Anila Jole: Ambasadorja amerikane është edhe presidenti edhe kryeministri ynë
(Botuar me 14 korrik 1998 në KOHA JONE)
Nga Anila Jole-
Tashmë spektrit politik të partive shqiptare iu shtua edhe partia komuniste, e cila konfirmoi ekzistencën dhe legalizimin e saj dje ne hotel Dajti. Zgjedhja e një vendi të tillë për bërjen e konferencave për shtyp nuk ka shumë lidhje me festat e Partisë Socialiste, të cilën ata e konsiderojnë armike.
Kështu pas rilegalizimit nga Ministria e Drejtësisë, komunistët dolën dje për herë të parë në një konferencë për shtyp. Lideri komunist Milloshi, deklaroi se “PKSH është e vetmja forcë opozitare në jetën politike në Shqipëri, për sa kohë këtu nuk ekzistojnë as parti të majta e as të djathta. E majta është një parti e rreme me një program ultra të djathtë. PD dhe PS për Milloshin, në esencë nuk kanë ndonjë ndryshim të madh. Ato udhëhiqen nga ish-komunistë që dikur brohorisnin për marksizëm – leninizmin e sot pretendojnë se luftojnë për demokraci, por hipokritët s’mund ta bëjnë një gjë të tillë”. Komunistët të cilët nuk kanë harruar devizën e tyre -popullin, janë shprehur se pikërisht për këtë popull, as e majta as e djathta nuk bënë asgjë edhe kur e kishin mundësinë për një gjë të tillë. “E para e shkatërroi vendin që nga thellësitë e tokës deri te bibliotekat, e dyta bën llogje Kavaje, dhe nuk ka mbuluar ende një gropë”.
Milloshi dje tepër i shqetësuar për çështjen kombëtare ka gjetur rast të shprehë urrejtjen e vjetër të tij dhe të kastës që përfaqëson për amerikanët, ose më mirë imperializmin amerikan.
“Partitë tona politike nuk kanë bërë asgjë as për çështjen kombëtare. Kjo e fundit u tradhtua 7 vjet më parë nga politikanët “agjentë të imperializmit” ndërsa sot nuk ka as president as kryeministër e as ministër mbrojtjeje. Të gjitha funksionet i kryen Marisa Lino”. “Për sa kohë je i varur nga fustanet e Linos,- tha Milloshi,- nuk mund të bësh politikë kombëtare”.
Çështjen e Kosovës mund ta zgjidhin vetëm kosovarët, dhe opinioni ndërkombëtar nuk duhet të diktojë, kanë qenë dje të mendimit komunistët, që natyrisht do të mbështesnin parimin e mbrojtjes në forcat tona. “Komunistët nuk e duan luftën, por duan Atdheun, dhe nëse s’ka alternativë tjetër do të rrëmbejmë armët për të përkrahur vëllezërit tanë kosovarë”, ishte konkluzioni i Milloshit për çështjen kombëtare.
Partia Komuniste de fakto pa asnjë anëtar në parlamentin shqiptar, është e përfaqësuar më së miri me të pavarurin Maks Hasani. “Ai do të jetë zëri ynë në parlament”, kanë shprehur besimin komunistët në zërin e plotë dhe të fuqishëm të Hasanit për të mbrojtur të drejtat e tyre. Megjithatë komunistët shpejt shpresojnë se do të kenë më shumë se një zë, në këtë parlament. Ata madje janë të bindur se Hasani do mbetet një miniaturë e përfaqësimit të tyre në kuvendin e popullit. Të tjerë filiza dhe bij të kalitur do të dalin nga radhët e PKSH-së, të cilët sipas ëndrrave të Milloshit me shokë, në ndonjë ditë të bukur me diell mund të kenë edhe më shumë se 2/3 në parlamentin e ardhshëm shqiptar. /ANILA JOLE/