Analizë e Fadil Paçramit për situatën politike të vitit
(Botuar me 11 dhjetor 1998 në KOHA JONE)
Nga Fadil Paçrami-
E kam fjalën: ndryshe në mendësitë për demokracinë dhe zhvillimet e saj, ndryshe në veprimtaritë politike dhe ato partiake, ndryshe edhe në mënyrat e qeverisjes të vendit tani pas bërjes së vendit me kushtetutë.
(Do përpiqem të shpreh disa mendime nga pozitat e një qytetari jopartiak, që rasti e solli ta shohë jetën nga majat e Olimpit për një kohë, si ministër dhe kryetar parlamenti, më pas nga rrethi i 9-të i Ferrit Dantesk më se 15 vjet burg, dhe tani nga rrafshi me plot shqetësime për të sotmen e të ardhmen, duke qëndruar larg dumdumeve të zhurmshme me hidh e prit që mbisundojnë prej disa vitesh në politikën shqiptare. Nisur edhe nga se mendoj që veç partiakëve e atyre të medias është mirë të flasin edhe të tjerët, intelektualë të pavarur dhe nga të gjitha shtresat).
Fillimisht, them se veç zhvillimeve demokratike për aq sa janë, na duhet të njohim që gjatë viteve të fundit për fajet tona patëm shumë shkatërrime me pasoja të rënda në të tre planet: atë fizik (u mbyllën fabrika e miniera, ra prodhimi e u rrit papunësia, u dëmtuan rrugë dhe kanale kulluese e vaditëse, u grabitën pasuri të shumta kombëtare, u dogjën godina, edhe kultura pësoi dëme), atë shpirtërore (u përçudnuan norma morale dhe etike, idealet dhe ndjenjat patriotike u quajtën primitivizma, u rend veç pas parasë, shpërthyen grindje e sherre deri në gjirin e familjes); edhe atë shtetëror (u dobësua shteti, mungoi rendi e qetësia, morën hov krimi, korrupsioni e kontrabanda, ligji u shkel keqas).
Pse të gjitha këto?
Shkaqet janë: e shkuara diktatoriale me trashëgimitë që la pas, ardhja në drejtim të vendit e një klase, kështu e quajnë veten, politikë më të shumtët të etur për fuqi e pasurim të shpejtë, edhe keqkuptimet e deformimet e demokracisë. Për të gjitha këto është folur dhe flitet, pra edhe nuk po zgjatem, por do qëndroj te ajo kërkesë që bëhet sot gjithandej brenda e jashtë vendit, mjaft me këto, më të përgjegjshëm për gjithë sa bëjmë!
Ndryshe, pra, ndryshe… Si?
- Po e nis me domosdonë e një ekuilibri efektiv në trinomin: liri-ligj-forcë.
Është e njohur, e vërtetuar në jetë dhe e pranuar tashmë: se forca pa liri dhe ligje është diktaturë; se liria pa ligjin e forcën është anarki; se duhen të tria bashkë – liria me ligjin dhe forcën që të kemi demokracinë. Dy të parat i provuam edhe në këto vitet e fundit që nga “90-ta.
U fol për liri e ligje pas përmbysjes së diktaturës gjysmëshekullore, por mbisundoi e veproi më shumë forca deri në ‘97-ën dhe u kalua në neodiktaturën berishiane.
U premtuan liri e ligje pas ngjarjeve tragjike të janar-marsit ‘97-të, por nuk veproi si duhej forca çka i hapi udhë anarkisë dhe dështoi qeverisja Nano.
E pranojmë s’e pranojmë, ky është realiteti, ngjarjet kështu flasin. Pra na duhet një shtet me të tria: liri-ligje-forcë. Ky është shteti ligjor demokratik.
(Them se nuk e teproj kur theksoj edhe forcën, me kuptimin e shtetit ligjor të fortë, jo “dorën e fortë” të ndonjë diktatori, këtë jo vetëm si një nga elementët përbërës të trinomit dhe ekuilibrit për të cilin fola, por edhe për kushtet e sotme të vendit. Së pari, jemi një nga vendet më të vonuara në krijimin e shtetit dhe mungon kultura demokratike. Së dyti, u dështua keqas dy herë në këto 7 vjetët e fundit dhe të mos ndodhë të përsëriten na më as njëra, as tjetra).
Këtë shtet duan, kërkojnë dhe presin njerëzit tani brenda vendit, edhe bota jashtë, nga qeverisja e sotme Majko me shpresën se janë nxjerrë mësimet e duhura, ua kërkojnë edhe të gjitha partive politike e liderëve të tyre të cilësdo ngjyre qofshin. Nuk e duan atë njerëzit antishtet, të korruptuarit, kontrabandistët e të krimit, forcat destruktive të brendshme dhe armiqtë e jashtëm. Koha nuk na pret më, jemi të vonuar. Kushtetuta e porsa miratuar e garanton tani këtë.
- Vendimtare për ne sot është edhe të njihen, pranohen e t’u bëhet ballë me mençuri e guxim sfidave nga rregullat e demokracisë. Kalojmë kohë të vështira me shumë probleme në këtë periudhë tranzicioni nga diktatura në demokraci, nga ekonomia tejet e centralizuar në atë të tregut, nga një vend i izoluar në atë të integrimit euroatlantik. Një proces ky kompleks, edhe me dhimbje. Të tjera mendësi, të tjera ligje, të tjera forma organizimi e drejtimi, të tjera marrëdhënie me botën, shumë gjëra duhen mohuar e bërë ndryshe, për çka do të ketë edhe konfrontime idesh, alternativash, edhe ndeshje e luftë politike në mes të partive, shtresave shoqërore, organizmave shtetërore dhe liderëve partiakë. Por gjithmonë me rregullat e lojës në demokraci: pranimin e raporteve maxhorancë-minorancë dhe përjashtimin e dhunës.
Do qëndroj pak te këto, ku shoh edhe të keqen kanceroze që vë në rrezik zhvillimet demokratike tek ne sot. Në shtetin demokratik, pushteti ushtrohet nga populli i cili me votën e tij cakton atë ose ato forca politike në koalicion që për një kohë drejtojnë vendin, ndërtojnë politikën e brendshme e të jashtme dhe punojnë për realizimin e tyre. Pra është maxhoranca, ajo që merr dhe mban pushtetin për sa kohë është e lirë, sigurisht ka rolin e vet me peshë edhe minoranca opozitare. Por ardhja në pushtet dhe mbajtja e tij nuk janë absolute, ato janë të ndryshueshme, çka varet prapë nga vota e lirë e zgjedhësve që bën kalimin e pushtetit në të tjera forca politike. Dhe loja vazhdon me po ato rregulla, ku përjashtohet dhuna me sabotime, krime, grushte shteti etj. Për këto flet e tregon eksperienca e vendeve demokratike të Evropës e kudo në botë. Atë duhet të bëjmë edhe ne. Atë dëshmoi edhe mosmbajtja e pushtetit me dhunë në marsin e ’97-ës, edhe mospërmbysja e tij po me dhunë në grusht-shtetin e shtatorit ’98-të.
(Demokracia, pra, ka rregullat e saj të lojës, ashtu si ndodh edhe në çdo fushë tjetër ku ka ndeshje të forcave rivale, mosrespektimi i të cilave sjell pasoja për ato që i shkelin e i dhunojnë. Kështu ndodh, bie fjala, në terrenet sportive ku, si dihet, kush i shkel e i dhunon ato edhe dënohet, paralajmërohet një herë e dy me kartonin e verdhë, më pas nxirret edhe nga loja për fare).
Flasim për të shkuar në Evropë, por kjo nuk është e mundur pa vënien në jetë të rregullave demokratike, pa u prerë rrugën deformimit e shkeljes së tyre si ato që janë shfaqur e veprojnë tek ne këto vitet e fundit.
- Determinizmi gjeografik ka rol përcaktues në gjeopolitikën e vendit për çështjet e brendshme dhe marrëdhëniet me jashtë.
Jemi një vend ballkanik, evropian dhe mesdhetar, pra të integruar në proceset politiko-strategjike dhe ekonomiko-kulturore të tyre. Çështja është: si dhe sa? Jemi të interesuar ne për këtë, janë edhe të tjerët nga vendet fqinje e me radhë. Konkretisht: Italia që në kohët antike e interesuar për këtë anë të Adriatikut si urë kalimi për në Ballkan e më tej në Lindje. Greqia gjithashtu që në lashtësi për stabilitetin në rajon. Europa me politikën e saj veri-jug. Po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me politikën euroatlantike perëndim-lindje dhe rolin parësor të saj në zhvillimet e sotme ndërkombëtare. (Fjalën e kam që kështu të shihen e trajtohen marrëdhëniet me jashtë nga ana jonë, duke ruajtur gjithmonë pa lëkundje e retorika konjukturale parimet, identitetin, pavarësinë, barazinë dhe dinjitetin si shtet më vete. Të shkëputemi e të çlirohemi përfundimisht nga ato mendësi e praktika të vjetra: në vitet ‘30-të nën protektoratin e Italisë, pas ’44 të Beogradit për një kohë, më pas të Moskës deri në ’60, në një farë mënyre edhe të Pekinit më vonë, edhe të mos biem pre e lodrave për përfitime partiake. Të ndërgjegjësohemi se janë interesat e ndërsjella dhe jo deklaratat për “simpatira” të veçanta që i dëgjojmë shpesh, përcaktuese në marrëdhëniet shtetërore dhe atë të biznesit me jashtë).
Sot kjo është e mundur edhe pse pas shkatërrimit të dy blloqeve me sferat e tyre përkatëse kur liria e veprimit të shteteve të ndryshme ishte e pamundur si pasojë e gjeostrategjikë nga njëra ose tjetra superfuqi, të cilës nuk i shmangeshim edhe ne. Sado që edhe sot, si rrjedhojë e lidhjeve bilaterale, rajonale, atyre euroatlantike, si dhe organizmave e konventave ndërkombëtare nuk mund të flitet për një sovranitet të plotë as për shtetet më të fuqishme, megjithatë është ndryshe dhe secili shtet i ndërton politikat e veta në mënyrë të pavarur. Kështu pra edhe ne, pa u lënë vend, si edhe ka ndodhur, qëndrimeve të pavendosura e përulëse nga ana jonë, edhe ndërhyrjeve pa vend nga jashtë, të kundërta me sa u fol më lart. Është edhe kjo një çështje thelbësore, tani pas miratimit të kushtetutës që përcakton zhvillimet tona të ardhme.
- Vijmë te Kosova, lidhur me sa po ndodh dhe të ardhmen e saj, si një çështje primare mbarëkombëtare, që ka marrë sot edhe përmasa ndërkombëtare. Dihet si në ‘13-ën, fuqitë e mëdha të kohës me të padrejtë e lanë atë jashtë trojeve të Shqipërisë. Por koha bëri të veten. Mbarimi i luftës së ftohtë lindje-perëndim dhe shpërbërja e Jugosllavisë si një shtet mozaik shumëkombësh ngritur artificialisht, shtruan ndreqjen e kësaj padrejtësie me shkëputjen prej saj të Kosovës, si një e drejtë e ligjshme për vetëvendosje e pavarësi pas afro një shekulli robërie, kërkesë kjo që u sanksionua edhe me referendumin e ’91-së. Mirëpo Beogradi i Millosheviçit i kundërvihet me forcë dhe s’po lë gjë pa bërë me operacione luftarake, bombardime, tanke, shkatërrime, terror dhe vrasjen e mijëra njerëzve.
Kundër e të pavendosur për zgjidhjen përfundimtare të çështjes janë edhe ata që e gatuan këtë çorbë, dikur Rusia hapur, të tjerët me tërhiq e mos këput, duke penguar e vënë në vështirësi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e tjera si dhe organizmat ndërkombëtarë, OKB-në, NATO-n, OSBE-në etj. Këto vihen re në të gjitha tratativat që bëhen për të gjetur rrugëdaljet nga gjendja e krijuar, edhe në marrëveshjen e arritur kohëve të fundit ku u hodhën disa hapa jo të plota.
(Flitet nga ana e tyre për një pengesë që i përmban, ka edhe një qëndrim jo realist, mendoj. Pengesë, se është krijuar një kontradiktë midis parimit të vetëvendosjes dhe mosndryshimit të kufijve ekzistues të shteteve, dy të kundërta këto që kanë gjetur shprehje në disa dokumente ndërkombëtare të cilat kanë mbetur si tabu se u kundërvihen njëra-tjetrës. Edhe një qëndrim jo realist, se me padrejtësinë që i është bërë Kosovës, shtypjen e dhunën e ushtruar për dekada të tëra, si dhe gjithë sa ndodhën kohëve të fundit, format e autonomisë, cilatdo qofshin ato, në kuadrin e Jugosllavisë së mbetur tani janë të pamundura dhe jo afatgjata, sepse bashkëjetesa të tilla në këto kushte nuk mund të ketë, pra edhe paqe jo, nga se do mbetet burim konfliktesh me pasoja për rajonin. Prandaj më mirë shpejt se vonë).
Qëndrimi ynë si komb dhe si shtet është unik: me Kosovën, në krah dhe mbështetje të saj deri në zgjidhjen përfundimtare: vetëvendosjen dhe pavarësinë. Edhe me këtë: gjithmonë me atë që do e si të vendosë vetë Kosova, populli, partitë politike, UÇK-ja, institucionet e liderët e saj. Të konsultohemi, të bashkëpunojmë, të gatshëm edhe për çdo ndihmë e sakrificë nga ana jonë. Këto t’ua bëjmë të qartë edhe të tjerëve, cilëtdo qofshin.
Për të gjitha këto, shtypi dhe media kanë rolin e tyre me peshë edhe pse sot ka një rrjet të gjerë me gazeta, revista e qendra radiotelevizive partiake, shtetërore e private. Po cili ka qenë ai deri tani? Jo si mund e duhet të qe. Them se në gjithë sa kanë ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit dhe konfuzionin që mbisundon sot në jetën e kokën e njerëzve kanë edhe ata mëkatet e tyre. Pse kështu? Shkaqet t’i zbulojnë vetë dhe të gjejnë rrugëdaljet, por duke folur në këtë rast si profesionist, më se 10 vjet kryeredaktor gazete dikur edhe nga eksperienca personale, quaj si thelbësore: se duke u vënë në shërbim deri në verbëri të liderëve partiakë e pronarëve të tyre, manipulimeve, kaheve dhe interesave po të tyre, është hyrë në kontradiktë me të vërtetat e kohës; me publikun që do të dijë çfarë ndodhin dhe jo, për të njëjtat ngjarje e fakte t’i flitet njërit ndryshe e tjetrit ndryshe; edhe me vetveten sepse ndodh të shkruhet e të flitet jo si mendohet, dhe mendohet jo si ndihet. Edhe kjo: liri e të drejta, por pa i keqpërdorur dhe cenuar ato të tjerëve. Prandaj ndryshe edhe këtu.
Me kaq po e mbyll, nuk e di sa ia dola të mbetem objektiv, ka edhe çështje të tjera, primare edhe ato, për ekonominë e kulturën, por mjaft kësaj radhe/Fadil Paçrami/