Andi Bushati: E majta jemi ne

(Botuar me 12 Tetor 1997 në KOHA JONE)

Nga Andi Bushati

Ish-numri dy i PS, Servet Pëllumbi, ka kritikuar sot në një letër të hapur, drejtuar Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste, tentativat e Fatos Nanos për çuarjen e PS drejt qendrës së djathtë. Letra e njeriut simbol të antimocionit u bën thirrje ish-kolegëve të tij që të reflektojnë lidhur me dy propozime të Fatos Nanos. Së pari, atij që e parasheh procesin e reformimit si një rrëshqitje të PS drejt qendrës dhe së dyti deklaratës se bibla politike e veprimtarisë së partisë, është programi i qeverisë që është i qendrës së djathtë. Pëllumbi kundërsulmon prerë: Jo dhe Jo.

Sipas njeriut të antimocionit tre janë argumentet që nuk mund t’ia lejojnë PS një gjë të tillë. Së pari, krijimi i hamendjeve se fitorja e PS si parti e majtë ka qenë aksidentale. Së dyti, se nëse PS do të shkonte drejt qendrës së djathtë atëherë nuk mund të flitej për reformim mbi bazën e vetë karakteristike. E së treti, Pëllumbi pretendon se është absurde që kur populli varfërohet e shkon majtas, liderët të zhvendosen djathtas.

Por debati që kërkon të hapë ish-nënkryetari i PS, në prag të Konferencës Kombëtare, që pritet të zhvillohet në fund të nëntorit, nuk ka qëllim vetëm të iniciojë një polemikë ideologjike në radhët e Partisë të mazhorancës. Më shumë se nga nevoja për të parë se ç’vend do të zërë PS në spektrin politik shqiptar, ai motivohet nga interesa praktike. Dihet se Pëllumbi bashkë me të gjithë nënkryetarët e tjerë dolën të humbur nga beteja me Nanon pas Mocionit të këtij të fundit. Por megjithë influencën dhe simpatitë që gëzonin brenda partisë, ata arritën të bindnin vetëm pak simpatizantë lidhur me akuzat se PS po bëhej partia e një njeriu të vetëm.

Tani gjërat kanë ndryshuar. Krahas kryesimit të partisë, Nano dhe klani i tij kanë marrë mbi vete edhe përgjegjësitë e qeverisjes. Dhe ky është pikërisht momenti kur grupi rreth Servet Pëllumbit duhet të krijojë platformën e tij për të ndëshkuar rivalët e vjetër. Duke u përpjekur të mos lejojë shkuarjen e programit të PS drejt qendrës së djathtë (pra drejt unifikimit me atë të qeverisë), profesori kërkon të hedhë bazën e një oponence brenda partisë. Gjatë kësaj kohe, qeveria do të jetë e detyruar, me hir apo me pahir, të marrë shumë masa shtrënguese që do të prekin edhe elektoratin e PS. Ngritja e TVSH, shtimi i disa taksave, rritja e çmimeve janë masa që do të krijojnë pakënaqësi dhe tek ata që votës së tyre i dhanë ngjyrë rozë. E në një të ardhme jo të largët, kjo pakënaqësi do të kanalizohet tek ata që të parët e ngritën zërin ndaj reformave djathtiste të qeverisë. Tek ata që kundërshtuan thirrjet e Nanos: “Vëllezër, angazhohuni për reforma standarde”. Me kundërshtimin që po i bëhet orientimit djathtas të PS, Pëllumbi dhe të tjerët synojnë të marrin sot elektoratin që Nano do të humbasë nesër, duke shpresuar se një ditë, të zhgënjyerve nga ashpërsia e reformës, mund t’u thonë: E majta jemi ne!.

SHKARKO APP