirrur të shpallte se në Shqipërinë, ku tashmë sundonte Enver Hosha, s’kish më vend tjetër veç “Letërsisë së Realizmit Socialist e modeleve të Letërsisë Sovjetike”. Që nga kjo kohë filloi rrënjosja e “metodës” së vetme, duke u përdorur gjithë mjetet e mundshme, legale e ilegale, shtetërore e kulturore, administrative e të dhunshme për t’i bërë, që të nesërmen e saj, shkrimtarët e artistët shqiptarë përfaqësues të denjë e fanatike të “realizmit socialist”.

Për pengesat që haste në tokën arbnore “socrealizmi” dëshmojnë dënimi i K. Trebeshinës, M. Myftiut (kur, sipas Erenburgut, kishte nisur “shkrirja e akujve” në BS, pas vdekjes së Stalinit), shkrimtarë që refuzuan haptas “realizmin socialist”. Kjo “metodë” imponohej me dhunë e shtrëngim gjatë Konferencës së Partisë të Tiranës, represioni u shtri edhe ndaj atyre që kishin mbrojtur realizmin socialist por që me kohë u ish veleritur: M. Ndoja, Gj. Lukaj etj.

Kërcënimet u përdorën edhe në Plenumin e 15-të, i cili u organizua për të mos lejuar asnjë shkarje nga “socrealizmi”. Aty u krijuan ashpër shkrimtarë si D. Agolli e F. Arapi, Q. Busheli e I. Kadare, Dh. Xhuvani e N. Prifti etj. Përsëri u përsëritën dënimet e rënda pas Plenumit IV. U shtua vargu i shkrimtarëve e artistëve, që futeshin në burgje, që internoheshin, madje pushkatoheshin.

Këto e fakte të tjera të shëmtuara tregojnë se në imponim-marshimin e vet “socrealizmi” haste pengesa. Dhe kishte arsye të forta si teoriko-estetike (skematizmi, dogmatizmi, politizmi, ideologjizimat, komandimi etj.) ashtu edhe politike që të mos pëlqehej e të shmangej, sepse në vendin tonë u aplikua varianti i tij më vulgar, më antirealist dhe më antisocialist, nga që edhe vetë “socializmi enverian” ishte një karikaturë groteske, por e tmerrshme, në kontrast të plotë me idealin e socializmit human. Tek ne u dënuan edhe ca artistë e shkrimtarë, që tregonin zell të tepruar në mbrojtje të “socrealizmit”, ndonjëherë për përfitime dhe herë të tjera nga naiviteti i tyre. Kjo më kujton fjalët e I. Eremburgut, të thëna për një rast analog: “Nuk e kam kuptuar asnjëherë përse Stalini mbrojti Pasternakun, që njihej si kundërshtar i realizmit socialist dhe në njëjtën kohë dënonte Kolcovin, që njihej si besnik fanatik i kësaj metode dhe i kultit të Stalinit!” Me gjithë urinë irracionale “socrealizmit” për të gëlltitur gjithë krijimtarinë artistike të krijuesve, që patën fatin të mos futen në burgje, si kolegët e tyre, kjo “metodë” gjithsesi nuk u bë globale, integrale. Ky fakt është vënë re e përmendur publikisht qysh në kushtet e monizmit.

Në Seksionin e Shkencave shoqërore të Akademisë së Shkencave, kur po diskutohej platforma e vëllimit të fundit të Historisë së letërsisë, përgatitur nga Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë, është shprehur mendimi se s’ishte e drejtë të quhej e gjithë letërsia e krijuar pas Çlirimit e këtej “Histori e letërsisë së realizmit socialist”. Aty u përmendën një varg veprash të bukura artistike si “I handakosur” i S. Andonit, tregime të J. Xoxës, Mitrush Kutelit, romane të Petro Markos e krijime të K. Jakovës, vepra të Dritëro Agollit e të I. Kadaresë, etj., që s’kishin të bënin fare me “socrealizmin”. Ky pohim nuk kishte rëndësi për t’i dënuar ata se i ishin larguar “socrealizmit”, por për të ligjëruar e përligjur mundësinë, pa zarar, edhe të një krijimtarie që mund të mos përfshihej në kallëpet “soceralizmit”. Ky diskutim kishte për qëllim, si të thuash, jo vetëm për të zgjeruar “kufijtë” e “brigjet” e kësaj metode, por edhe për të lejuar shtigje e hapësira krijimi, jashtë normave të “socrealizmit”. Edhe midis piktorëve e skulptorëve ka plot vepra që s’kanë asnjë nga ata elementë, të cilët zyrtarisht quheshin të domosdoshëm. Edhe në shtyp shfaqeshin dyshime rreth kuptimit të “socrealizmit”, i cili, siç thuhej në një shkrim të atyre kohëve, “duhej të çlirohej nga barra e ndikimeve të sociologjizmit vulgar”. Dhe më tej: “Teksti i historisë së letërsisë në gjithë krijimtarinë letrare artistike të pasçlirimit e përmbledh në histori të letërsisë së realizmit socialist, por nuk arrin të na bindë se nga ç’kritere niset që vepra të tilla si “I handakosuri” i S. Andonit, “Skëndebeu”, “Ali Pashë Tepelena” të S. Godos, “Në valët e jetës” të V. Kokonës, “Dasma e Sakos” e V. Koreshit, “Ura me tri harqe” e I. Kadaresë i shpall vepra letrare të realizmit socialist…

Prirja e sociologjizmit vulgar për ta përçuar realizmin socialist nga realizmi në përgjithësi është një sofizëm, që i çel rrugën largimit nga realizmi dhe zëvendësimit të tij me kuptime pseudorealiste. Kështu, teksti i historisë së realizmit socialist, duke përfshirë nën këtë titull gjithë krijimet letrare të pasçlirimit, u vesh cilësitë e realizmit edhe shumë veprave skematike, ilustrative, që s’kanë kurrfarë realizmi, që janë tablo të sheqerosura, të trëndafilosura, që e fshehin dramacitetin e jetës…

Me akrobacitë statistikore të raportit midis “pozitives” e “negatives” sociologjizmi vulgar e gjymton edhe frymën kritike të artit, që është tipar thelbësor i realizmit në përgjithësi. Që këtej rrjedh edhe dobësimi i frymës kritike të artit e letërsisë sonë që jo rrallë është tërhequr nga frika e “nxjerrjes së realitetit”, duke evidentuar fare pak nga ajo që kritikon shtypi gazetaresk”. I përmend këto pasazhe për të treguar se bëheshin përpjekje qysh atëherë (kohë e rrezikshme) që t’iu jepej një frymëmarrje më e gjerë, më realiste, më humane e më estetike artit e letërsisë sonë, dhe për të mos menduar se vetëm ata që shkruajnë sot kundër “socrealizmit” të atëhershëm janë të aftë të lëshojnë shigjeta; krejtësisht të parrezikshme, kundër tij. Shumë piktorë e shkrimtarë ishin të shqetësuar, përjetonin drama e trazime të thella tragjike, duke kërkuar shtigje për të dalë nga kurthi i “socrealizmit enverian”, për të dalë në hapësira të një krijimtarie artistike të lirë.

Nga këto që pohuam më sipër, nuk do të thotë se tek ne s’ka pasur ndikim të dukshëm metoda e “socrealizmit”; ky ndikim shfaqej në veprat, që dalloheshin për tendenciozitet të skajshëm partiak, për skematizëm e konformizëm, për mungesë realizmi dhe për idealizim të realitetit, në vepra, në të cilat realiteti zëvendësohej me një “realitet virtual”, të shpikur në zyrat e drejtuesve të burokracisë partiake. Një krijimtari të tillë e kishin më të lehtë dhe e bënin më shumë krijuesit më të patalentuar dhe me lakenjtë. Por edhe shkrimtarë nga më të talentuarit e më të ndershmit, që ruheshin mos i binin murit me kokë dhe që nuk para pëlqenin të heshtnin e të qëndronin në pasivitet, pasi ishin përgatitur profesionalisht në shkolla, përpiqeshin që ndonjëherë t’i jepnin “socrealizmit” një kuptim aq të gjerë, sa të mund të shprehnin edhe frymëzime poetike artistike, të dënueshme nga pozita e “socrealizmit” zyrtar. Kish edhe asish që me naivitet e sinqeritet i kapërcenin kornizat e “metodës”, duke i besuar realizmit e duke thënë ca të vërteta tej kornizave të saj, siç pat ndodhur me “Shkëlqimin e rënien e shokut Zylo” e me vepra të tjera.

Ka pasur edhe artistë e shkrimtarë që për të mos heshtur paguanin një farë “haraçi” dhe që patën krijuar vepra të mrekullueshme, të cilat do të mbeten në fondin e artë të letërsisë e artit kombëtar.

Të tilla kanë qenë “Sjellësi i Fatkeqësisë”, “Pallati i ëndrrave” e vepra të tjera të I. Kadaresë. Por të ngjashme me të tilla dukuri letrare ka pasur edhe në pikturë e skulpturë. Dhe prandaj krijimtaria e F. Arapit, D. Agollit, I. Kadaresë, V. Kilicës, S. Shijakut, K. Ramës, M. Dhramit, O. Pskalit, A. Buzës, Z. Shoshit e shumë të tjerëve nuk bën të reduktohet e tëra brenda “haraçit”. S’bën të themi se këta e të tjerë si ata nuk i vinin re vuajtjet e varfërinë.

Qysh në kohën e monizmit është ngritur zëri, madje ndonjëherë nga artistë fare pak të njohur, që nuk heshtnin përballë varfërisë. Po përmend vetëm një fakt. Një piktor kish paraqitur në ekspozitën e Korçës tablonë “Nusja e re”, me të cilën desh të konkurronte në ekspozitën kombëtare. Kjo tablo u hoq nga ekspozita me “argumentin” se “nxin realitetin”. Si e “nxinte”? Për këtë ngjarje në atë kohë dikush shkruante: “Në të vërtetë tabloja kishte një ide poetike origjinale jashtë skemave e standardeve të konsumuara. Piktori paraqiste një nuse të re në çastin kur nxjerr nga çanta dy tri shishe me qumësht, fytyra e saj shprehtë një ndjenjë të përzier të lodhjes nga qëndrimi në radhë dhe të kënaqësisë se do t’i linte fëmijës qumësht para se të shkonte në punë. Komisioni për këtë tablo u shpreh kështu: “Ç’na duhet të tregojmë pasojat e radhëve!” Mirëpo kujt ia fsheh radhët ky komision?! Në Muzeun e ri të Lushnjës është miratuar nga komisionet një pikturë e madhe murale kushtuar “gëzimit” të punës. Në këtë pikturë paraqitet një grup vajzash të brishta në lëmë, që duken sikur kanë dalë nga një sallon mode, permanenti a parfumerie. Por në realitet farërat e grurit, që mbillet e korret, krahas “gëzimit” bartin edhe djersën, mundimin e njelmët të punës së lodhshme. Piktori që e fsheh këtë djersë, mos pandeh se është i aftë t’i mashtrojë me falsitet ata që mbjellin e korrin? Po mundi i punës ku është? Kujt i nevojiten zgjidhjet alla hepiend të pikturës ose të dramaturgjisë sonë?! Edhe kështu është shkruar dhe nuk besoj se të tilla shkrime çonin ujë në mullirin e “socrealizmit enverian”.

Në ndonjë diskutim për ekspozitën është arritur deri aty sa të pohohet se në kohën e monizmit shkrimtarët e artistët ndahen, nga shkrimtarët e artistët ndahen, nga njëra anë, në atë që s’e pranonin “socrealizmin” dhe që për këtë arsye u internuan, u burgosën e u persekutuan dhe, nga ana tjetër, gjithë ata që e patën gëlltitur “socrealizmin” dhe i shërbyen me zell regjimit. Kjo ndarje më kujton kategoritë e “socrealizmit”, që i ndante personazhet prerazi në “pozitivë” e “negativë”. Autorëve të këtij koncepti dua t’iu rekomandoj librin “Mendje e robëruar” të Çullav Milloshit (përkthyer shqip) ku shpjegohet se sa e ndërlikuar pat qenë situata edhe në një vend si Polonia ku kish forca të shumta intelektuale antisovjetike, kur një pjesë e tyre pranuan, qoftë me një lloj “haraçi”, të aktivizoheshin në “ndërtimin” e kulturës “socialiste nga forma kombëtare nga përmbajtja”. Për t’i shpëtuar ndikimit të “socrealizmit” në Shqipëri situata ishte edhe më e disfavorshme. Mjafton të përmendim se sa të shumta ishin mjetet e burimet materiale e shpirtërore në duart e diktaturës totalitare për të imponuar jo vetëm “socrealizmin”, por edhe shumë gjëra të tjera më të rënda, të tmerrshme, për të shpjeguar, por jo për të përligjur, përse tek ne nuk kishte një lëvizje të gjerë e të hapet disidente kundër “socializmit”.

Ndarja e mësipërme është paraqitje e thjeshtësuar e rrethanave që impononin “socrealizmin” në vendin tonë e megjithëkëtë nuk bën të përfytyrohet e gjithë periudha e pasçlirimit deri në përmbysjen e monizimit, si periudhë gjumi letargjik, vetëm nënshkrimi; lëvrinin energji të shumta krijuese, pavarësisht nga rezultatet, që përcilleshin me viktima të shumta e të pafajshme. Prandaj është e dobishme që të njihet më mirë gjithë krijimtaria, historia artistike letrare, si edhe kushtet e përgjithshme shoqërore e kulturore në të cilat vegjetoi edhe tek ne “socrealizmi”, bari i keq. Sigurisht, ka pasur edhe shfaqje të fajësisë universale, të përgjithshme dhe secili nga krijuesit e ka ndier dhe e ndien atë, por s’bën të ngatërrohet kjo, me fajet konkrete, sidomos s’bën të zëvendësojë shkaqet themelore objektive e subjektive, sidomos fajtorët e drejtpërdrejtë (që deri sot s’kanë dhënë asnjë shenjë faji) me masën e njerëzve, e krijuesve. Tek ne janë bërë edhe krime të shëmtuara dhe askush s’ka dhënë llogari për atë kohë. Nuk e quaj urtësi që faji të mbetet mbi krijuesit. Është kur këta nuk kanë kërkuar ndjesë publikisht, duhet parë se cilat kushte i kanë penguar. Ata që shtinë në dorë pushtetin dhe që kishin edukatë komuniste, bënë flamur të tyre “antikomunizmin deri në atë shkallë, saqë e përdorën për të sulmuar rëndë shumë krijues artistë e shkrimtarë, treguan ndaj tyre intolerancë të papërmbajtur, i persekutuan në emër të “demokracisë”, i lanë pa punë, me një pension mizerabël, u kërkonin t’i nënshtroheshin “monizmit të ri demokratikas”, i pengonin të bëhej katarsisi moral e qytetar i të gjithëve. Prandaj “pluralizmi demokratikas” nuk përbënte një rrethanë të favorshme për t’u dhënë mundësinë artistëve e krijuesve të brezit të vjetër të tregonin aftësitë e tyre, sipas mëvetësisë së tyre, të krijonin lirisht. Gati asnjë ekspozitë e veprave të tyre të dekadës së fundit nuk është organizuar jo vetëm nga ish-pozita, por as nga ish-opozita. Situata e pluralizmit i ka hedhur në një mjerim talentet më të shquara, si në asnjë vend tjetër ish-socialist, si as në Rusinë ish-sovjetike. Dhe dikush kërkon t’i bëjë edhe fajtorë për instalimin e regjimit-stalinist në Shqipëri. Unë do të dëshiroja që të paktën në diskutimet për ekspozitën e “sur/socrealizmit” të tregohej tolerancë serioziteti të hiqej dorë nga sharjet e sulmet denigruese, të ngjallej frymë mirëkuptimi e krijimi.

Këtë dëshirë ua drejtoj sidomos brezave më të rinj të krijuesve, që kanë pasur fatin të formohen nga mjeshtrat e shquar, piktorë e skulptorë të brezit të vjetër, që kanë pasur fatin të mos jetojnë gjatë në kushtet e monizmit “të kuq” a “blu”, të mbështesin një atmosferë krijuese, konkurrimin e lirë të gjithë shkollave e gjithë luleve në të mirë të kulturës sonë.

Dua t’i mbyll këto shënime, duke ftuar ata që e kanë pasur në dorë të organizojnë ekspozitën në fjalë, të bëjnë edhe një hap për të përmirësuar përshtypjet për të: të organizojnë një ekspozitë tjetër me vepra të piktorëve e skulptorëve të gjithë brezave, një ekspozitë retrospektive, për të cilën përzgjedhja t’u lihet në dorë vetë autorëve, kurse ne spektatorët të kishim rast të shihnim se ç’ka qenë krijuar e ç’krijohet e bukur, e përkryer dhe origjinale, të shinim një bashkëpunim krijues tolerant e pluralist, i cili mund të ish edhe shembull për gjithë trojet shqiptare, ku s’po kanë fund grindjet, përçarja dhe inatet./Alfred Uçi/

SHKARKO APP