Andrea Stefani: Paraja u kthen shpinën bankave. Gjatë vitit 1997 është rritur vrullshëm qarkullimi jashtë bankar  

(Botuar me 18 Janar 1998 në KOHA JONE)

Nga Andrea Stefani-

Tiranë – Pas përmbysjes së skemave piramidë, paratë po braktisin kanalet e qarkullimit bankar dhe po i rikthehen përsëri rrugës. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë dëshmojnë se gjatë vitit 1997 masa e parave që qarkullojnë jashtë bankave është rritur me ritme galopante. Dhe kjo dukuri është jo vetëm një tregues më shumë për prapambetjen e theksuar të sistemit bankar, por edhe një sinjal shqetësues për zgjerim të mëtejshëm dhe mjaft të përshpejtuar të ekonomisë ilegale dhe formave të saj në Shqipëri. Nga tërë masa e parave të emetuara prej shtetit shqiptar, pjesa e parave që qarkullojnë jashtë bankave, pra që nuk kalojnë në forma të ndryshme depozitimi apo pagese, ka përjetuar rritje të vazhdueshme gjatë gjithë viteve të tranzicionit. Bilancet e Bankës së Shqipërisë dëshmojnë se ndërsa në vitin 1991 treguesi “para jashtë bankave” ishte diçka më shumë se 4 miliardë lekë, në fund të vitit 1995 arriti në më shumë se 40 miliardë lekë. Kjo rritje është rrjedhojë edhe e zhvlerësimit të lekut, por duket se nuk mund të shpjegohet vetëm me kaq. Sepse ndërkaq ka ndryshuar po aq dukshëm edhe raporti mes “depozitave pa afat” dhe parasë jashtë bankave në favor të këtyre të fundit. Kështu, ndërsa në fund të vitit 1991 paraja jashtë bankave përfaqësonte vetëm 45 për qind të agregatit monetar M1 (në këtë agregat përfshihen paratë jashtë bankave dhe depozitat pa afat), në fund të vitit 1995 zinte 71 për qind të këtij agregati. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë vitit 1996 masa e parave në qarkullimin jashtë bankar pësoi një rrudhje të ndjeshme. Por duket se kjo ishte rrjedhojë e faktit që një pjesë e ekonomisë ilegale, sikundër ishin skemat piramidale, infiltruan në sistemin bankar, duke depozituar masa të mëdha parash, kryesisht në formën e depozitave pa afat.

Gjatë këtij viti masa e parave jashtë bankave kundrejt agregatit M1 ra drastikisht në 53 për qind, ndërsa depozitat pa afat u rritën vrullshëm në 47 për qind. Shembja e skemave piramidë ka sjellë përsëri në skenë dukurinë e braktisjes së bankave dhe vërshimin e parasë “rrugëve”. Në bazë të statistikave të Bankës së Shqipërisë vërehet se deri në gusht të vitit të kaluar paraja jashtë bankave kundrejt MI ishte 78 për qind, duke regjistruar kështu pikën më të lartë në vitet e tranzicionit. E shprehur ndryshe kjo do të thotë që nga rreth 180 miliardë lekë që është paraja gjithsej në Shqipëri, përfshi dhe depozitat në valutë një masë parash prej mbi 77 miliardë lekësh qarkullon në rrugë jo bankare.

Por përse një pjese të konsiderueshme të “botës së parasë” në Shqipëri vazhdon t’i mungojë dëshira për t’u integruar me sistemin bankar? Mjaft specialistë të financave shqiptare orvaten ta shpjegojnë dukurinë në fjalë me prapambetjen e sistemit bankar. Dhe duket se është një shpjegim i bazuar, por që nuk shpjegon gjithçka. Sepse një pjesë e konsiderueshme e “alergjisë bankare”, është vështirë të llogaritësh ekzaktësisht se sa, shpjegohet me ekzistencën dhe zhvillimin krahas ekonomisë legale, edhe të ekonomisë ilegale që në botë njihet me termin “ekonomi e nëndheshme”. Ekonomia e nëndheshme përbëhet nga tërësia e transaksioneve ilegale si droga, prostitucioni si dhe format e ndryshme të kontrabandës apo të aktiviteteve që shmangin detyrimet fiskale. Ajo është një dukuri e pranishme edhe në vendet me ekonomi mjaft të zhvilluar, sikundër SHBA. Një studim i bërë para disa vitesh nga departamenti amerikan i tregtisë zbuloi se përmasat e ekonomisë së nëndheshme amerikane ishin më të mëdha se përmasat e ekonomisë japoneze dhe zvicerane. Përveç aktiviteteve që ushqejnë kontrabandën, ekonomistët mendojnë se dimensionet e ekonomisë ilegale rriten në kushte të caktuara në raport të drejtë me barrën e taksave dhe tatimeve mbi biznesin dhe individët.

Ndërkaq matja e dimensioneve të një ekonomie të fshehtë bazohet në hipotezën se ka një lidhje të qartë mes preferencës për “cash” dhe ekonomisë së nëndheshme. Dhe konkludojnë se sa më e madhe kërkesa për kartëmonedhë, krahasuar me format e tjera të realizimit të pagesave, aq më të mëdha janë përmasat e ekonomisë ilegale. Rritja e masës monetare jashtë bankave është një dukuri mjaft shqetësuese për mjedisin ekonomik shqiptar, jo vetëm se shton shanset dhe përmasat e evazionit fiskal duke “përjetësuar” deficitin buxhetor, por se me një dukuri të tillë kanë lidhur format e ndryshme të kontrabandës, droga, prostitucioni, trafikantët ilegalë që ushqejnë kriminalitetin aq tronditës këto kohë për shoqërinë shqiptare.

ANDREA STEFANI

SHKARKO APP