Anila Prifti: Janë zhdukur dosjet sekrete të shtetit
(Botuar me 11 Janar 1998 në KOHA JONE)
Nga Anila Prifti-
TIRANË – Në ministrinë e Brendshme, në ministrinë e Mbrojtjes dhe SHIK janë zhdukur mjaft dosje gjatë viteve ’96-’97. Ç’ka ndodhur me shërbimet sekrete të këtyre institucioneve, që nga viti 1992 deri në pranverën e çmendur, kur shteti u ngrit kundër njerëzve të tij? Ky është qëllimi i një hetimi të ri, që do të nisë shumë shpejt në strukturat e reja të këtyre institucioneve, hetim i cili kryesisht do të përqendrohet tek ana financiare. Sipas burimeve në Ministrinë e Brendshme, verifikimi i deritanishëm i dosjeve në këtë ministri dhe të tjera institucione provojnë se shumë dokumente janë zhdukur, duke lënë prapa copa letrash, të cilat vërtetojnë se nuk ka patur një organikë të mirëfilltë shtetërore. Ndërsa është kërkuar se kush nga zyrtarët e lartë ka dhënë urdhër për të shtypur demonstratat e popullit, dokumentet tregojnë se të gjitha informacionet kanë kaluar në dorë të Agim Shehut dhe Bashkim Gazidedes.
Kush ka dhënë urdhër për vepruar me forca të armatosura mbi popullsinë civile dhe sa është e inkriminuar policia në ngjarjet e marsit? Ndërsa kërkohej një përgjigje për këtë në arkivat e Shërbimit Sekret të Ministrisë së Brendshme, pothuajse nuk është gjetur asnjë dokument, ndërsa njerëzit që kanë marrë pjesë në këtë strukturë nuk figurojnë si punëdhënës të shtetit, por si detektive privatë. Kështu që ajo që pritej të ishte një zbulim i madh për krimin shtetëror, duket se do të mbetet një mister i përhershëm. Ata që ikën duket se kanë marrë dhe masat që të flenë të qetë pas asaj që ndodhi. Ishte iniciativa e ministrisë së Brendshme, qe e para kërkoi të mësojë se ç’kishin bërë drejtuesit e mëparshëm të policisë në atë periudhë që do të mbetet në historinë tonë si më e zeza. Por ndërsa u kërkuan arkivat për të mësuar në dokumente se kush kishte dhënë urdhër për përdorimin e policisë për qëllime politike, ka dalë se shumë dokumente mungonin. Madje drejtuesit e rinj të shërbimit sekret të ministrisë së Brendshme duket se i kanë gjetur bosh kasafortat ku duhej të ishin dosjet dhe materialet e policisë.
Po të njëjtin fat duket se kanë dhe hetimet e filluara në SHIK dhe SHIU. Të ndodhur përballë kësaj të papriture, zyrtarët e ministrisë kanë vendosur të kontrollojnë të gjithë arkivin e shërbimit sekret që nga vitit 1992. Dhe po kështu edhe në ato të SHIK. Dokumentet që kanë vërejtur se mungojnë në ministri, do të ishin dhe materiali hetimor i komisionit parlamentar që ka marrë përsipër të zbardhë misteret e ngjarjeve të pranverës së vjetshme.
Hetimet, të cilat sipas burimeve të brendshme të ministrisë do të fillojnë së shpejti, do të përqendrohen përveç aktivitetit të këtyre organeve për vitin që shkoi, edhe tek ana financiare. Sa para janë shpenzuar e ku i kanë gjetur burimet financiare shërbimet sekrete. Kjo ndoshta edhe për faktin se gjithmonë kanë qarkulluar thashetheme për aktivitete të tjera të agjenturës, si në trafikun e drogës apo veprimtari të tjera të kundraligjshme. Megjithatë është ende herët të flitet për to, ndërsa skandali i parë është ballafaqimi me mungesën e dokumenteve në arkivat e këtyre shërbimeve./ANILA PRIFTI/