Andi Bushati: Kështu u mashtrua më 26 maj

(Botuar me 13 Qershor 1996 në KOHA JONE)

Nga Andi Bushati-

Kështu u mashtrua më 26 maj. Ky është thelbi i raportit të OSBE të bërë publik dje e ku evidentohen edhe një herë, në mënyrë të hollësishme, të gjitha shkeljet që sollën farsën e votimeve të treta pluraliste në Shqipëri. Vëzhguesit ndërkombëtarë të vendosur në 18 rajone të ndryshme të vendit, të cilët mbuluan më shumë se gjysmën e 115 zonave elektorale, duke vizituar mbi 300 qendra votimi, kanë arritur në përfundimin se gjatë procesit zgjedhor në Shqipëri janë shkelur 32 nene nga 79 që kanë të bëjnë me periudhën paraelektorale dhe ditën e zgjedhjeve. Më pas raporti, një nga më të ashprit që ka njohur historia e këtij organizmi lidhur me zgjedhjet, bën një radiografi të plotë e të hollësishme të asaj çka vëzhguesit e diplomatët e huaj vunë re më 26 maj. “Administrimi i zgjedhjeve u devijua seriozisht” thuhet në raport ku denoncohet gjithçka ndodhi që nga afati minimal i dekretimit të zgjedhjeve, nga ndarja e pabarabartë e zonave, nga ligji i verifikimit të figurave i cili është në kundërshtim me të drejtën e shtetasve për t’u zgjedhur, e deri te moslejimi i vëzhguesve për të ndjekur procesin zgjedhor. Po ashtu në raport theksohet edhe ndërhyrja e ashpër policore gjatë procesit zgjedhor, shtyrja për dy orë e votimeve me dekret presidencial si edhe pamundësia e të gjithë anëtarëve të komisioneve zonale për të pasur protokolle për shënimin e rezultateve finale pas përfundimit të votimeve. Shkurt këto e dhjetëra fakte të tjera kanë qenë një pjesë e mashtrimit të madh që vëzhguesit e OSBE kanë mundur të konstatojnë të dielën e fundit të majit. Por raporti i vëzhguesve, ndonëse një gjë e tillë nuk është zakon në praktikat e organizatës për sigurim dhe bashkëpunimi në Evropë, këtë herë i është bashkëngjitur edhe një shtojcë prej 10 rekomandimesh që sugjerojnë se si mund të bëheshin zgjedhjet e lira në Shqipëri. Që nesër, ato së bashku me të gjithë arsenalin e shkeljeve do të përbëjnë dosjen akuzë me të cilën priten të njihen të gjitha kancelaritë perëndimore. Institucionet evropiane dhe ato të përtej Atlantikut, që zgjedhjet deri më tani i kanë cilësua si një hap pas në krahasim me ato të zhvilluara katër vite më parë, kanë deklaruar se prisnin raportin e OSBE për të thënë fjalën e tyre. Tani që ky raport u bë publik, pritet edhe reagimi imediat i tyre në mënyrë që historia e Shqipërisë së nesërme të mos i ngjajë asaj të 26 majit.

 

SHKARKO APP