Alma Lama: Mustafa Krantja/Misteri i njeriut që krijoi orkestrën e parë simfonike
(Botuar me 4 nëntor 1999 në KOHA JONE)
Alma Lama: Mustafa Krantja/Misteri i njeriut që krijoi orkestrën e parë simfonike
“E vetmja pasuri që kam është kjo piano, të cilën më duhet ta shes për të siguruar ato para që më duhen për të botuar librin për muzikën, të cilin e kam të përfunduar prej tre vitesh”
I ulur pranë pianos së tij të punës, profesor Mustafa Krantja, dirigjenti i shquar shqiptar, për disa momente endet mes kujtimesh, fotografish të shumta ku ka fiksuar çaste të jetës, punës së tij pasionante. Është muzika ajo që për një jetë të tërë i ka pushtuar shpirtin dhe kohën dhe për gjithë përkushtimin. Shpërblimet nuk kanë munguar.
Para disa ditësh profesor Krantja është vlerësuar me çmimin “Universi i arritjeve”. Ç’përfaqëson ky vlerësim?
Që para dy vjetësh, Universiteti i Kembrixhit më dërgoi një diplomë nderi për punën time si dirigjent duke më vendosur përkrah dirigjentëve më të mëdhenj të botës, disa prej të cilëve unë i kam pasur shokë shkolle dhe kolegë, siç janë Lorin Masen, Karl Bern, që kanë dirigjuar në Koncertet e përvitshme të Vitit të Ri në Vjenë.
Për arsye të izolimit të Shqipërisë ne u shkëputëm dhe ata vazhduan karrierën e tyre. Megjithatë, për vite me radhë, mes vështirësish të panumërta, në kushtet e një fillimi pothuaj nga zeroja kam arritur të vë në skenën shqiptare disa nga operat më të famshme botërore. Curiculum-i i jetës time është vendosur në vëllimin e 17 të Enciklopedisë Angleze dhe padyshim që satisfaksioni është i madh. Ndërsa çmimin “Universi i arritjeve” jepet për kontribut historike, si të them, për një pikë reference të shekullit të ardhshëm,
Që nga 3 shtatori i këtij viti ju jeni emëruar edhe zëvendësguvernator i përjetshëm i Bordit të Lartë drejtues të ABI.
Instituti Amerikan i Bibliografisë bën një punë hulumtuese në gjithë shtetet e botës, për të evidentuar 500 njerëzit më të shquar të shekullit të njëzetë. Instituti ka hapur një bibliotekë për të vendosur jetën dhe veprën e figurave, ku secili prej tyre ka një pavijon të veçantë dhe të drejtën për të vizituar e komunikuar me njëri-tjetrin. Titulli Zëvendësguvernator është një nderim që më bëhet, jo vetëm mua, por dhe Shqipërisë.
Të gjitha këto janë të lidhura me një veprimtari të gjerë krijuese dhe interpretuese. Si ka nisur karriera juaj?
Pasi kam kryer studimet në Akademinë e Arteve në Pragë me 1950, jam kthyer në Shqipëri dhe me 1951 kam themeluar orkestrën simfonike të TOB, me 1962 orkestrën simfonike të RTSH, me 1964 kam themeluar Konservatorin e Arteve që më pas u kthye ne Institut dhe tani në Akademi, gjithashtu jam një ndër iniciuesit e krijimit të degës së dirigjimit. Qëllimi për të patur edhe ne një orkestër të nivelit evropian, ka qenë i përhershëm në shpirtin tim, ndaj kam punuar me përkushtimin më të madh.
Cila është vepra e parë muzikore që keni dirigjuar?
Repertori im është mjaft i gjerë, janë më shumë se tridhjetë premiera operash e baletesh të shfaqura brenda e jashtë vendit. Megjithatë, opera e parë që kam dirigjuar është e veçantë. Ajo është “Rusanka” e kompozitorit rus Darkomiske, suksesi i së cilës më ka dhënë forcën për t’iu përkushtuar rrugës së bukur e të vështirë të artit. I mrekullueshëm ka qenë edhe suksesi i operas “Nusja e shitur” e kompozitorit Smetana të cilën e kam dirigjuar edhe me trupat e orkestrat simfonike të Rusisë, Rumanisë dhe Çekisë.
Cilat vepra të tjera do të veçonit nga karriera juaj e gjatë?
Kam vënë në skenë operat e repertorit botëror, si “Berberi i Seviljes” e Rosinit, “Traviatën” dhe “Rigoleton” të Verdit, që janë shfaqur më shumë se njëqind herë brenda dhe jashtë vendit. Por krahas krijimtarisë së kompozitorëve të huaj unë do të përmendja dhe ato shqiptarë, si baletin e Tish Dajisë “Halili dhe Hajria” si dhe operën e parë shqiptare, “Mrika” të Prenk Jakovës, simfonitë e Çesk Zadesë e shumë e shumë të tjera, që për vite me radhë i kanë dhënë jetë teatrit të operës, sot në atë gjendje të pakuptimtë.
Profesor, kontributi juaj i përket edhe një fushe tjetër të kulturës, që është ai i publicistikës artistike. Cili ka qenë raporti juaj me të?
Paralelisht me punën e artistit, jam marrë vazhdimisht dhe me kritikën e veprave të ndryshme të gjinisë së muzikës, me shkrime vlerësuese dhe studime, të cilat i kam botuar në shtypin shqiptar dhe të huaj. Janë më shumë se 300 shkrime, artikuj të ndryshëm që i kam përmbledhur në një libër më titull “Krantja, Ave muzikus”, në të cilin muzika mbetet himnizimi qiellor, gjëja më e shenjtë e shpirtit tim. Ka tre vjet që orvatem për ta botuar, por vështirësitë ekonomike nuk e kanë bërë të mundur një gjë të tillë. I jam drejtuar Ministrisë së Kulturës për të më akorduar ndonjë fond, por përgjigja ka qenë negative. E vetmja pasuri që kam është kjo piano, të cilën më duhet ta shes për të siguruar ato para që më duhen për të botuar librin mbi muzikën, të cilin e kam të përfunduar prej tre vitesh. Me të kam një lidhje të fortë shpirtërore dhe do të dëshiroja t’ua dhuroja studentëve të Akademisë së Arteve, por… /Alma Lama/