Anila Prifti: Shtypja e revoltave në Jug, Agim Shehu firmosi operacionin

(Botuar me 1 Shkurt 1998 në KOHA JONE)

Nga Anila Prifti-

TIRANË – “Operacioni për shtypjen e kryengritjes në Vlorë mban firmën e Agim Shehut”, kështu ka rezultuar nga hetimi i dokumenteve në ministrinë e Brendshme, për trazirat e vitit të kaluar. Një nga enigmat më të mëdha të vitit ’97, duket se po merr zgjidhje përfundimtare. Megjithëse komisioni parlamentar që është ngarkuar për të hetuar mbi shkaktarët e trazirave të periudhës shkurt-mars, duket sikur është në letargji, një dosje e tërë me fakte, dokumente duket se po nxjerr në dritë edhe emrat e mëdhenj, të cilët janë përfolur me kohë për autorësinë e veprimeve ushtarake në Jug.

“Operacioni i forcave policore në Vlorë dhe në qytete të tjera të Jugut gjatë muajit mars është ideuar dhe komanduar nga gjenerali Agim Shehu”,- ky është rezultati përfundimtar që ka dalë nga grumbullimi i materialeve të arkivës në ministrinë e Brendshme dhe të atyre që dispononte policia në bazë. “Shqyrtimi i veprimeve të policisë në periudhën shkurt-mars, për të sqaruar se cili nga kuadrot e ministrisë së Brendshme drejtoi operacionin në jug kundër rebelëve”,- ishte qëllimi i hetimeve që filloi një grup juristësh në ministri, materiale të cilat pas verifikimeve do t’ia paraqisnin grupit të deputetëve, që janë duke u marrë me hetimin e ngjarjeve të vitit të kaluar. Ndërsa hetimi vazhdon dhe gjithçka do të bëhet publike vetëm para deputetëve, kur komisioni i kryesuar nga Spartak Ngjela të ketë përfunduar të gjitha verifikimet, mësohet se deri tani emri i ish-numrit një të policisë ka dalë disa herë në skenë. “Në dokumentet e kontrolluara ka dalë se operacionet ishin ideuar dhe komanduar nga ish-kreu i policisë shqiptare, Gjeneral Agim Shehu, kështu thonë burime të kësaj ministrie.

Madje në dokumentet e ardhura nga arkivat sekrete të policisë në bazë, dalin dhe emra të tjerë oficerësh policie që kanë gisht direkt në drejtimin e operacioneve të policisë për të shtypur protestat masive të popullsisë në Jug. Por gjithsesi këta të fundit mbahen ende sekret, pasi mendohet që ata duhet të bëhen publike kur mbi ngjarjet të nisin të hetojnë organet e drejtësisë.

Ndërsa, për sa i përket firmës së Agim Shehut, askush nuk shpreh ndonjë mendim se si do të veprojë komisioni i hetimeve mbi trazirat dhe proceduarat që do të ndjekë më pas. Emri i Shehut është zënë në gojë edhe më parë në organin e prokurorisë, por asnjëherë nuk është folur për një çështje penale ndaj tij. Ndaj Shehut janë bërë me dhjetëra denoncime në kohën kur ai ka qenë në krye të policisë shqiptare. Opozita politike e asaj kohe ka denoncuar ndërhyrjet brutale të policisë ndaj demonstratave të tyre në Tiranë e qytete të tjera. Por çështja që duket se do të bëjë të mendojë mirë drejtësinë është ajo e trazirave të vitit të kaluar. Ishte një grup deputetësh ai që propozoi ngritjen e një grupi për hetimin e kësaj çështjeje. Grupi i deputetëve do të grumbullojë materiale dhe më pas do t’ia paraqesë prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilët do të vendosin nëse do të bëhen hetime apo jo. Por duket se faktet që janë zbuluar deri tani në ministrinë e Mbrojtjes, për rolin e ushtrisë në katrahurën e vitit të kaluar dhe atë të policisë në shtypjen e revoltave do të çojnë patjetër në hapjen e një dosjeje, e cila do të jetë unikale në llojin e saj. Ndërsa pritet përfundimi i verifikimeve, deri tani deputetët kanë bërë publike të dhënat që janë zbuluar në arkivat e ushtrisë, ndërsa tani janë njerëzit e ministrisë së Brendshme që flasin për të dhëna ku implikohet direkt ish-kreu i policisë Agim Shehu.

ANILA PRIFTI

SHKARKO APP