Anila Basha: Fatos Nano po harron PS
(Botuar me 26 korrik 1998 në KOHA JONE)
Intervistë me Ilir Metën, Sekretar Shteti për Marrëdhëniet Euroatlantike
-“Nuk kam qenë i kujdesshëm për të parë nëse mendimet e mia përputhen me ato të Nanos në parti”
-“PS të mos mbetet një hije e Qeverisë, por të jetë një protagoniste e qeverisjes së vendit”
-“Qeveria të tregojë më shumë vendosmëri dhe përkushtim për t’i përballuar problemet që ka”
Nuk ka shumë ditë që ju keni lënë detyrën e kryetarit të PS së Tiranës. A do të dëshironit të ishit akoma në atë detyrë?
Unë thjesht nuk jam rizgjedhur kryetar i PS së Tiranës. Kjo ka të bëjë me faktin se mbaj edhe funksione të tjera të rëndësishme dhe ishte fare normale që të mos kandidoja më në atë detyrë. Dhe për më tepër, unë jam i kënaqur për zgjedhjen e re që u bë për “kokën” e Tiranës, një njeri, i cili përfaqëson një politikan me përvojë që njeh shumë mirë partinë e kryeqytetit dhe problemet që ajo ka. Kështu që largimi im nga kreu i Tiranës erdhi në mënyrë të natyrshme dhe nuk do të dëmtojë punën e socialistëve të kryeqytetit. Ndërkohë, jam i kënaqur që konferenca më zgjodhi anëtar të KD së Tiranës dhe do të përpiqem të kontribuoj në PS e kryeqytetit.
Meta, është më afër qeverisjes, apo partisë?
Unë nuk e ndaj dot PS nga qeverisja, ose angazhimin tim në PS në raport me qeverisjen. Megjithatë gjithmonë e kam ndier veten dhe vazhdoj ta ndiej më pranë PS.
Mbledhja e djeshme u cilësua edhe nga vetë Nano“pa ritëm”. Ju nuk folët se nuk kishit ç’të thoshit, apo sepse nuk donit të flisnit?
Nuk është e thënë që duhet të flasim në çdo mbledhje, për më tepër, unë mendoj se një pjesë të shqetësimeve që kisha dhe kam, i ngrita në mbledhjen e kryesisë. Shpresoj që ato të reflektohen edhe në të ardhmen.
Cilat janë këto shqetësime?
Këto shqetësime kanë të bëjnë në radhë të parë me partinë, gjë që natyrisht ndikon tek qeverisja, dhe e kundërta.
Sepse një parti që është në pushtet, rezonon në mënyrë të pashmangshme me qeverisjen e saj. Shqetësimi është konstatuar në konferencat e rretheve: pra PS duhet të ketë më shumë ndikim si strukturë, tek qeverisja e vendit. Të mos mbetet hije e qeverisë, por të jetë një protagoniste e qeverisjes së vendit, pa rënë në pozitat e Partisë-shtet. Për këtë është jashtëzakonisht e rëndësishme që strukturat të funksionojnë në rregull për të ndikuar në qeverisje. Marrim një gjë fare të thjeshtë: pothuajse shumica e deputetëve të PS nuk bëjnë një jetë të zakonshme, normale, politike e administrative, si të gjithë anëtarët e tjerë të PS. Shumica e tyre, nuk janë anëtarë të strukturës të partisë, marrin pjesë si të gjithë anëtarët e tjerë dhe kjo nuk ndikon për mirë, por krijon një reaksion që u duk qartë edhe në konferencën e Tiranës nga anëtarët e tjerë. Kështu vihet re një shkëputje dhe një nënvleftësim të strukturave të PS nga disa njerëz dhe është normale, sepse nuk mund të ketë dy lloje angazhimesh nga anëtarët e partisë. Do të ketë dhe ka një angazhim baze, dhe kjo ka të bëjë me organizatat e PS. Sikundër mendoj të gjithë deputetët që banojnë në Tiranë, zv. ministra, drejtorë, funksionarë të lartë të administratës shtetërore që janë anëtarë të PS, të bëjnë një jetë aktive në këto organizata dhe jam i bindur që pas kësaj PS do të gjallërohej së tepërmi. Jam i bindur që mbledhjet e këtyre organizatave nuk do të ishin formale dhe nuk do të shqyrtonin probleme të dorës së tretë, por do të merrnin një përmbajtje tjetër, më interesante dhe do të ndihmonin për të sqaruar se ç’po bën PS dhe qeveria… Por njëkohësisht edhe për të rritur përgjegjësinë e deputetëve, qeveritarëve, përfaqësuesve të PS dhe të administratës shtetërore se ç’duhet të bëjmë më shumë. Kjo është diçka që duhet rregulluar, sepse ky nuk është një problem organizativ, por është një problem politik e moral. Në parti janë të gjithë të barabartë dhe nuk duhet t’u kushtojmë më pak vëmendje strukturave të saj, sepse do të vijë dita që do të kemi nevojë edhe për to. Nëse nuk do të korrigjojmë që tani një lloj nënvleftësimi nga ana jonë, është shumë e vështirë që ato t’u përgjigjen sfidave me të cilat do të përballet PS në të ardhmen. Në asnjë veprim politik nuk do të kemi sukses nëse PS nuk do të funksionojë si deri më tani dhe nuk do të ketë struktura të përkushtuara dhe të angazhuara.
Kjo çka ju bëtë prezente, të bën të mendosh se tashmë krerët kryesorë të partisë po merren më tepër me qeverinë sesa me PS. A ka përgjegjësi Nano?
Qeverisja e vendit është një angazhim i gjithë PS dhe mënyra sesi realizohet, është një çështje tjetër. Një pjesë e konsiderueshme e drejtuesve të PS dhe intelektualëve të saj, janë tashmë të angazhuar në mënyrë maksimale në ekzekutivin e vendit. Por edhe ata duhet të kenë kontributin e tyre në parti. Ndërkohë që me përjashtim të kryetarit të PS, sekretarët nuk janë në strukturat qeveritare. Natyrisht për të gjithë drejtuesit e PS që janë në ekzekutiv, duhet të forcohen lidhjet me strukturat partiake. Kjo është e vlefshme edhe për Kryeministrin. Unë personalisht i kam sugjeruar që të gjejë mundësinë që sa më shpejt të takohet me të gjithë kryetarët e partive nëpër rrethe, sepse është e nevojshme që ata të inkurajohen më tej në këtë detyrë të vështirë për nga problematika me të cilën ballafaqohet PS sot.
Ju keni idenë që PS po harrohet nga drejtuesit dhe po kthehet në një “parti klanesh”?
Shqetësimi nuk është se po harrohen strukturat e partisë, por preokupimi që është evidentuar në konferenca, është se si strukturat të kenë më peshë. Dhe kjo realizohet duke pasur më shumë ndikim në mbarëvajtjen e qeverisjes së vendit për realizimin e programit të PS, gjë që bëhet me angazhimin dhe dinamikën e tyre.
Dje në KPD nuk është diskutuar letra e Pëllumbit, e cila në bazë të statutit duhet të shqyrtohet…
Përgjigjen më të mirë duhet ta japin ata që merren me drejtimin e përditshëm të partisë. Mendimi im është se një përgjigje mund t’i jepej Servet Pëllumbit, i cili ngre shqetësime dhe probleme të caktuara në çdo kohë.
Në mbledhje ishin edhe anëtarë të tjerë të kryesisë që kanë folur më parë dhe që dje nuk folën…
Ajo që unë mund të them është se dje pati jo vetëm vlerësime, por edhe vërejtje dhe kritika nga anëtarë të KPD. Cilido ka qenë dhe është i lirë të shprehë mendimin e tij në PS. Unë nuk shikoj ndonjë pengesë, as nga autoriteti i Nanos dhe të askujt tjetër. Edhe më parë në PS gjithkush ka qenë i lirë të shprehë mendimet e tij, i mbrojtur kështu edhe nga statuti i PS.
Ju a i përkrahni përkufizimet e fundit që “në PS ka klane”, “mbizotëron diktati i njëshit”, “PS po merret me qeverisjen dhe jo me partinë”, e të tjera si këto…
Unë nuk ndiej as shqetësimin e diktatit dhe as shqetësime të tjera, sepse askush nuk më ka penguar dhe nuk më pengon, që të më krijohet ndonjë shqetësim nga këto. Kështu besoj edhe për të tjerët. Për sa i takon problemeve të klaneve, mund të them se është një veprim i gabuar për këdo që do të afirmohet apo të veprojë duke nxitur klane, të cilat sipas meje, përfaqësojnë interesa të caktuara të një grupi dhe pa ndonjë përmbajtje të qartë politike, programore etj. Unë personalisht kam qenë dhe mbetem kundër klaneve.
Kohë më parë keni deklaruar që nuk do t’i thoni “po” Nanos sa herë që dëshiron ai, edhe pse jam në Qeveri. A ju ka ndodhur kjo deri tani?
Lidhur me qëndrimet e mia politike ka një këmbëngulje sidomos nga ana e shtypit për t’i karakterizuar ato si “pro” apo “kundër” Nanos. Ndërkohë që qëndrimet e mia, asnjëherë nuk kanë pasur apo kanë përmbajtje personale dhe ndonjë referencë individuale si në rastin konkret, ndaj Nanos. Siç mund ta keni vënë re në këto vite, mendimet e mia janë përputhur me ato të Nanos, herë të tjera kanë qenë në kundërshtim… Për sa i takon qeverisjes, raportet e anëtarëve të kabinetit me Kryeministrin nuk mund të jenë identike, si raporti i anëtarëve të kryesisë me kryetarin e partisë. Pra marrëdhëniet e dyta rregullohen nga normat, dhe në raportet qeveritare unë në përgjithësi kam gjetur mirëkuptimin e Kryeministrit për ato probleme të cilat unë jam i angazhuar në Qeveri. Pavarësisht nga kjo, ka shumë probleme të tjera që unë mendoj se duhen konsideruar më mirë në të ardhmen dhe për të cilat Qeveria duhet të tregojë më shumë vendosmëri dhe përkushtim për t’i përballuar ato. Për sa i takon problemeve të partisë, gjithmonë unë i kam shprehur mendimet e mia dhe nuk kam qenë i kujdesshëm për të parë nëse ato përputhen apo jo me mendimet e Nanos. Këto kanë qenë mendime të natyrshme dhe kështu do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Meqenëse folët për problemet në Qeveri. Cilat janë ato?
Problemi është se ne trashëguam një Shtet edhe pa të burgosur, e cila nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër. Kështu që është e vështirë të thuash se çfarë nuk është bërë. Janë shumë gjëra që janë bërë gjatë këtij viti dhe njerëzit nuk i kishin një vit më parë, por që tashmë janë mësuar me to dhe harrojnë situatën e mëparshme. Por janë shumë të tjera që duhen bërë për të arritur një stabilitet normal të vendit në të gjitha planet. Megjithatë unë besoj se vendi po ecën në këtë drejtim. Natyrisht, ka edhe faktorë të paparashikuar që kanë influencën e tyre negative dhe që nuk varen nga qëndrimet shqiptare. E tillë është zgjidhja e çështjes së Kosovës, e cila po mban peng stabilitetin në rajon. Megjithatë mendoj se përpjekjet e Qeverisë kanë qenë të mëdha, por ato duhet të jenë shumë konkrete në të ardhmen dhe duhet një përkushtim edhe më i madh i Qeverisë, për sa i takon forcimit të rendit dhe të sigurisë në vend dhe përkushtim më të madh për të luftuar korrupsionin dhe kontrabandën. Kjo do të ishte edhe linja më e mirë ndaj gjithë kësaj fushate që po bëhet për të njollosur partinë dhe Qeverinë.
Sipas jush, Nano është më tepër kryetar i Qeverisë, apo i partisë?
Kjo është një pyetje e cila është e vështirë për vetë faktin se Nano përfaqëson dy institucione, atë të kryetarit të Qeverisë dhe kryetarit të PS që nuk është një gjë e re po të kemi parasysh edhe përvojën e vendeve të tjera. Por në fakt në Shqipëri është hera e parë që një kryetar partie është edhe Kryeministër dhe është ndoshta e vështirë edhe opinionin për t’u mësuar më këtë gjë. Mendoj se është vetë Nano që duhet të gjejë një ekuilibër mes dy raporteve. Me më shumë kontakte me PS, me strukturat e saj drejtuese, ai do të arrijë këtë ekuilibër.
Përderisa keni një post të rëndësishëm diplomatik në qeveri, a mund të thoni diçka konkrete për hapat e fundit të qeverisë lidhur me zgjidhjen e problemit të Kosovës?
Qeveria shqiptare është jashtëzakonisht e angazhuar lidhur me zhvillimet në Kosovë sepse kjo ka pasoja të drejtpërdrejta me stabilitetin në rajon, por edhe në vendin tonë. Zhvillimet e fundit dhe luftimet pranë kufirit me Shqipërinë dhe fakti që ka pasur cenim të integritetit të vendit tonë, e shtojnë më shumë angazhimin e qeverisë shqiptare. Në këtë kuadër, përveç përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për të ndërgjegjësuar opinionin ndërkombëtar, për të bërë ndërhyrjet e duhura për zgjidhjen politike të problemit, Qeveria shqiptare është përpjekur t’u japë një mesazh të qartë edhe subjekteve politike shqiptare në Kosovë, si dhe UÇK që t’i japin fund divergjencave dhe rivaliteteve për të pasur një platformë të përbashkët dhe një institucion gjithëpërfaqësues. Dhe në rastin e arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi, pas mundësisë së vendosjes së dialogut, pala shqiptare do të ishte në gjendje të siguronte zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Në do të donin që edhe UÇK të ishte pjesë e këtij institucioni përfaqësues që do të bënte të mundur vënien në dispozicion të saj për forcimin e faktorit shqiptar në Kosovë dhe kjo do t’u jepte më pak mundësi të tjerëve për ta identifikuar atë si forcë terroriste.
Intervistoi: ANILA BASHA