Andi Betja: Tani, luftë guerile

(Botuar me 25 Prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Andi Bejtja-

Ndërkohë që Grupi i Kontaktit do të mblidhet në Romë më 29 prill për të diskutuar nëse do të vendosen sanksione të tjera ndaj Beogradit, Serbia po përpiqet t’ia kalojë fajin palës shqiptare, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Incidentet e fundit në kufirin shqiptaro-serb dhe përleshjet gjithmonë e më shumë në rritje midis policëve serbë dhe shqiptarëve, po paralajmërojnë se konflikti në Kosovë nuk është më hipotezë. Dialogu shqiptaro-serb, pas gjithë këtyre viktimave dhe frymës së urrejtjes, s’është gjë tjetër veçse një lojë me porta të mbyllura.

Millosheviçi tashmë i ka kundërvënë gjithë përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar mbi 60% të popullit serb, i cili në referendumin e fundit i tha “jo” ndërmjetësimit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe çdo presion ndaj tij, e konsideron si presion ndaj ndjenjave të popullit serb. Tani në Kosovë dhe Serbi më shumë mbisundojnë emocionet se sa logjika dhe diplomacia. Të dyja palët, si shqiptarët ashtu edhe serbët, janë më larg se kurrë. Lideri i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova vazhdon ta kërkojë pavarësinë me dialog, në një kohë kur pjesa më e madhe e policisë serbe gjendet e instaluar në Kosovë dhe numri i shqiptarëve që marrin malet me nga një dyfek në dorë rritet.

Ndërkohë Millosheviçi e ka shumë të qartë se lëshimi pe, qoftë dhe duke pranuar një autonomi, do të thotë pavarësi për Kosovën në të ardhmen e afërt. Atmosfera nuk është e rënduar vetëm nga situata në terren, por dhe nga qëndrimi kontradiktor i vendeve të Grupit të Kontaktit. Dhe nuk është vetëm Rusia që ka pjesën e vet. Anglia dhe Franca, dy fuqi që janë konsideruar gjithmonë si “vende mike” të Serbisë, po anojnë gjithmonë e më shumë nga qëndrimi amerikan, ndërsa Italia dhe Gjermania për shkak të disa kontratave shtetërore tregtare që kanë me ish-Jugosllavinë po i “vënë shkopinj nën rrota qëndrimit amerikan”, duke i lënë kështu Millosheviçit mundësi të gjejë hapësirë për të justifikuar veprimet e tij. Dhe ç’është më e keqja, në mbledhjen e Romës është ulur niveli i përfaqësimit, nga ministra të jashtëm, në zëvendësministra e më poshtë. Ky ndryshim, që ndoshta mund të ketë ardhur dhe nga një lloj zhgënjimi i amerikanëve, duket se do të ndikojë negativisht te shqiptarët dhe do të jetë një shkëndijë më shumë për t’i shtyrë ata drejt një lufte guerile që nuk do të mbarojë kurrë. Kosova, ashtu si Bosnja, po vërteton se diplomacia në përgjithësi është e bllokuar dhe e paaftë të zgjidhë situata të tilla. Por jo vetëm kaq. Jo vetëm shqiptarët, por gjithë ballkanasit dhe lindorët e Evropës që ëndërron të bashkohet nën një flamur, po kuptojnë se nuk ka një politikë të unifikuar evropiane që do të zgjidhte me dialog dhe presion problemet në gadishullin tonë./Andi Bejtja/

SHKARKO APP