Anila Basha: Berisha mes njeriut, legjendës dhe politikanit aktiv

(Botuar me 21 Shtator 1997 në KOHA JONE)

Anila Basha: Berisha, mes njeriut, legjendës dhe politikanit aktiv

Ish-zoti President është mësuar që të kalojë në zyrën e tij të punës që në orët e para të mëngjesit. Zbret me hapa gjigantë duke kapërcyer dy e nga dy shkallët e banesës së tij të përhershme,- të paktën në të njëjtën mënyrë siç i ka zbritur edhe kur ka qenë president,- dhe po me shpejtësi futet në makinën që nuk mban më targën RSH. Berisha impenjohet gjithë ditën me politikën që nuk i ka munguar këto shtatë vjet dhe aq më tepër larg profesionit të mjekut. I “ngujuar” brenda mureve të zyrave të përkohshme, Sali Berisha kalon 13-14 orë me pritje e përcjellje të njerëzve që ndoshta nuk i ka takuar kurrë më parë, ose të atyre që i servilosen. Pakkush mund të flasë për të nga shoqëria e vjetër. Miqtë më të afërt që ka pasur, duket sikur e kanë harruar.

Për të mos folur për të tjerët që e kanë tradhtuar prej kohësh. Rrethi miqësor është shumë i vogël e dyshues, madje edhe vetë Berisha ka filluar të dyshojë për ta. Sali Berisha është i detyruar të hyjë në selinë e partisë për të cilën ka luftuar këto shtatë vjet, gjë që e ka bërë rrallëherë kur ka qenë president.

Zyra e re më luksoze se ajo e Presidentit

Mëngjesi i çdo dite, e gjen në zyrën e tij. Si një zyrtar i mirë, (ose ndoshta për të kujtuar kohën që kalonte në presidencë), Sali Berisha, në orën 08.30 minuta, do të gjendet në zyrën e katit të dytë të selisë së PD-së. Është e vetmja zyrë e organizuar me paradhomë për sekretaren e ish-presidentit dhe të oficerëve që kujdesen për ruajtjen e tij. Dimensionet e dhomës ku kalon çdo ditë gati nga 14 orë, janë pothuajse të njëjta me ato që ka pasur në zyrën presidenciale. Veçse, dhoma e tanishme nuk ka të njëjtën modesti që kishte ajo e para. Luksi i tanishëm, ndoshta kërkon të kompensojë sadopak pushtetin që tashmë nuk e zotëron më.

Shumë pak nga gazetarët ka mundur të shohë shpesh vendqëndrimin e ri. Për një herë të vetme, të gjithë kanë pasur rastin të hyjnë në të, gjatë një konference për shtyp që e ish-presidenti dha në muajin gusht. Konferencat vazhduan, ndërsa Berisha, pa gjetur ndonjë pretekst, nuk i futi më gazetarët tek ajo zyrë.

Megjithatë askujt nuk i shpëtuan pa vënë re, kushtet e punës së ish-presidentit. Hapësira ishte e mjaftueshme. Përballë tavolinës prej druri, në të cilën gjendej një abazhur dhe telefoni që lidhej me sekretaren, kishte një tjetër tavolinë të vogël dhe një çift kolltukësh. Dritarja me pamje përballë sheshit para godinës, është e mbuluar me grila që nuk janë hapur ndoshta asnjëherë, madje edhe për t’u ajrosur. Në mure gjenden disa piktura, ndërsa mbi tryezë ai mban një skulpturë të Bethovenit dhe disa suvenire të vogla. Në dollapin në anë të tavolinës, gjendet një tufë librash e dosjesh ku ish-presidenti akumulon punën e gjithë ditëve. Por po të bësh krahasimin e hyrjes dhe daljes së Berishës nga selia e PD, nuk mund të mos vësh re se me një hap përsëri të shkujdesur dhe disi të mpirë, ai përshëndet të gjithë, që nga deputeti që kalon e deri tek roja plak i portës. Berisha di t’i fiksojë gjërat. I shoqëruar nga eskorta prej dy makinash dhe shtatë rojet, niset drejt familjes.

Berisha, ose “makina e memories”

Në një dhomë tepër modeste, doktori, siç preferon edhe ta quajnë, në mëngjes gjen rastin të presë edhe deputetët demokratë që punojnë në atë seli. Ndoshta për të bërë mbledhjen e mëngjesit. Që më tepër se një mbledhje, ashtu siç tregon një pjesë e tyre, është një muhabet i këndshëm dhe më pas një analizë e hollësishme e ngjarjeve, më së shumti politike.

Nuk ka një ditë të vetme që të mos t’i ketë hedhur më parë një sy shtypit. Para se të bëjë takimin me të tjerët, Berisha duhet të jetë i përgatitur edhe për temat që do të diskutojë. Dhe si një dëgjues i mirë, duket se pret edhe mendimin e tyre. Kohët e fundit e ka vënë re se shtypi ka filluar të jetë opozitar. Shpeshherë duke bërë analizën jep edhe ide të e veta për titujt e parë dhe se si duhet të formulohen sipas tij.

Ndërsa Liri Berisha, kur flet për të shoqin, thotë se është gjithmonë i zënë dhe i mbetet fare pak kohë e lirë. Punon gjithë kohën. Ka një bibliotekë shumë të madhe në shtëpi, të cilën e ka të mbushur plot libra, shumica libra arti. “Lexon shumë. Gjithmonë e gjen kohën për të lexuar”, duke mos treguar se cila është letërsia që preferon më tepër doktori.

Megjithatë ajo nuk lë pa përmendur se në bibliotekën e madhe gjendet edhe një vëllim i plotë i shkrimtarit të madh rus Dostojevski, në origjinal. Ndërsa bashkëshorti, duke pasur një memorie të llahtarshme, mund të recitojë Demonin e Lermontovit apo pjesë të tëra nga letërsia ruse.

Uji i vjen Berishës nga shtëpia

“Është një njeri me karakter dhe mjaft mirënjohës”. Kaq mund të thotë Eda, sekretarja e tij, ashtu si gjithë të tjerët për gazetën “KJ”. Në bisedë e sipër me nxitim, Eda përmend se Berisha nuk ka aspak kohë të lirë. Është i zënë me takime gjatë gjithë ditës të cilat i bën në zyrën e tij. “Pi shumë kafe, por nuk e di se sa pi, pavarësisht se i përgatis po unë”, thotë ajo duke buzëqeshur, por pa treguar se kafetë Berisha preferon t’i pijë shqeto. Në paradhomën e sekretares gjendet vetëm një ekspres, në të cilin përgatiten kafetë që Berisha konsumon gjatë ditës dhe që ia sjell e shoqja, Liria. Ndoshta Berisha ka frikë, si të gjithë ata që bëjnë jetë udhëheqësi. Një pjesë tjetër e atyre qe e njohin, sidomos simpatizantët e thjeshtë, mendojnë se ai nuk do të harxhojë nga të ardhurat e partisë.

Por “populli” mund të gjykojë vetë për kursimtarin Berisha, kur të mësojë këto pak zakone të Berishës. Pa të futur në paradhomë, sekretarja e tij Eda tregon se milibari i zyrës së saj nuk ka asgjë tjetër veç ujit të gazuar që Berisha e konsumon me shumicë. Madje ka pasur raste kur ai e kontrollon ujin, qoftë edhe ambalazhin. Nuk preferon ta pijë kur i duket “dyshues” dhe kjo nuk ka ndodhur pakherë. Në shumicën e rasteve, edhe uji i vjen nga shtëpia. Shumë shpesh, gjatë takimeve e konferencave për shtyp, Berisha konsumon ujë nga një shishe kauçuku koka-kola që e mban oficeri i tij kryesor, ose ujë i gazuar San Benedeto.

Eda është tepër e kënaqur që vazhdon të jetë ende sekretarja e ish-presidentit dhe e ka ndjekur edhe kur doli nga salla e bollshme e presidencës, për në dhomën e vogël të selisë së PD-së. Me një buzëqeshje dhe shtrëngim duarsh, Eda të thotë “mirupafshim” dhe asnjë hollësi të mëtejshme për Berishën.

Doktori? E ç’do të dish për doktorin? Hyn e del dhe na përshëndet”. Roja i selisë së PD nuk kursen të thotë se “është shpirt njeriu”. Atij i mjafton përshëndetja e thjeshtë dhe një buzëqeshje që ish-presidenti i jep çdo mëngjes. Dhe për të, si edhe për disa të tjerë, kjo nuk është pak.“Përshëndet shumë shpesh nga makina dhe gjithmonë qesh”. Oficeri i parë i rojës nuk do të flasë gjatë, por tregon se gëzon një respekt të veçantë nga të gjithë ata që e njohin dhe që e takojnë. Nuk dëshiron ta lërë Berishën, pavarësisht se cili do të jetë mendimi i Gardës, vendi i punës nga ku ai varet për pagesën.

3+1, shtëpia me piktura e Brrakës

I vetmi orar kur Berisha mund të qëndrojë në familje janë dy-tre orë gjatë drekës. Shtëpia e ish-presidentit është po e njëjta, në katin e dytë të një pallati në rrugën Fortuzi në Tiranë. Nga thashethemet që dëgjohen poshtë e lart për shtëpinë e Berishës, shumë pak mund të jenë të vërteta. Sipas një familjeje të katit të parë, ish-presidenti ka vetëm një apartament.

Tjetrin ka dashur ta marrë para shumë kohësh, por fqinji lezhian nuk ka preferuar ta shesë. Pavarësisht se gjatë kësaj kohe gjendej në Lezhë pranë familjes.

Apartamenti vazhdon të ruhet nga garda. Në katin e parë gjendet një kolltuk shumë i vjetër dhe një prej rojeve që ishte ulur e lexonte shtypin. Edhe në kat të dytë, kishte një tjetër kolltuk ku rrinte gardisti i dytë. I vetmi ndryshim që nga koha kur ka qenë president është se pavarësisht se në krye të rrugës gjendet një tabelë që të orienton se rruga është me një kalim, makinat qarkullojnë në të dy anët. Kjo gjë nuk rastiste më parë, kur në krye të rrugës gjithmonë do të gjendej edhe një polic.

Berishën para disa kohësh askush nuk mund ta telefononte. Presidenti ishte siguruar mirë për të mos marrë telefonata, por ai vetë mund të lidhej me të tjerët. Ndërsa sot, jo më me presidentin, por me liderin demokrat, mund të flasë gjithkush, madje edhe ndonjë i sëmurë që kërkon doktor.

Në shtëpinë e tij kanë hyrë të gjithë. “Është një hyrje e thjeshtë, 3 + 1. Dyshemenë e ka të shtruar me moket, ndërsa muret janë të mbushura me piktura të madhësive të ndryshme. E veçanta e gjithë shtëpisë janë vazot e vogla me lule natyrale, që gjenden në të gjitha ambientet e shtëpisë”. Sa për angazhimin familjar dhe pushimet, këto kohët e fundit kanë qenë tepër të rralla, për të mos thënë që nuk kanë ekzistuar. Berisha nuk gjen dot kohën e mjaftueshme për familjen dhe gati gjithë kohën për politikën. Ndoshta më shpesh takon dhëndrin, i cili e viziton në zyrën pranë selisë së PD çdo pasdite. Në darkë vonë, rreth mesnatës, Sali Berisha kthehet sërish i shoqëruar nga eskorta.

Politikani antilokal

Ish-presidenti është shumë “koprrac” për të tjerët. Shumëkush nga ata që hyjnë e dalin sidomos në mëngjes, do të donin të konsumonin bashkë me muhabetin e këndshëm edhe një kafe. (Si për çudi, të dy klubet që gjenden përballë selisë së PD janë të pajisur me telefona). Berisha nuk servir kafe për “mysafirët” që i kanë shkuar në zyrë me dëshirën e tij, apo me të tyren. Aq më tepër që qyfyret e mëngjesit që tregon doktori dhe të tjerët pas tij, shkojnë shumë me kafenë. Ai ka qejf të tregojë karagjozllëqet e politikanëve të rinj dhe i merr me humor.

Përmend Finon dhe futbollin që e bëri të famshëm. Nanon dhe mjekrën e tij prej kryeministri. Celularët “miqësorë” që nuk pushojnë edhe gjatë mbledhjeve… Por nuk i konsideron si episode që duhet të përfliten, ashtu siç është abuzuar në disa raste edhe nga shtypi. Ka shumë qejf thashethemet dhe shumë shpesh i beson edhe si të vërteta. E mandej mes tyre tregojnë edhe anekdota. Berisha vetëm dëgjon dhe nuk tregon. Gjatë bisedave është shumë emocional dhe fytyra e tij mund të ndryshojë brenda pak minutash. Nga buzëqeshja e zgjatur që mund të kënaqë të gjithë, tek shprehja e vrazhdë që nxjerr në pah karakterin agresiv. Gjithçka kalon pa kafenë, gjë që i shqetëson edhe deputetët e tjerë që pak më vonë do të dalin ta pinë në klubet përballë. Ka rreth tre muaj që rri në atë seli, dhe asnjëherë nuk ka dalë jashtë të takohet me njerëz që vijnë dhe të pranojë ftesën e tyre për t’u ulur në klub. Sali Berisha asnjëherë nuk futet në lokal. “Është tepër herët”, justifikohet më kot. Kamerierët gjenden pa përgjigje kur i pyet se si do të reagojnë nëse Berisha do t’u ulet në një nga tryezat. Madje njëri duke buzëqeshur thotë: “Do ta shohim në sy dhe do t’i shërbejmë si gjithë të tjerët!” Megjithatë ende nuk e kanë menduar se kjo ditë do të vijë njëherë. Madje ka nga ata që janë gati të venë bast se ai jo vetëm do të vdesë pa u dehur asnjëherë, por edhe pa u futur asnjëherë në lokale.

Berishës i heqin RSH-në

Ka disa vendime qeverie, me anë të të cilave “ish”-ët përfitojnë disa të drejta duke u nisur nga pozita që kanë pasur.

Kështu edhe Berisha pretendon të ketë diçka në xhep. Por duket se nuk ka përfituar shumë. Edhe pse po bëhet padrejtësi ndaj një ish-presidenti, ai nuk është ankuar. Ndoshta sepse e ndien se fajtor më tepër se të tjerët, është ai vetë. Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk është kujdesur asnjëherë që të mundësojë daljen e një ligji me anë të të cilit të përfitojnë personalitetet. Ligji ka mbetur thjesht një vendim qeverie, i cili nuk ka dalë asnjëherë jashtë zyrave të kryeministrisë. Madje për “ishët” nuk ekziston vetëm një vendim, por disa. Në Kryeministri të thonë se këto janë vendime që nuk do të bëhen asnjëherë publike në buletinin zyrtar. Sidoqoftë, edhe kjo vazhdon të mbetet në kuadrin e një mostransparence për publikun. Ajo që më së shumti të shkon në mendje pas mësimit të këtij lajmi të bujshëm, është fakti se përfitimet duhet të jenë të asaj shkalle saqë ato që tani janë në pozitë i vijnë për shtat në kohën që mendojnë rokadën e pushtetit të tyre.

Një ndër gjërat që përfiton Berisha, sipas vendimit të korrikut ’97 “për ruajtjen e Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kryesisë së Kuvendit Popullor dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave pas lirimit nga funksioni”, është makina me targë jeshile “RSH”. Berisha ka pasur targën 001. Në fillim të këtij viti, gazeta britanike “The Indipendent”, me autor Andrew Gumbel, publikoi artikullin me titull: “Qeveri gangsterësh që ne financojmë”.

Pas këtij shkrimi, publicisti i njohur Çupi, boton në “KJ” shkrimin me titull: “Gangsteri 001”. Që nga ajo ditë, Presidenti Berisha kalon në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të shkuar nga zyra në shtëpi me makinën RSH 002. Pas lënies së postit të numrit një të vendit, ai u ul në sediljet e “Cromas” së blinduar 004. Ndërsa tani, nuk ka asnjë makinë të tillë. Në kryeministri sqarojnë se makina e blinduar 004 i përkiste Ministrisë së Brendshme dhe duhej t’i kthehej institucionit. Por “004” me sa duket nuk pranonte të ndenjura të reja. Makina shoqëruese e Sekretarit të Shtetit pranë Ministrisë së Brendshme, vetëm pak orë pas kalimit në pronësi, do të dilte jashtë përdorimit pas një xingu të zakonshëm makinash në bulevard. Në këtë mënyrë, doktorit do t’i duhet të drejtohet në Presidencë, pranë gardës së Republikës, për të marrë makinën që i takon me statusin e ish-Presidentit. Berisha ka shtatë bodigardë dhe katër prej tyre sipas vendimit të qeverisë janë gardistë. Dy nga shoqëruesit janë nipërit e tij. Oficeri i rojës tregon se ish-presidenti është i siguruar, pavarësisht se i mungon e blinduara RSH. Një mercedes blu i errët dhe një TAYOTA e kuqe janë makinat eskortë që shoqërojnë ish-presidentin.

“Ish “Gjeneralit” nuk ka kush t’i shkruajë”

Aspak, ose për të mos e përgjithësuar një fakt të tillë, shumë pak. Aktualisht ata që konsiderohen miqtë e Berishës janë të afërmit që hyjnë e dalin në familje. Tani, askush nuk preferon të flasë për mikun në gazetë. Aq më pak në “Koha Jonë”. Dhe justifikimi gjendet shumë shpejt. “Kësaj jave jo. Ndoshta për javën tjetër”. Ndërsa javën që vjen të nxjerrin një pretekst tjetër. Tani që Saliu është në opozitë, siç duket edhe miqtë e kanë harruar.

Megjithatë, ata që i rrinë pranë mendojnë se Berisha nuk do të gjejë kurrë miq. Gjithmonë ata tek të cilët ka pasur besim e kanë braktisur si për motive politike, duke filluar që nga dhjetoristët, apo për motive personale. Dhe pjesa më e madhe e kanë mohuar miqësinë që kanë pasur nën shprehjen “tani për mua është një zero me xhufke”. Te tjerët e kanë përfolur në shtyp e në rrethe të ngushta. Ndërsa Berisha nuk ka preferuar të flasë për asnjërin. Shumë, shumë ka thënë një shprehje që e përdor shpesh, “nuk merrem me të”. Por nuk ka fyer në publik. Ndryshe ndodhte dikur në mbledhjet e Këshillit Kombëtar të PD apo në ato të kryesisë, ku nuk kanë munguar dhe sharjet. Pavarësisht nga kjo, Berisha gjithmonë ka qenë i rezervuar. I vetmi nga miqtë që preferoi të flasë, ndoshta dhe i vetmi që i ka mbetur është shkrimtari Besnik Mustafaj. E ka shok që prej ’80 dhe janë njohur nëpërmjet letërsisë. “Sepse është i apasionuar për letërsinë”. Besniku tregon se kanë hyrje-dalje familjare. Shumë shpesh edhe e kanë kundërshtuar njëri-tjetrin, por kjo nuk ka ndryshuar asgjë. “Nuk ka përdorur miqësinë për të më imponuar punën. I vetmi rast ishte “detyrimi” për të shkuar ambasador në Francë”. Raportet janë ruajtur. Gjithmonë e ka thirrur Sali dhe tjetri Besnik. Besojnë shumë tek njëri-tjetri dhe nuk kanë abuzuar me shoqërinë. Madje nuk ka pasur as lëshime nga të dyja palët për hir të kësaj shoqërie.

Berisha ndjek politikën e fqinjësisë së mirë

“Më kujtohet një rast. Vonë natën më kishte kapur një dhimbje në bark, veshka a nuk e di se ç’ka. Kur më trokasin në derë, Liria me Saliun dhe më thonë: A keni nevojë për ne? Mund edhe të mos e kishin bërë këtë veprim”.

Komshinjtë e katit të parë janë tepër të kënaqur nga Saliu si njeri, pa hyrë te politika. Madje për të gjithë familjen Berisha, kishin fjalët më të mira. Nuk i pëlqejnë aspak thashethemet e përhapura më kot për lajthitje apo veprime pa baza. “Njerëzit flasin si t’u shkrepet”.“Liria vjen gjithmonë e sheh fëmijët. Të shkoja në spital do të më duhej të hiqja prej duarsh nja 5 mijë lekë. Ndërsa ajo vjen gjithmonë pa i thënë ne”.

Nuk janë as të shqetësuar dhe as të mërzitur që janë në një pallat. E rëndësishme për ta është që shkojnë shumë mirë. “Liria vjen kur ka ndonjë rast familjar, por vetëm, pa Saliun”. Nuk e mohojnë që gjatë kohës së rrëmujave kanë pasur pak frikë, “ashtu si gjithë shqiptarët”, pavarësisht se pallati i presidentit ishte tejet i ruajtur. Ndërsa fëmijët që luajnë në oborr, kur i pyet për xhaxhi Saliun, të mblidhen bashkë dhe duan që të gjithë të tregojnë. “Kur vjen me makinë dhe ne lozim, ai qesh dhe na puth. Kur është në makinë na përshëndet me dorë dhe qesh. Nuk e kam parë të mërzitur asnjëherë”. Një vajzë me flokët të lidhura bisht nxiton të tregojë se “kur u martua vajza e tij Argi, teta Lili m’i dha mua ftesat t’i ndaja. Dhe unë hyra të shtëpia e tyre. Ishte shumë e bukur”.

 

Berisha, politikani i veçantë

Sytë e Berishës janë gjithmonë te kuq. Një pjesë e mirë e atyre që i rrinë pranë mendojnë se shprehin lodhjen: të tjerë mendojnë se është i stresuar; pjesa tjetër mendon se lexon dhe punon shumë. Dhe shumë pak prej tyre mendojnë se i ka vetë, nga natyra. Por opozitarët e tij mendojnë se i ka nga ilaçet e shumta qetësuese, ose… Pavarësisht se sytë e tij tepër te skuqur mund të tregojnë lodhjen, Berisha ka vullnet të çmendur. Ai duket i bindur për të realizuar gjithçka do. Ka shumë dëshirë të këshillohet me të tjerët. Ndoshta edhe për te kujtuar kohët e arta në presidencë, kur me orë të tëra në zyrën e tij qëndron Pollo. Askush nuk mund të flasë për bisedat e të dyve që mund të jenë konfidenciale, por më të shumtën e rasteve këshillimet” për punën. Kohët e fundit, më kot thuhet se këshillat i jep Pollo.

Këshilltar tani duket se është bërë Berisha. Kursen shumë kur bëhet fjalë për të konsumuar diçka, gjithçka e sjell nga shtëpia. “la dërgon e shoqja, i tha dikush, – kafenë, ujin, lëngjet…, për të cilat ka nevojë gjatë gjithë ditës. Madje në milibarin që ndodhet në paradhomë, nuk sheh asgjë tjetër veç tyre. Alkoolin nuk e ka shumë për zemër, për të mos thënë aspak. Edhe në rastet kur është ftuar diku, do të bëjë urimin e parë me gotën që i kanë servirur të tjerët dhe më pas do t’i kthehet pijes së tij të preferuar ujit ose lëngjeve të tjera. Është shumë e vështirë që ish-presidentin ta gjesh në dreka e darka, apo në lokale luksoze të kalojë kohën me të shoqen Lirinë. Kjo ndodh në raste shumë të rralla, vetëm atëherë kur janë të ftuar në ndonjë ceremoni apo festë. I pëlqejnë tryezat, por gjithmonë duhet të jetë vetë i parë. Berisha nuk preferon të mbajë celular. Disa mendojë se nuk e përballon me të ardhurat: dikush se i ka zët telefonat; dikush tjetër se mund ta shqetësojë shumë vetë. Megjithatë është í vetmi nga politikanët që nuk ka mbajtur telefon celular në duar, pavarësisht nëse mund t’ia kenë mbajtur të tjerët që i rrinë rrotull. Berisha është edhe fetar. Pa e shprehur qartë nëse beson apo jo, ai takohet me të gjithë besimtarët. Madje shpeshherë nëpër fjalime nuk harron të përmende “Ti lutemi Zotit”! Madje edhe atje ku nuk ka sens, ai vazhdon t’i mbyllë fjalimet që atij i duken të rëndësishme me shprehjen: “Zoti e bekoftë Shqipërinë!”

Anila Basha

 

SHKARKO APP