Andi Bejtja: Ne qeverisim, Berisha na ndihmon!
(Botuar me 25 Janar 1998 në KOHA JONE)
Nga Andi Bejtja
Kryeministri shqiptar, Fatos Nano ishte dje në konferencën për shtyp, më i sigurt dhe më i kënaqur se kurrë, kur mbylljen e trazirave të Shkodrës e cilësoi si një “fitore të vërtetë të proceseve demokratike dhe ngritjes së shtetit ligjor në vend”. Nano kishte dhe një arsye tjetër për të qenë i gëzuar. Ai u sigurua nga përfaqësuesit e trojkës europiane, gjatë vizitës së tyre në Shqipëri, se zgjedhjet e parakohshme janë një ëndërr e marrëzishme dhe ç’është më e rëndësishme, ai ia bëri të ditur këtë fakt PD-së me gojën e europianëve. Gjithashtu dhe SHBA po i fërkon shpatullat qeverisë shqiptare. Presidenti amerikan Klinton bëri të ditur se do t’i propozojë Kongresit Amerikan që t’i japë Shqipërisë statusin e kombit të favorizuar për tregtinë. Kështu Nano fitoi edhe njëherë betejën me opozitën e PD-së dhe siguroi mbështetjen ndërkombëtare duke qenë i bindur se do ta kalojë vitin 2000. Për këto fitore Nano, më shumë se vetes dhe qeverisë së tij duhet t’ia dijë për nder Berishës dhe PD-së, që nuk stepet as nga elektorati shqiptar, as nga Europa dhe as nga SHBA. Dhe si për të mbështetur akoma më shumë politikën e Nanos, Berisha dhe PD, vetëm një ditë pas mesazhit të trojkës europiane, nëpërmjet një mitingu në Sheshin Skënderbej, konfirmuan edhe njëherë se nuk do të heqë dorë nga linja e destruktivitetit, duke vazhduar të kërkojë zgjedhje të parakohshme, duke mos përfillur as Evropën dhe as SHBA-në.
Në gjithë këtë kontekst, kryeministri shqiptar, partia dhe qeveria, që ai udhëheq, dalin të fituar, por nervat e shqiptarëve vazhdojnë të hollohen si pasojë e situatës konfliktuoze në vend. Një gjë është e sigurt, Euroра dhe SHBA dëshirojnë që qeveria aktuale të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, por as Europa dhe as SHBA harrojnë të mendojnë për nervat e shqiptarëve, për ditët pa ujë dhe pa drita, për tritolet që vendosen në ujësjellësit, për fëmijët shqiptarë që lexojnë më shumë fytyrat agresivë të politikanëve se sa leximin letrar. Dhe mbi të gjitha as Europa dhe as SHBA nuk mund të ndriçojnë ngjarjet e vitit të kaluar dhe “kriminelët me imunitet” t’ia kalojnë drejtësisë.
Nano, triumfator në konferencën e djeshme për shtyp, tha se “alternativa jonë ka triumfuar, duke shtuar çdo minutë numrin e atyre të cilët e kanë votuar atë në 29 qershor”. Kjo mbetet për t’u diskutuar, kur shenjat janë se elektorati mendon ndryshe nga Nano, për sa u përket “kriminelëve me imunitet” që vazhdojnë të pengojnë rindërtimin e vendit dhe shtetit ligjor.