Arban Hasani: Dosja “Ngjela” për ngjarjet në vitin 1997

(Botuar me 14 Shkurt 1998 në KOHA JONE)

Nga Arban Hasani

E mbërthyer prej dokumenteve dhe fakteve të servirura në parlament, PD ka kundërshtuar përsëri dje Komisionin Ngjela në emër të opozitës, pa arritur të tregojë vetë më parë se çfarë ka ndodhur realisht në Shqipëri gjatë kohës kur Berisha ishte në pushtet. Mes shkatërrimit të Shqipërisë dhe pushtetit të humbur, dilemat e demokratëve një vit më pas janë reduktuar vetëm në lojën e përditshme të konferencave për shtyp, për futjen apo jo në parlament. Pjesa tjetër; vrasjet e mbi 2000 njerëzve, ndjekja dhe gjurmimi nga SHIK-u i ish-opozitës dhe shtypit të lirë, gradimet e gjeneralëve pa asnjë lloj emërimi apo përgatitja e një konflikti brenda shtetit, mbetën në harresën e një viti të mbrapshtë të lënë pas. Edhe pas publikimit të dokumenteve të bombardimeve mbi popullatën civile, urdhëresave për djegie, apo armatimit të militantëve, në selinë e PD-së qetësia e liderëve duket se është dilema e tyre e fundit brenda moralit të shfaqjes në politikën shqiptare.

Analiza që bëri përpara publikut Komisioni Ngjela, më shumë se puna e disa deputetëve, ishte impenjimi moral që pushteti i ri ndërmori që në 29 qershor. Ishte ai informacion që qysh prej 15 janarit 1997 ishte rezervuar në kasafortat e shtetit. Vetëm një vit më pas, shqiptarët mundën të dëgjonin atë që ishte përgatitur kundër tyre, prej ideve fikse që pushteti i shkuar kishte në kokën e tij. Vetëm një vit pas urdhrit të bombardimit të urave dhe zonave pranë Vlorës, banorët u njohën me konceptet që opozita e sotme ka për elektoratin e saj, për nënshtetasit apo shtetin. Vetëm pas 12 muajsh, në parlamentin ku u votua “en block” Gjendja e Jashtëzakonshme, u tha shqip se jo vetëm ishin shkelur ligjet kushtetuese, por mbrapshtia e urdhëruesve rrezikonte ta kthente Shqipërinë në një republikë bananesh, ku gjeneralët vetëshpalleshin dhe merrnin pushtetin brenda natës.

E vetmja gjë me të cilën shqiptarët nuk janë njohur pas 12 muajsh të katastrofës dhe shkatërrimit të organizuar prej shtetit të tyre, mbetet shqiptimi i përgjegjësve prej gojës së gjyqtarëve dhe vënia e gishtit mbi shkaktarët direkt. Mbetet pra, akti formal i çështjeve gjyqësore, të cilat do të krijonin qetësinë e një drejtësie normale, ku shkelësit e ligjit të jepnin llogari përpara atyre që për tre muaj i vranë dhe shkatërruan. Në rastin e fundit, konferencat e përditshme për shtyp dhe tymnaja e lojës “çel e mbyll” e hyrje-daljes në parlament, nuk mund të jenë mbrojtja e PD dhe zhdukja e përgjegjësive të asaj që bëri përpara një viti. Dhe për t’i ndihmuar në të kundërtën, Komisioni Ngjela raportin e tij, paralelisht deputetëve, ka detyrimin t’ua servirë edhe prokurorëve. Që në të ardhmen të mos përsëriten ngjarjet e janar-marsit ’97 dhe më pas të ngrihet një tjetër komision hetimi.

 

SHKARKO APP