Andi Bejtja: Bixhoz me historinë

(Botuar me 6 Nëntor 1997 në KOHA JONE)

Nga Andi Bejtja

Kryeministri shqiptar Fatos Nano tha se foli “shqipen evropiane” me Presidentin e Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, ndërkohë që ky i fundit doli fitimtar nga takimi duke folur një “serbishte ballkanase”. Nano e cilësoi takimin si historik, por bilanci i takimit duhet thënë se nuk ishte pozitiv për palën shqiptare, përveçse e nxori Nanon si lider të shqiptarëve “më modern se ç’duhej”.

Ndërkohë që ekziston një iniciativë gjermano-amerikane, e cila kërkon autonominë për Kosovën, Nano kërkoi më pak se kaq duke bërë të pakënaqur 2 milionë shqiptarët e Kosovës dhe e gjitha kjo në emër të “evropianizimit të Ballkanit”. Madje Nano kërkoi më pak sa Millosheviçi mund të mendonte, pasi vetë Presidenti jugosllav është shprehur disa herë në bisedime private me diplomatët e huaj se është i gatshëm t’ia kthejë autonominë që u mori kosovarëve. Në qoftë se Nano nuk kërkon dot sa shqiptarët e Kosovës apo sa Rugova, nuk ka pse mos të kërkojë të paktën sa ç’kërkon Kinkel apo Klinton. Pavarësisht se sa kërkoi dhe çfarë mendon Nano për çështjen e Kosovës, fatin e saj nuk e vendos Tirana, as Greqia apo ndonjë vend tjetër ballkanik. Me këtë takim, Nano nuk luajti vetëm bixhoz me historinë, ai jo vetëm pezmatoi shqiptarët e Kosovës, por gjithashtu edhe një pjesë të diplomacisë Perëndimore, e cila e ka bërë të qartë se paqen në Ballkan nuk mund ta sjellin ata që shkaktuan luftën. Me shprehjen e tij “Millosheviçi është aq i ri sa, pasi ka bërë luftën, mund të bëjë dhe paqen”, Nano indirekt e ashtu si Millosheviçi direkt sfidoi gjykatën tribunale në Hagë, të ngritur posaçërisht për krimet e luftës në Jugosllavi.

Ndërkohë që Perëndimi po përpiqet të izolojë Millosheviçin (këtë e tregoi edhe reagimi pas zgjedhjeve në Malin e Zi) dhe në kohën kur Presidenti jugosllav nuk e di se ç’do të bëhet me shtetin e tij, Nano me takimin 90-minutësh të Kretës la të kuptohej se Millosheviç mbetet njeriu kryesor për negocimin e çështjes shqiptare e më gjerë. Kjo kartë ndoshta do t’i shërbejë partisë së Presidentit jugosllav për të qëndruar përsëri në pushtet.

I veshur me papion, ndërsa Millosheviçi me kollare, pasi nuk mori asgjë por vetëm lëshoi pe, mund të thuhet se Nano u vu përballë Millosheviçit si kamerieri përballë klientit, në restorantin me emrin Greqi. Çfarë i serviri Nano, Millosheviçit për të ngrënë, këtë do ta tregojë historia.

SHKARKO APP