Andi Bejtja: : Kaos dhe luftë në Kosovë

(Botuar me 4 qershor 1998 në KOHA JONE)

Nga Andi Bejtja-

Intensifikimi i dhunës serbe në Kosovë, masakrimet ndaj popullsisë shqiptare, shkatërrimi dhe djegia e fshatrave, sikur të ishin pulari të infektuara, i dhanë fund përfundimisht idesë se shqiptarët mund të jetojnë në një republikë me serbët, hodhën në kosh bisedimet e saponisura Rugova-Millosheviç dhe në të njëjtën kohë projektuan hije të mëdha dyshimi ndaj ndërmjetësimit amerikan, pas të cilit, shqiptarët u ulën në bisedime duke bërë shumë lëshime ndaj palës serbe.

Pas rritjes së vërshimit të refugjatëve kosovarë në Shqipëri, autoritet shqiptare ndodhen në pozitë mjaft të vështirë dhe kaotike. Të gjithë e dinë se Shqipëria nuk është në gjendje të përballojë një dyndje të madhe mbi 20.000 vetësh, sikurse nuk është e aftë t’i shkojë në mendje ndonjë aventurë ushtarake. Por, të paktën, institucionet shtetërore i kanë të gjitha mundësitë të dalin përpara Europës me kërkesa unanime dhe jo Presidenca të kërkojë ndërhyrje ushtarake në Kosovë dhe kryeministria, prani ushtarake ndërkombëtare në kufirin shqiptaro-serb.

Megjithatë, duket, se jo vetëm autoritetet shqiptare janë në kaos. Të gjithë fuqitë perëndimore thonë se nuk do të lejojnë një Bosnjë të dytë, por në të njëjtën kohë askush nuk e ka të qartë se si do të operohet në rrethanat konkrete. NATO-s i duhet kohë dhe duhet të kalojë disa procedura burokratike për të ardhur në një mendim unanim dhe efektiv. SHBA nuk po e vë në jetë kërcënimin e ish-Presidentit Bush për vijën e kuqe në Kosovë, madje e ndryshoi qëndrimin e saj në Grupin e Kontaktit duke u bërë promotor i heqjes së një prej sanksioneve më të rëndësishme ndaj Beogradit: atë të ndalimit të investimeve të huaja. Është shumë i dyshimtë fakti, që pas takimit Rugova Klinton, dhuna serbe mori akoma më shumë zemër. A është vërtet Millosheviçi kaq i çmendur sa të sfidojë gjithë komunitetin ndërkombëtar apo ai ka marrë një lloj gjysmë miratimi në heshtje për veprimet që po bën? Apo ndoshta 300 të vdekur dhe rreth 10.000 refugjatë kosovarë në Shqipëri nuk i plotësojnë parametrat burokratike për ndërhyrjen ushtarake perëndimore në Kosovë?

Sido që të jetë e vërteta, në gjithë këtë mjegull, të qartë se çfarë duhet bërë e ka vetëm UÇK. Kjo forcë nuk mund të quhet më organizatë terroriste. Këtë e ka kuptuar dhe vetë PS e Shqipërisë, e cila në një konferencë për shtyp “përshëndeti qëndresën e vëllezërve kosovarë”. Bosnja nr. 2 po bëhet realitet. Këtë, shqiptarët e Kosovës e ndjejnë më shumë se evropianët dhe pas gjithë këtyre masakrave, e kanë gojën plot të luftojnë për pavarësi./Andi Bejtja/

 

 

 

SHKARKO APP