Anila Basha: Neriton Ceka, thembra e “Nanos”!
(Botuar me 1 Prill 1998 në KOHA JONE)
Nga Anila Basha-
TIRANË – “Ceka nuk është i palëvizshëm nga ai post që ka marrë në qeverinë “Nano”,- tha dje sekretari koordinativ në PS Gramoz Ruçi. Sipas tij, nuk është anormale të flitet për ndryshime pas tetë muaj qeverisje të këtij kabineti, por kjo duhet të ndodhë pasi të jetë bërë një analizë e hollësishme е punës në të gjithë sektorët.
Socialistët janë të parët që kanë hedhur idenë e ndryshimeve. Disa ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i PS Pandeli Majko e ka lançuar në një konferencë shtypi idenë e ndryshimeve në disa prej sektorëve të cilët ai i konsideroi si më emergjentët: rendi, mbrojtja dhe doganat. Ideja e Majkos është përkrahur edhe nga anëtarë të tjerë të kësaj partie. Por sekretari koordinativ Ruçi ka dalë në mbrojtje të Neritan Cekës për lëvizjen e tij nga posti i Ministrit të Brendshëm. Ruçi nuk mendon se analiza e punës së rendit duhet të varet nga lëvizja e një njeriu, por ai nuk kundërshton edhe mundësinë rinovimit të atij posti, duke qenë i vetëdijshëm për vështirësinë e punës.
“Nuk i duhet thënë Cekës “plaç” për punën që ka bërë deri tani, ashtu sikurse nuk mund t’i thuhet “bravo” për ato që ka arritur në këto tetë muaj të qeverisë “Nano 3”,- tha Ruçi dje në mbrëmje për “KJ”. Sipas tij, nëse do të ecej me këtë mënyrë të analizuari të fakteve dhe ngjarjeve, atëherë kjo nuk do të ishte një mënyrë për të analizuar punën e deritanishme që është bërë për rendin, por thjesht një mënyrë që të tregojë se diçka po lëviz në një sektor të vështirë siç është rendi. Kështu socialistët janë të parët që kanë hedhur idenë për ndryshimet duke ndjerë nevojën tepër urgjente për rregullimin e sektorëve që deri tani nuk kanë pasur ndonjë arritje të dukshme. Duke folur për rendin, jo të gjithë janë të së njëjtës mendje, edhe pse e kanë të qartë që duhet të ketë ndryshime.
“Kjo është një periudhë tepër e gjatë, ashtu si mund të thuash njëkohësisht që është një kohë tepër e shkurtër për të qenë i bindur për analizën që duhet bërë”, tha Ruçi. Ai sqaron se duke u nisur nga këndvështrimi se cila ishte gjendja e rendit pas zgjedhjeve të 29 qershorit, nuk është e mundur që të hidhet poshtë puna që ka bërë Neritan Ceka. “Por duke u nisur nga ecuria e punëve dhe nga mendimi se sa është arritur deri tani të bëhet për rendit, madje të shkohet edhe më tej: a ka mundësi që të bëhet akoma më tepër për të, atëherë mund të thuhet se lind edhe nevoja e ndryshimeve”,- tha Ruçi.
Sekretari socialist sqaron se ai e njeh shumë mirë postin e ministrit të brendshëm dhe kjo e detyron atë që të mos kalojë në emra konkretë. “Nuk mund të përjashtoj edhe mundësinë e ndryshimit të sektorëve në ministri të ndryshme në të cilën puna nuk shkon ashtu siç duhet”,- tha ai. Gjithsesi, deri tani janë vetëm socialistët që i kanë kërkuar Nanos mundësinë e rishikimit të kabinetit që ai drejton. Një pjesë e mirë e tyre thonë se përgjegjësia më e madhe për të gjitha lëvizjet bie mbi socialistët, ndërkohë që anëtarët e tjerë të koalicionit thonë se përgjegjësitë e të qeverisurit të këtij vendi pas zgjedhjeve të 29 qershorit i kanë marrë të gjithë së bashku.
Të “katër” kundër PS
“Rendi nuk duhet të evidentohet me defekte që nuk i përkasin Cekës”
Nuk duan të prononcohen për ndryshimin e shumëpërfolur të kreut të rendit përfaqësuesit e PSD dhe PBDNJ. Vasil Melo i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut thotë për “KJ” se ai nuk mund të flasë për ndryshimet në asnjë sektor, nëse ai nuk ka të plotë një bilanc të punës së qeverisë. Dhe sipas Melos, më pas duhet që ky bilanc të shqyrtohet nga një tryezë e veçantë e të gjitha partive të koalicionit, pasi këto kanë dhënë viston e tyre për programin e kësaj qeverie. “Nuk mund të them asgjë për punën e rendit, pa pasur parasysh se cilat janë arritjet dhe çfarë mund të bëhej në të njëjtën kohë më tepër për rendin”, thotë Melo. I të njëjtit mendim me të është edhe sekretari i përgjithshëm i PSD Dhori Kule. Sipas këtij të fundit, një parti si PSD nuk mund të marrë në analizë punën e deritanishme që është bërë për rendin, sepse në krye të këtij institucioni nuk është një ministër i PSD.
“Iniciativën për të marrë në analizë punën e ministrave të veçantë e ka kryeministri, i cili jep edhe sugjerimet përkatëse”,- tha Kule për “KJ”. Sipas tij, pasi të jetë dhënë visto nga kryeqeveritari, atëherë i gjithë procesi i ndryshimeve të sugjeruara dhe të propozuara duhet të diskutohet nga partitë e koalicionit që këto të thonë fjalën e e fundit. “Megjithatë, çdo ndryshim duhet të bëhet në bazë të një analize të hollësishme të të gjithë sektorëve, duke përfshirë këtu edhe rendin”,- tha Kule. Ai tha se askush nga partiakët nuk mund të thotë nëse Ceka duhet të lërë atë post, apo jo, “madje as Majko që disa ditë më parë ka bërë propozimin e tij për ndryshime të shpejta në rend, mbrojtje dhe dogana”. “Është bërë një marrëveshje paraprake dhe për çdo ndryshim duhet të bëhet edhe një tjetër marrëveshje e partive të koalicionit”,- tha ai.
Në mënyrë kategorike kundër lëvizjes së Cekës nga posti i Ministrit të Brendshëm është liberal-demokrati Edmond Dragoti. Sipas tij, deri tani me rendin është punuar mjaft mirë dhe nuk janë kaq të dukshme defektet në këtë sektor “ashtu siç mund të përflitet rëndom sot në qarqet qeveritare”. “Neritan Ceka deri tani ka punuar me vizion. Sepse në radhë të parë, Ceka është një njeri që njeh politikën e perspektivës dhe që është gjithmonë nën idenë se duhet të bëhen hapa përpara”,- tha anëtari i Presidencës së PAD Edmond Dragoti. Sipas tij, Ceka ka punuar deri tani duke u mbështetur në normat evropiane të punës, “pavarësisht se në kohën dhe periudhën e sotme është e vështirë që t’u përshtatesh normave të tilla”. Fakti që Ceka e mori Ministrinë e Brendshme në një situatë të tillë nuk e nxjerr në dukje punën e tij si ministër. Por arritjet e tij do të duken më qartë në të ardhmen”,- tha Dragoti.
Megjithatë, Dragoti edhe pse sheh më tepër ecuri pozitive në punën e Cekës thotë se mangësitë në sektorët e rendit nuk kanë qenë për shkak të paaftësisë së tij si ministër i brendshëm. “Të mos harrojmë se rendi ka të bëjë me shumë faktorë: me stabilitetin e institucioneve të ndryshme që drejtojnë shtetin, por edhe me gjendjen e popullsisë. Deri tani, dihet se një pjesë e mirë e njerëzve janë të armatosur dhe një pjesë tjetër të papunë. Megjithatë, rendi nuk duhet të evidentohet me këto defekte, që gjithsesi nuk janë në punën apo në strukturat e tij”,- tha Dragoti. Pasi bën një analizë të hollësishme të punës në rend, Dragoti nuk e sheh absolutisht idenë e largimit të Cekës nga ai post. “Duke qenë i ndershëm dhe idealist, Ceka në atë vend është njeriu më i përshtatshëm”, tha ai.
ANILA BASHA