Andi Bushati: Koalicioni i rrezikuar
(Botuar me 8 Shkurt 1998 në KOHA JONE)
Nga Andi Bushati
Nëse Nano i qëndron ende fjalës së disa ditëve më parë për ndryshime ne qeveri atëherë përpara kryeministrit dhe kryetarit të PS shtrohet seriozisht problemi i koalicionit pesëpartiak. Menjëherë pas fjalimit te fortë të Nanos, me të njëjtën gjuhë kanë reaguar thuajse të gjithë partnerët e tij, të cilët ne rastin më të mirë nuk kanë pranuar shkarkimin e njerëzve të tyre nga qeveria. Socialdemokratët, aleancistët edhe PBDNJ kanë qenë me një mendje. Te gjithë kanë deklaruar se kanë njerëz “të aftë”, “kurajozë” apo të përkushtuar”. Ata kanë propozuar se edhe nëse do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, një gjë e tillë të bëhet me konsensusin e arritur midis pesë partive dhe jo vetëm sipas dëshirave të kryeministrit.
Ndonëse nga selia e kryeministrisë një ide e tillë është hedhur poshtë (me pretendimin se nuk kanë qenë pesëshja e koalicionit që zgjodhi kryeministrin, por partia që fitoi zgjedhjet) problemi duket ende i pazgjidhur. Në thelb të gjithë aleatët e PS kanë lënë të kuptohet se nëse u preken karriget, koalicioni rrezikohet, duke e vënë kryeministrin përballë zgjedhjes: ose të respektojë bindjet dhe postin e tij, ose marrëveshjen midis partive.
Rreth shtatë muaj më parë, Nano u bëri ftesë të gjithë aleatëve të tij të natyrshëm për të marrë pjesë në qeveri. Megjithëse numrat e lejonin të ndërtonte një qeveri rozë, ai deklaroi se kishte nevojë si për Aleancën ashtu edhe për PBDNJ, si për PSD ashtu edhe për partinë Agrare. Nano konfirmoi se donte të ruante pak a shumë formulën e qeverisë së pajtimit dhe se donte të drejtonte me një bazë sa më të gjerë. Ai e pati këtë një nga flamujt e fushatës në perëndim, duke dashur ta çngjyrosë sa më shumë njollën e kuqe që i kish mbetur trashëgim. Por, që në momentet e ndërtimit të qeverisë, Nano e ka ditur se detergjenti që i duhej të përdorte, nuk qe nga më i miri. Ai ka qenë i vetëdijshëm se mund të gjente një ministër më aktiv se Apostoli, më i njohur se Solis, apo më në modë se Xhuveli. Por kjo qe zgjedhja e tij, si për t’i shpëtuar së kaluarës, ashtu edhe për t’i dhënë garanci Perëndimit se, Shqipëria, ndryshe nga tradita e saj 555-vjeçare, tani udhëhiqet nga një spektër i gjerë forcash politike.
Shtatë muaj më pas, qeveria Nano nuk ka më të njëjtat probleme. Preokupimi kryesor i saj nuk është më fitimi i kredibilitetit apo dhënia e garancive, por aktivizimi i njerëzve që mund të thithin të ardhura, përmes projekteve tashmë të miratuara nga Perëndimi. E për këtë Nanos më shumë se të luajë me imazhin, tani i nevojitet të luajë me njerëz të aftë. Qoftë edhe me riskun e rishikimit të koalicionit.